16.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Dashuria e Profetit Muhamed a.s për dijen

Më të lexuarat

Përkushtimi për dijen dhe shkencën e dallon Profetin arab nga të gjithë mësuesit e mëdhenj të njerëzimit dhe e afron atë me botën e mendimit modern.

Medina, qendra e shtetit islam, pas rënies së Mekës, u shndërrua në një vend tërheqës jo vetëm për arabët, por edhe për persona që vinin nga qytetërime të tjera. Aty shkuan persë, grekë, sirianë, irakianë dhe afrikanë që i përkisnin etnive dhe kombësive të ndryshme, nga veriu dhe perëndimi. Disa ishin të shtyrë thjesht nga kureshtja, por pjesa më e madhe sigurisht që shkonin në kërkim të dijes dhe këshillave të Profetit të Islamit.

Në lidhje me dijen ai predikonte:

”Përvetësojeni diturinë, sepse ai që e përvetëson atë në emër të Zotit kryen një akt përkushtimi të thellë; kush flet me dije lëvdon Zotin; kush e kërkon atë adhuron Zotin; kush e shpërndan atë dhuron lëmoshë; kush e praktikon atë kryen një adhurim ndaj Zotit.

Dija i mundëson mbartësit të saj të dallojë të ndalurën nga e lejuara, i ndriçon rrugën për në parajsë. Dija është e pranëgjendura jonë në shkretëtirë, shoqëruesja jonë në vetmi, përkrahësja jonë kur jemi larg miqve. Ajo na udhëzon drejt lumturisë, na fal shpresë në mjerim, është stolia jonë mes njerëzve dhe mburoja jonë kundër armiqve. Falë dijes shërbëtori i Zotit ngrihet në lartësinë e mirësisë dhe fisnikërisë, shoqërohet me ballëlartët në këtë botë dhe meriton lumturinë në tjetrën.”

Ai shpesh thoshte: “Boja e dijetarit është më e shenjtë se gjaku i martirit.”,…”Ai që largohet nga shtëpia në kërkim të dijes është në rrugë të Zotit” “Atij që udhëton në kërkim të dijes, Zoti i tregon rrugën për në parajsë.”

Vetë Kur’ani dëshmon për vlerën e padiskutueshme të dijes dhe shkencës. Duke komentuar suren Al-alak, Zamakhshari shkruan:

”Zoti i mësoi njeriut atë që ai nuk e dinte, dhe kjo dëshmon madhështinë dhe dashurinë e tij. Ai u tregoi shërbëtorëve të tij diçka që ata nuk e dinin. Ai i nxori nga errësira e injorancës tek drita e dijes, si dhe i ndërgjegjësoi për bekimin e paçmueshëm të shkrimit, të mira që vetëm Zoti mund t’i dhurojë. Pa shkrimin, asnjë shkencë nuk do të mbijetonte dhe nuk do të ishte  organizuar veçmas disiplinave të tjera, as historia e botës së lashtë nuk do të ishte ruajtur dhe thëniet e tyre regjistruar, as librat e shpallur nuk do të ishin shënuar. Nëse kjo dije nuk do të ekzistonte, çështjet fetare dhe tokësore nuk do të ishin shpjeguar.”

Deri në çastin e përhapjes së Islamit, bota arabe që përfshinte gadishullin arabik si dhe disa breza në veri-perëndim dhe veri-lindje, nuk kishte treguar shenja të rritjes intelektuale. Poezia, oratoria dhe astrologjia ishin disiplinat e parapëlqyera mes arabëve të epokës para-islame. Ithtarët e shkencës dhe literaturës thuajse mungonin.

Fjalët e Profetit a.s i dhanë një impuls të ri zgjimit të energjive që kishin qenë të fjetura. Gjatë jetës së tij u formua bërthama e një instituti edukativ që më vonë i dha jetë shumë universiteteve në Bagdad, Salerno, Kairo dhe Kordobë. Ja çfarë predikonte ai për kultivimin e virtyteve më të larta shpirtërore:

”Një orë meditim mbi veprën e Krijuesit është më i vlefshëm se 70 vjet lutje.”

“Të dëgjosh mbi shkencën dhe të mësosh për një orë është më e vlefshme se të falësh xhenazet e njëmijë martirëve, më e vlefshme se të qëndrosh në këmbë duke u falur për njëmijë net.”

“Studentit që vihet në kërkim të dijes, Zoti do t’i garantojë një vend të lartë në kuvendet e bekuar të xhenetit. Çdo hap i tij është i bekuar dhe për çdo mësim që përvetëson shpërblehet.”

“Ai që kërkon dijen do të përshëndetet përzemërsisht nga engjëjt e xhenetit.”

“Të dëgjosh fjalët e të dijshmit dhe të rrënjosësh në zemër mësimet e shkencës, është më mirë se të çlirosh njëqind skllevër.”

“Ai që nderon dijen dhe të diturin, Zoti do ta nderojë në botën tjetër. Ai që respekton dijetarin më ka respektuar mua.”

Sigurisht që këto ndjesi të Profetit a.s ushqyen të gjitha shtresat e shoqërisë me dashurinë për dijen.

 

Shkëputur nga libri “Shpirti i Islamit”, i autorit “Syed Ameer Ali.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit