Dëshmitari i masakrës në Krushë të Vogël: Nga 109 burra, që na mbyllën forcat serbe në një shtëpi, veç gjashtë shpëtuam të gjallë

0
77

Në gjykimin e të akuzuarit për krime lufte të kryera në Krushë të Vogël të Prizrenit dëshminë e ka vazhduar sot Bajram Zylfiu, i cili në seancën e djeshme rrëfeu detaje nga masakra që kryen forcat serbe ndaj civilëve shqiptarë në këtë fshat.

Për këtë krim dhe krime të tjera në Gjykatën e Prizrenit po gjykohet Darko Tasiq.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit Dejan Vasiq, i cili po e mbron të pandehurin Tasiq, Bajram Zylfiu dha detaje të reja për tmerrin e përjetuar më 25, 26 dhe 27 mars 1999.

Dëshmitari rrëfeu sërish rreth rastit kur në një shtëpi forcat serbe i kishin mbyllur 109 burra, në mesin e tyre edhe ai, para se të fillonin t’i pushkatonin dhe pas vrasjes u kishin hedhur sipër një lëng të djegshëm për t’ua vënë flakën më pas në mënyrë që të digjeshin kufomat.

Bajram Zylfiu është njëri prej pak personave që i mbijetuan kësaj masakre.

“Prej 109 burrave sa ishim të mbyllur në atë shtëpi ku ka ndodhur masakra, pasi që jemi larguar dhe gjatë ikjes janë vrarë edhe disa të tjerë. Në përfundim kemi mbetur vetëm 6 persona të gjallë”, tha sot dëshmitari.

Lidhur me shtëpinë ku kishte ndodhur masakra, dëshmitari tha se pasi ishte kthyer nga Shqipëria ka shkuar te ajo shtëpi, por ajo, sipas tij, ishte shkulur me bager dhe ishte bartur me kamion dhe ishte hedhur në lumin Drini i Bardhë.

Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari, pyetjet e radhës i fokusoi lidhur me të akuzuarin Darko Tasiq.

Dëshmitari Bajram Zylfiu në përgjigjet e tij lidhur me të akuzuarin Darko Tasiq ndër tjera deklaroi se shtëpitë e familjes Hajdari i kanë djegur Darko Tasiq me kolegët e tij. “Unë e kam parë se si Darko Tasiq ka filluar duke i plaçkitur shtëpitë dhe pastaj i ka djegur. Unë e kam parë duke plaçkitur shtëpitë e Hajdarëve”, tha dëshmitari.

Më tutje lidhur me të akuzuarin, dëshmitari deklaroi se më 2 prill në firmën e “Unimontit”, kanë ardhur dy vetura dhe me ta ka qenë edhe Darko Tasiq “për me i dhezë bagerat dhe kamionët e Hajdarëve, por atë ditë nuk kanë mundur me i dhezë dhe janë kthyer mbrapa, bashkë me Darkon kanë qenë dhe vëllai i tij Sveto Tasiq, dhe disa të tjerë”.

Pyetje më pas parashtroi mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Dejan Vasiq. Pyetjet e tij kishin të bënin me veprimet e klientit të tij, se çfarë veprime saktësisht kishte ndërmarrë i akuzuari në ditët në të cilat pretendohet se ka kryer veprat penale.

Avokati e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratat që i kishte dhënë në vitin 2012 si dhe në fillim të vitit 2018 para Prokurorisë Speciale, raporton Kallxo.com.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit, dëshmitari Bajram Zylfiu deklaroi se e ka parë Darko Tasiqin se i ka djegur shtëpitë. “E vërteta është kjo që po e them sot. Atëherë (në deklarata e mëhershme) mund të jem habitur ndonjë gjë”, tha ai.

Ndërsa lidhur me veprimet e të akuzuarit Darko Tasiq, dëshmitari deklaroi se gjithherë e ka përmendur Darkon që ka bërë plaçkitje, se e ka parë Darko Tasiqin duke vjedhur televizorë dhe mjete të punës te shtëpitë e familjes Hajdari “dhe mendoj që të njëjtat gjësende i ka dërguar në shtëpinë e vet”.

Në kohën kur avokati e ballafaqoi me një deklaratë të dhënë në vitin 2012 lidhur me veprimet e Darko Tasiqit, dëshmitari deklaroi: “Këto që po i them sot janë të vërteta, që e kam parë Darko Tasiqin duke i djegur shtëpitë, ndërsa atëherë mund të kem qenë i traumatizuar dhe nuk kam mundur t’i mbaj të gjitha në mend, të vërteta janë këto që po i them sot”.

Prokuroja Drita Hajdari disa herë pati vërejtje në mënyrën se si avokati mbrojtës po i paraqiste pyetjet dëshmitarëve, por nuk kishte vërejtje në dëshminë e dëshmitarit Bajram Zylfiu.

Sipas propozimit të Prokurorisë, radhën për të dhënë dëshminë e kishte dëshmitari Agron Limani.

Gjatë pyetjeve të prokurores speciale Drita Hajdari, dëshmitari ndër të tjera deklaroi se deri në heqjen e autonomisë së Kosovës në vitin 1989, raportet në mes serbëve dhe shqiptarëve kanë qenë të mira, se nuk ka pasur raporte të acaruar, por se nga viti 1990 e tutje raportet, sipas tij, kanë filluar të acarohen kur serbët kanë hapur një punkt policor në Krushë të Vogël.

“Nga ajo kohë në fshat kanë filluar të patrullonin persona me uniforma të ushtrisë serbe dhe të policisë’, tha ai.

Më tutje dëshmitari rrëfeu situata nga datat 25, 26 dhe 27 mars 1999.

“Në vitin 1998 filloi mobilizimi i serbëve, dhe të njëjtit vazhdimisht kanë zhvilluar ushtrime ushtarake apo policore”, tha dëshmitari.

Sa i përket të akuzuarit Darko Tasiq, dëshmitari rrëfeu kështu: “Dua të cek një gjë: gjatë viteve të konfliktit serbët e Krushës së Vogël na kishin bërë jetën të padurueshme. Thuajse çdo ditë kishte gjuajte me armë, ndërsa sidomos në familjen e Darko Tasiqit kishte të ashtuquajtura ”ahengje”, ku dëgjoheshin të shtëna dhe shumë gjuajte me armë”.

Për të akuzuarin, dëshmitari Agron Limani tha se “Darkon e kam parë me uniformë disa herë, edhe me uniformë të Policisë ”.

Ndërsa më tutje dëshmitari ka rrëfyer se kur janë larguar nga fshati Krushë e Vogël për në mal, kanë parë duke u djegur shtëpitë e familjeve Hajdari, të djemve të Mahmut Hajdarit.

Më tutje dëshmitari rrëfeu se çka vepruan pasi që u larguan në mal.

“Duke e parë situatën e krijuar, unë se bashku me 5 persona tjerë u larguam nga mali dhe nga fshati dhe ne na u imponua që të jemi pjesëtarë të UÇK-së duke e parë situatën e krijuar në fshat”, shtoi ai.

Dëshmitari tha se më nuk është kthyer në fshat deri pas përfundimit të luftës, dikur pas datës 20 qershor 1999.

Dëshmitari Agron Limani theksoi faktin se i njëjti është bashkautor i një libri të quajtur ”Fshati i vrarë”, libër në të cilin janë të rrëfyera faktet nga dëshmitarët se çka kanë parë dhe përjetuar gjatë asaj kohe në Krushë të Vogël.

Këto dëshmi tha se kishte filluar t’i mblidhe menjëherë me të përfunduar lufta.

Sipas dëshmitarit Agron Limani, në këtë libër janë rrëfimet e personave të cilët e kanë parë këtu edhe të akuzuarin Darko Tasiq.

Sipas dëshmitarit Agron Limani, gjatë mbledhjes së dëshmive, tashmë i ndjeri Sylejman Çollaku, i kishte rrëfyer edhe EULEX-it, se e ka parë Kekn (Sreçka Tasiqin, babai i Darko Tasiq), së bashku me dy djemtë e tij – Darkon dhe Svetën, bashkë me disa persona të tjerë kur e kanë sjellë kamionin me kufoma te lumi Drin, dhe i kanë vënë flakën kamionit me kufoma.

Sipas dëshmitarit, të njëjtin kamion më vonë pas lufte Kasum Hajdari e ka tërhequr nga lumi Drin.

Agron Limani tha se këto rrëfime ia ka rrëfyer Sylejman Çollaku personalisht, ndërsa ato i ka përfshirë në librin e tij.

Sa i përket të vrarëve, dëshmitari Agron Limani theksoi se nga dëshmitë e mbledhura pas lufte, ka të dhëna se në Krushë të Vogël janë gjithsej 113 të vdekur, civilë shqiptarë, duke filluar nga mosha 13 vjeçare, deri në moshën 78 vjeç, të gjithë meshkuj, pra rreth 70% e meshkujve të fshatit të vrarë. Sipas dëshmitarit kanë mbetur 82 gra të veja dhe 145 fëmijë bonjakë dhe të gjitha objektet e banimit të djegura dhe të shkatërruara, ndërsa të gjitha gjësendet e vjedhura sipas dëshmitarit janë gjetur në shtëpitë e banorëve serbë.

Pyetje tjera për dëshmitarin nuk patën palët.

Por, i akuzuari Darko Tasiq në fund deklaroi: “E falënderoj dëshmitarin Agron Limani që rrëfeu ato se çka personalisht i di dhe jo ato që ka dëgjuar. Ka qenë korrekt dhe i saktë, nuk ka trilluar gjëra sikurse të tjerët”.

Trupi gjykues i përbërë nga kryetari Artan Sejrani dhe Xheladin Osmani dhe Ajser Skenderi anëtarë, caktuan datat 29 dhe 30 nëntor për seancat e radhës, kur do të dëshmojnë dëshmitarë të tjerë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale Darko Tasiq ndërmjet datave 15 dhe 26 mars 1999, në lagjen e njohur si lagjja “Hajdari”, në Krushë të Vogël të Prizrenit, në cilësinë e tij si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë së Jugosllavisë, në bashkëkryerje me kryes të tjerë ende të papërcaktuar mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim i paligjshëm dhe të qëllimshëm i pasurisë (djegie të shtëpive) dhe vjedhje të pasurisë.

Sipas aktakuzës e gjithë kjo nuk justifikohej me nevojat ushtarake, e që rezultoi me djegien e shtëpive, marrjen e automjeteve, makinerisë bujqësore dhe sendeve të tjera me vlerë që i përkisnin Kasum Hajdarit si dhe anëtarëve tjerë të familjes.

Me këto veprime sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se ka kryer veprën penale të plaçkitjes, shkatërrimit të qëllimshëm dhe sulmit të rëndë ndaj dinjitetit njerëzor.

Pika tjetër e aktakuzës që e ngarkon Tasiqin, se ndërmjet datave 26-27 mars 1999, si pjesëtar rezervë i Policisë së Jugosllavisë së bashku me kryes të tjerë të forcave të MPB-së, mori pjesë në përdhosjen e trupave të pajetë, të një numri të personave të paidentifikuar duke i djegur ata trupa në mënyrë të paligjshme ose duke kërkuar shkatërrimin e tyre si dhe duke i hedhur në mënyrë të pahijshme në lumin Drin, në një vend që ndodhet jashtë fshatit Krushë e Vogël.