22.7 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Egoizmi apo altruizmi? – Latif Mustafa

Më të lexuarat

Egoizmi apo altruizmi?

Latif Mustafa

Diferencimi i njërit nga tjetri mund të duket i lehtë. Janë antipod i njëri-tjetrit. Identike me opozitët e tjera binare. Egoizmi është i keq, altruizmi është i mirë. Për më tepër, egoizmi dhe altruizmi tërheqin edhe paralele të tjera krahasuese, siç është dualiteti individi/kolektivi apo dualiteti e drejta/e padrejta. Egoizmi dhe altruizmi si koncepte statike i përkasin psikologjisë, kurse si koncepte dinamike i përkasin etikës dhe normativitetit. I përkasin etikës ngaqë thelbi i tyre është i tokëzuar në vullnetin e lirë të lëvizjes dhe komunikimit. I përkasin normativitetit ngaqë manifestimi i vullnetit është gjithmonë dykahor ku përfshin veten dhe tjetrin përmes një kontrate politike e cila më vonë merr përmasa përgjegjshmërie dhe obligimi. Kur them se kam menduar se e kam të qartë këtë ndarje, kam pretenduar se egoizmi është vetja e kthyer nga vetja dhe të gjitha veprimet i bën në shërbim të vetes. Kurse altruizmi është një vete e kthyer nga tjetri dhe të gjitha veprimet i bën në shërbim të tjetrit. Por ama, aq sa egoizmi ka nevojë për manifestim tek tjetri, po aq edhe altruizmi është ekzaltim dhe mundësi për ta parë veten mbi të tjerët, të dallueshëm duke krijuar një diferencë me të tjerët. Është paksa e komplikuar.
Para disa vitesh, kur për herë të parë ishte emetuar seriali disasezonësh “La Casa de Papel”, gjatë një trajnimi për edukim mediatik më pati rastisur t’i pyes pjesëmarrësit dhe të bëj një test të shkurtër në lidhje me personazhet dhe empatinë që shfaqin ato. Seriali “La Casa de Papel” është produkt i një produksioni spanjoll ku flitet për një ekip shokësh të cilët vendosin dhe vjedhin Bankën Qendrore të Spanjës. Ekipi i vjedhësve është multinacional dhe përfshin kombet e ish-bllokut socialist dhe vendeve të painkuadruara të cilët, nën udhëheqjen e “profesorit” spanjoll, ia arrijnë të vjedhin Bankën Qendrore të Spanjës. Duke filluar nga muzika, përbërja e ekipit, ngjyra e kuqe, revolta dhe rebelimi ndaj sistemit politik, hierarkisë, traditës së shtetit dhe sistemit bankar e financiar shpërfaq karakterin majtë, të panënshtruar dhe bjerrës ndaj institucionit që shtyp individin, por edhe kolektivat margjinalë. Motivet e vjedhjes së Bankës Qendrore të Spanjës janë dy: e para është hakmarrja e profesorit ndaj sistemit, të cilit para disa viteve i kishin vrarë babanë ndërsa ai po vidhte për ta shpëtuar të birin e tij nga një sëmundje e rëndë dhe hakmarrja ndaj Bankës se si ajo gjatë krizës financiare të vitit 2008 kishte prodhuar para dhe ato ia kishte shpërndarë oligarkëve të shtetit me qëllim mosfalimentimin e bizneseve të tyre dhe nuk i kishte distribuuar në mënyre koncentrike dhe të përpjesëtuar në popull. Në pyetjet e mia ndaj pjesëmarrësve në trajnim se me kë ata ishin, me policinë apo me hajdutët, shumica absolute e pjesëmarrësve ishin me këta të fundit: me hajdutët e kuq revolucionarë.

Me shtrirjen e debatit dhe të diskutimin mbi rolin e shtetit në krijimin e sigurisë, rendit dhe aplikimin e ligjit, i binte që ne si qytetarë duhet të ishim me policët, me ata që e ruajnë vendin dhe rendin dhe jo me ata që sjellin trazira dhe shkatërrojnë pronën publike. Nga ky moment krijohej një huti mendimesh dhe përzierje ndjenjash duke parashtruar pyetje dhe dilema të tjera. Përtej diskutimit për mbjelljen e imazhit mediatik të antiheroit si protagonist dhe model kryesor i postmodernitetit, pyetja kruciale që mbetet është se a nënkupton altruizmi përmbushje të egos, dëmtim dhe shkatërrim të tjetrit duke u përpjekur t’i bësh mirë një komuniteti parcial? Përmes altruizmit, a mund të përmbushet egoja dhe si i tillë, altruizmi si përpjekje a është egoistik në vete? Profesori, protagonisti kryesor në film, për shkak të një hakmarrjeje personale dhe përmbushjeje egoistike, arrin që të tjerët t’i bindë në egon e tij. Në gjuhë më sublime do të thuhej: t’i bindë në ëndrrën e tij. Ngjashëm siç bëjnë liderët e mëdhenj, filozofët e profetët. Për të qenë i suksesshëm a duhesh të jesh egoist, ngaqë veç një vizion për veten e bën njeriun të qenësishëm në ardhmëri dhe përskaj fatit të tij, dhe supeve të mëdha ngjiten të tjerët dhe shijojnë frytet e tij? Në anën tjetër, altruisti, ai që pranon të shkrihet për shoqërinë, duke i dhënë gjithsecilit nga pak, mbetet as për veten e as për shoqërinë?

Le të bëjmë një shpjegim të shpejtë konceptual rreth egoizmit dhe altruizmit. Origjina e termit egoizëm buron nga latinishtja ego që do të thotë unë kurse fr. egoism do të thotë vetjakësi. Leverdia dhe dobia i takojnë veç vetes. Interesi i tjetrit nuk ekziston fare, por veç i imi, i vetes. Egoizëm quhet pikëpamja, ndjesia dhe motivi kur shtytësi kryesor i të jetuarit është ambicia dhe vetja si qëllim më vete. Një shkallë më e fuqishme dhe shprehëse sesa egoizmi është egocentrizmi një formë tjetër e subjektivizmit ekstrem ku vetja apo uni është edhe perceptuesi edhe i perceptuari i vetëm, thelbi dhe qendra e universit. Antinomi i egoizmit është altruizmi. Origjina nocionit altruizëm buron nga latinishtja alter që do të thotë tjetër. Altruizmi është brenga për tjetrin, pikëpamja se njeriu nuk duhet t’i kushtohet veç vetes, por edhe tjetrit. Altruizmi është bindja e thellë që kalitet me kohën, origjina e së cilës është pamjaftueshmëria dhe veç përmes dhe me tjetrin njeriu arrin të plotësohet dhe ta njohë vetveten. Altruizmi është “ngjitësi shoqëror” që përtej një konglomerati mekanik siguron organicitetin midis individëve që shkrihen në masë.

Megjithatë, të thuash se ka një demarkacion të qartë midis egoizmit dhe altruizmit është e pamundur. Herbert Spenseri thoshte se stadet e para të jetës shtyhen nga egoizmi, por me kalimin e kohës altruizmi bëhet motivi dhe shtytësi kryesor në jetë. Rëndësia e njërës apo tjetrës, në historinë e mendimit botëror shihen varësisht nga rrethanat shoqërore, politike dhe kulturore. Në kohërat e kamjes, të zhvillimit dhe të qytetërimit praktikat e veçimit, vetijakëzimit dhe të distancimit nga masat e gjera janë më prezente; ndërsa në kohërat e skamjes, të luftës dhe të shkatërrimit ndjesia e altruizmit dhe e të qenit pranë njëri-tjetrit është më e fuqishme. Të gjykosh për një model të reduktuar esencialist se cila i paraprin tjetrës është tejet problematike ngaqë situatat kufitare janë situata ekstreme dhe njeriu ose mund të dalë nga vetja, ose përfundimisht të kthehet në vete. Thjesht, nuk e dimë.

Sipas filozofit anglez, Thomas Hobbes, i cili jetoi në shekullin XVII, një periudhë e rëndë e trazirave sociale dhe politike në Angli, njeriu në thelb është egoist dhe se të gjitha format e altruizmit janë filiza të egoizmit. Altruizmi ishte gjithmonë dytësor. Meqë njerëzit janë egoistë, ata janë të drejtuar gjithmonë ndaj njëri-tjetrit. Ata janë ujq për njëri-tjetrin (Homo Himini Lupus). Interpretimi i Hobbsit mbase ishte njëdimensional dhe ai i besonte shumë teorisë së instinktit. Sipas tij, instinkti për vetekzistencë është i vetmi motiv burimor i dhënë në mënyrë natyrore dhe nxitës i të gjitha veprimeve. Hobbsi besonte se njeriu nuk është qenie shoqërore. Ai nuk e mohonte faktin se njeriu duhet të jetojë përbri tjetrit, në shoqërim me tjetrin, por sipas tij, ai këtë nuk e bënte për shkak të një instinkti apo force primare, por për shkak të dobisë që përfiton nga të tjerët. Të jetuarit në bashkësi bëhej nga frika për t’u mosrrezikuar ekzistenca e njëri-tjetrit, siguri kjo që e krijonte shteti, pushteti dhe sovrani. Është interesante se për Hobbsin afrimi me tjetrin është edhe motiv i shpërfaqjes së fuqisë sepse dikushi ndjehet vetvetja veç në saje të mundësisë për t’i ndihmuar tjetrit. Ndihmesa është manifestim i fuqisë dhe jo motiv i pastër për t’u solidarizuar me tjetrin. Madje edhe dhembshuria për tjetrin është dhembshuri për veten, ngaqë është projektim i vetes tek tjetri. Po të kishim patur mundësi të pyesim Hobbsin se si babai ndjen dhembshuri për të bijën e tij kur ajo lind në spital, kur ai dëgjon britmat dhe emptazion me dhimbjet e saj përkundër faktit që nuk mund të projektojë dhembshurinë egoistike?

Shopenahueri, një tjetër filozof i shekullit XIX, flet për altruizmin apo tjetrin si arritjen më të lartë fisnike. Në përgjithësi, ai pretendonte se tri janë motivet kryesore që e shtyjnë njeriun në jetë: egoizmi, dashakeqësia dhe dhembshuria. Egoizmi sipas tij ishte përpjekja e njeriut për ta shuar dhimbjen personale dhe për të arritur lumturinë, por kjo sipas tij ishte e pamoralshme. Cilësi morale, sipas tij, ishin ato veprime ku tjetri është qëllimi i drejtpërdrejtë, e mira e tij, gjegjësisht, mangësimi i dhimbjes së tjetrit. Në kundërshti me Hobsin, i cili dhembshurinë e konsideronte si projeksion i egoizmit individual, Shopenhaueri mendonte se dhembshuria është parimi bazë i moralitetit. Dhembshuria është përpjekja për ta ngushëlluar dhe mangësuar dhimbjen tek tjetri; sipas tij, dhembshuria është të vësh veten në dhimbjen e tjetrit dhe ta përjetosh dhimbjen siç e përjeton edhe tjetri. Njeriu mund të shfaqë empati veç në dhembje, por jo edhe në gëzim. Dhembshuria është e kundërta e egoizmit.

Në këtë trajektore mendimi vlen të shqyrtohen edhe idetë e sociologut të shekullit XIX Emil Durkheim. Si kriterin më të lartë të moralit ai përcaktonte solidaritetin. Solidariteti është ndjesia dhe unifikimi i individit me grupin. Individi, sipas tij, nuk mund të ishte një monadë e vetëmjaftueshme. Individi është i realizueshëm veç në saje të shoqërizimit dhe grupit. Pavarësia e personalitetit të individit ishte një koncept i pamundshëm sipas Durkheim-it. Grupi është kuptimi dhe nënrenditja e arsyeshme e vullnetit të individit dhe rregullave të caktuara përmes një disipline të përkorë. Në njëfarë mënyre, shprehur në termat e Hannah Arendt-it, është veprimi që krijon grupin dhe është privilegj i njeriut që është i varur nga prania e përhershme e tjetrit. Është tjetri, altruizmi si parim, që i mundëson njeriut të qenit social, si i tillë edhe familjar, si tillë edhe politik. Vënia në kontakt me tjetrin, përmes dhembshurisë, dashurisë dhe solidaritetit e bën ta pamundur shkoqitjen e tjetrit nga vetja dhe prezenca transcendentale e qenies së përbashkët.

Si reflektohet sot egoizmi? Apo, thjesht është një nocion pa përmbajtje të caktuar? Sot jetojmë në një epokë ku individualizmi dhe empatia për çështje publike, shpërfillja dhe neglizhenca janë modus operandi shoqërore. Gjithçka që na shqetëson është imazhi. Individualizmi shpërfaqet si një strukje apatike në qoshkat e hapësirave private më shumë si rropatje drejt kotësisë, sesa si përpjekje epike, në heshtje për të ndërtuar subjektin e individit që ka përqafuar individualizmin. Çfarë kanë të përbashkët individualizmi dhe egoizmi? Egoizmi sot për sot, është fenomen i stadeve të ulëta të ndikimit në shoqërinë tonë. Mbase edhe shpesh e shpërfillim fuqinë e tij ose jemi krejt apatikë, ose e shpërfillim përmes ndonjë kategorizimi të zbehtë “sëmundje” të patejkalueshme për individin. Sinonime të egoizmit, që përdoren në zhargonin e përditshëm, janë lakmia, shfrenimi dhe ambiciet çmendurake për arritje në shumë fusha. Sot, me qenë egoist është disi me qenë sedërli, mendjemadh, mendjengushtë, moskokëçarës e shpirtvarur. Egoistët e sotit janë të zhytur në kllapi dhe herë duke e zhvatur rrethin në formën e zhvatjes së pronës publike, ata rrezikojnë edhe veten edhe tjetrin. Egoistët e sotit nuk e kanë të qartë se çfarë është e mira dhe keqja. Janë të paditur dhe injorantë, me qëllim që të injorojnë virtytin dhe dijen.

Gabohen rëndë kur përpiqen t’i bëjnë “mirë” vetes duke i shkaktuar fatkeqësi të tjerëve dhe ngrehinën e tyre të “së mirës” e ndërtojnë mbi shfrytëzimin, përçmimin, keqësinë e tjetrit. Gabohen ngaqë nuk dinë ose harrojnë shpejt. Në anën tjetër, dashuria/mirësia është universale dhe nuk mund të manifestohet në mënyrë selektive. Ta urresh tjetrin për ta dashur veten! Është absurde! Të perceptosh një gjë të mirë për veten dhe ky atribuim t’i bëjë dëm e t’i sjellë fatkeqësinë tjetrit!? Është perceptim i gabuar i së mirës. Lëre të tjerët, ata as veten nuk e duan. Janë sedërli, ngaqë ata i prek gjithçka përpos së mirës, shfaqin mendjemadhësi ngaqë opusi i tyre perceptues është i mbushur me boshllëkun e shijes. Megjithatë, ky lloj egoizmi nuk është i pandreqshëm, ai zhbëhet përmes bisedës dhe shpjegimit rreth së mirës si koncept gjithëpërfshirës dhe kolektiv, para së gjithash: me dimension të thellë metafizik, të shtrirjes e të tkurrjes varësisht nga përpjekja jonë e brendshme. Në anën tjetër, individualizmi sot, për dallim nga egoizmi nuk kultivohet në ambiente kolektive. Individualizmi është pikëpamja kur individi tërhiqet më vete dhe nuk u beson koncepteve kolektiviste të cilat i kategorizon si imagjinare dhe instrumentalizuese. Parimi më i lartë i një individualisti është vetëmjaftueshmëria si kusht për të arritur lumturinë. Cilësia e tyre është veçimi dhe tjetri, garën me të cilin ata e zhvillojnë, është vetja e tyre e papërkyer, një vete e djeshme që është më pak e avancuar se kjo e sotit.

Individualisti është në garë me veten. Altruizmi sot është një praktikë naive, lehtësisht e instrumentalizueshme për qëllime politike. Rekrutimi politik bëhet përmes altruizmit në formën e solidaritetit shoqëror dhe bamirësisë. Përmes altruizmit, njerëz të mirë e naivë braktisin dhe dorëzojnë shpirtin e tyre tek liderët demagogë që shtiren si barinj kopeje, por përfaqësues të kontigjenteve politike qoftë transcendente, qoftë imanente. Altruizmi sot është shndërruar në vullnetarizëm të paguar. Kurse ky i fundit është produkt i kuango-s (quasi NGO-ve dhe mango-ve (mafia e NGO-ve)). Altruizmi është rruga për të mbrojtur kauzat e huaja.

Referuar pyetjeve që shtrova në fillim, bazuar edhe në teorizimin dhe historinë e zhvillimit konceptual të egoizmit dhe altruizmit, etapat dhe alternimet e njëra-tjetrës, është e vështirë të marrësh një pozicion fiks. Në jetë kam parë egoistë inteligjentë dhe egoistë idiotë. Të parët përfitojnë edhe nga vetja, edhe nga rrethi. Të dytët e marrin në qafë edhe veten, edhe rrethin. Kam parë altruistë naivë që kanë shkrirë edhe veten edhe rrethin, kam parë edhe altruistë aktivë e të kthjellët, që pas një pike të caktuar dhe veprimi të pakushtëzuar, kur janë tërhequr nga veprimtaria publike, boshllëku i krijuar e ka shndërruar punën e tyre pothuajse në hiç. Humbën edhe ata, edhe rrethi. Kam parë edhe kolektivistë lehtë të manipulueshëm që në pamundësi të ëndrrave të tyre gjithmonë janë bërë pjesë e ëndrrave, shpesh të gabuara, të dikujt tjetër. Unë personalisht mendoj që egoistët e kthjellët dhe inteligjentë, që dinë t’i projektojnë etapat vepruese në trajektoren e tyre në historinë e ardhmërisë, krijojnë mundësi edhe për veten, edhe për shoqërinë.

Egoistët që ndjesinë, kriteret e mendimit dhe aftësinë e gjykimit etik dinë ta universalizojnë dhe të bëhen fillimisht të përgjegjshëm për veten, dhe si të tillë, bëhen edhe për të tjerët. Vetëm tipat e tillë e krijojnë historinë, të tjerët pas tyre arrijnë vetëm se ta regjistrojnë këtë histori. Altruisti është produkt i vendimeve të të tjerëve, kurse egoisti është produkt i vendimeve të veta. Altruisti është heteronom, egoisti i kthjellët është autonom. Vullnetimi për liri është ëndrra më e madhe e tij.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit