9.2 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Cili mëkat është ‘më i preferuar’ te Allahu sesa vepra e mirë?

Më të lexuarat

Edhe pse pyetja në titull duket e pazakonshme dhe e çuditshme, dikush mund të mendojë se ajo është plotësisht e gabuar dhe konstatim i pamundur, por në fakt ndonjëherë mëkatet e bëra, nëse shoqërohen me pendim të sinqertë dhe pranim të dobësisë para Krijuesit të Plotfuqishëm, besimtarit i ndihmojnë më tepër sesa shumë vepra të mira që janë bërë pa sinqeritet të mjaftueshëm dhe pa dëshirë për kënaqësinë e Allahut. Pikërisht në këtë kontekst janë përcjellë fjalët e disa dijetarëve të brezave të parë të cilët kanë thënë:
Besimtari ndonjëherë e kryen një mëkat i cili e çon në xhennet, kurse ndonjëherë e bën një vepër të mirë e cila e çon drejt në Zjarr.

 
Pra, në momentet e dobësisë dhe neglizhencës, të cilat janë karakteristikë për të gjithë njerëzit, besimtari e kryen ndonjë mëkat të caktuar apo më shumë sosh, mirëpo është i vetëdijshëm për faktin se i ka tejkaluar kufijtë e përcaktuar nga Allahu i Plotfuqishëm, dhe për këtë shkak pikëllohet dhe shqetësohet, pastaj vazhdimisht në mendje e ka madhështinë e Atij ndaj të cilit ka bërë mëkat, dhe jo ‘imtësinë’ e mëkatit që ka kryer. Këto mëkate gjithmonë i rrinë para syve, i mendon kudo që shkon, edhe kur është ulur, edhe kur shtrihet, dhe i sheh si një shkëmb i madh që varet mbi të dhe e kërcënon, që në çdo moment mund t’i bie dhe ta shkatërrojë plotësisht. Për shkak të këtyre mëkateve e bren ndërgjegjja dhe pendohet tek Allahu duke i kërkuar falje, sepse ai e din se pendimi i sinqertë i fshin mëkatet e më parme:Të cilët japin lëmoshë kur janë në lumturi edhe kur janë në vështirësi, që fshehin zemërimin, e ua falin fajet njerëzve. Se Allahu i don bamirësit, – Dhe ata, që kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun – dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre. E kush falë mëkatet përveç Allahut? – Ata nuk ngulmojnë në atë që kanë punuar, e ata e dinë këtë. (Alu Imran, 134-135)

 
Gjithashtu, sa herë që i kujton ato që ka bërë, ai nxiton për të bërë lloje të ndryshme të veprave të mira, duke e ditur se veprat e mira i fshijnë të këqijat, dhe sinqerisht shpreson se ato do të jetë shpagim për neglizhencën, lëshimet dhe mëkatet:
Dhe kryeje namazin në mëngjes dhe mbrëmje dhe me një kohë të natës. Me të vërtetë, veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat. (Hud, 114)
Megjithatë, besimtari nuk lejon që mëkati i bërë ta sjellë në gjendje të dëshpërimit dhe ta humb shpresën për falje, sepse e di se “… vetëm jobesimtarët e humbin shpresën në mëshirën e Allahut.” (Jusuf, 87)
Në këtë mënyrë, mëkatet që ka kryer bëhen shkak për shpëtimin dhe suksesin e tij, dhe, me vullnetin dhe mëshirën e Allahut, e çojnë në xhennet.

 
Nga ana tjetër, nganjëherë besimtari e bën një vepër të mirë, të cilën në esencë e ka bërë sinqerisht për hir të Allahut, mirëpo, pas një kohe tek ai shfaqet krenaria, për atë që ka bërë, dhe ndjehet i rëndësishëm, i madh dhe i paarritshëm. Sa herë që e kujton atë vepër të mirë dhe mundin që ka dhënë, egoja e tij rritet dhe fillon të mendojë se e meriton respektin e mjedisit. Me kalimin e kohës për këtë vepër të mirë vazhdon të mendojë, dhe kjo ngadalë e çon në arrogancë, dhe mendon se vetëm ai është meritor për atë që ka bërë, duke harruar se ajo kryesisht është një formë e mëshirës dhe mirësisë së Allahut që ia ka dhuruar. Nëse njerëzit nuk e lavdërojnë dhe nuk ia përmendin publikisht atë që ka bërë, kjo e zemëron dhe e nervozon deri në atë masë, sa që fillon t’i akuzojë të tjerët se nuk po e respektojnë sa duhet dhe nuk po tregojnë vëmendje të mjaftueshme sa meriton.

 

Në fund të fundit, i mahnitur me vetveten dhe me veprën e tij, bëhet aq kryelartë dhe mendjemadh sa që vëllezërit e tij muslimanë fillon t’i shikojë me përbuzje dhe dyshim, që nuk është tjetër, pos krenari për të cilën Pejgamberi savs, ka thënë:
Nuk do të hyjë xhennet ai në zemrën e të cilit gjendet sa një grimcë e krenarisë, kurse pasi që një njeri i tha: Njeriu dëshiron t’i ketë rrobat dhe këpucët e tij të bukura! Pejgamberi savs, tha: Allahu është i bukur dhe e do të bukurën. Krenaria është refuzimi i së vërtetës dhe nënvlerësimi i njerëzve. (Muslimi, nr. 91, nga Abdullah b. Mesudi r.a.)
Prandaj, besimtari duhet vazhdimisht t’i rishikojë qëllimet e tij dhe t’i bëjë llogaritë me veten e tij.

 
Sinqeriteti është kusht themelor që një vepër të pranohet te Allahu, dhe nëse në qëllim përzihet diçka tjetër përveç dëshirës për kënaqësinë e Allahut të Madhërishëm, ka shumë mundësi që në vend të shpërblimit të pritur, kryesi i veprës së mirë të përjetojë poshtërim në këtë botë dhe dënim në botën tjetër. Ibn Kajjim el-Xhevzijj. minber.ba

 
Përshtati: Miftar Ajdini.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit