Cilët janë shqiptarët e vërtetë?

0

Nëse arroganca dhe tirania islamofobike e pakicës me prirje kryqtare vazhdon dhe bëhet torturuese ndaj shumicës muslimane të shqiptarëve, ajo rrezikon të hapë probleme të rrezikshme për unitetin kombëtar.

Sa herë ndodh ndonjë pamaturi e padëmshme e ndonjë individi musliman ose e ndonjë insitucioni fetar islam ndër ne shqiptarët, qoftë dhe krejt e paqëllimtë, drejt asaj adrese drejtohen shigjeta hakmarrëse me helmin: “nuk janë shqiptar!” Ata që lëshojnë këto lloj shigjetash të helmuara me urrejtje kryqtare, sillen sikur ta kishin pronësinë mbi shqiptarinë, ndonëse atë pronësi nuk ua ka dhënë e as që mund t’ua japë ndokush. Meqë tashmë e kanë helmuar hapësirën publike me urrejtje dhe thirrje për hakmarrje, siç ndodhi edhe me faljen e namazit të Bajramit në sheshin Skënderbej në Tiranë, ku gjoja u përdhos Skenderbeu, domsodoshmërisht duhet të jepet përgjigje e qartë në pyetjen: kush është dhe kush mund të jetë shqiptar, në mënyrë që ta dimë tamam dhe të mos harxhojmë kohë duke u marrë me këtë temë sa herë nuk bie shi e sa herë bie bore?

Përgjigjja logjike dhe legjitime në këtë pyetje është si vijon: shqiptar është gjithësecili që e pohon me vullnetin e vet të lirë se është shqiptar. Rrjedhimisht, shqiptari mund të jetë musliman, katolik, ortodoks, ateist, agnonstik, budist, shintoist e çdo gjë tjetër, si përcaktim fetar a jofear në këtë nënqiell. Meqë një përcaktim fetar vetvetiu është përjashtues ndaj mundësisë që i njëjti person t’u përkas edhe besimeve të tjera fetare në të njëjtën kohë, kjo do të thotë se shqiptar mund të jetë a) personi që duke qenë kristian, e mohon fenë islame, b) personi që duke qenë musliman, e mohon fenë e krishterë, c) personi që duke qenë pabesimtar, mohon të gjitha besimet fetare. (Mund të bëhen edhe kombinime të tjera.) Rrjedhimisht, shqiptar mund të jetë edhe personi që Skenderbeun nuk e përjeton si hero të vetin kombëtar. Shqiptar mund të jetë edhe personi që nuk e pranon Ismail Qemalin si atdhetar dhe si themelues të shtetit shqiptar. Mund të jetë shqiptar edhe personi që nuk e pranon Adem Jasharin si hero të Kosovës e të shqiptarisë. Madje, shqiptar mund të jetë, nëse deklarohet i tillë me vullnetin e vet, edhe personi që ka qenë kundër pavarësisë së Kosovës, siç ka pasur jo pak.

Problem tjetër është dimensioni moral i qëndrimeve të tilla. Kjo pasatj është temë për debat, që të ballafaqohen argumente e kundër-argumente, në mënyrë që të arrihet tek e vërteta, e cila mundëson forcimin e koncensusit kombëtar. Por, askush nuk është i autorizuar që arbitrarisht, me etiketime e thirrje hakmarrëse, t’ia anulojë çertifikatën e shqiptarisë ndokujt. As personat me hakërrim kryqtar, as personat me hakërrim fundamentalist, nuk e kanë atë autorizim. Bile, shqiptarësia e tyre, moralisht mund të vihet në pikëpyetje shumë, sepse si nxitës të përçarjeve, ata i shërbejnë dobësimit të kombit tonë shqiptar. Ata duhet ta kenë parasysh se të qenit shqiptar, nuk është as vlerë supreme vetvetiu, as fatkeqësi identitare vetvetiu. Të qenët shqiptar është vullnet i lirë dhe si i tillë inkuadrohet në një pajtim konsensual për disa vlera themelore të kombit: historinë e përbashkët, kujtimet e përbashkëta, gjuhën, kulturën, shtetin e përbashkët. Koncensusi i arritur në kohën e formimit të kombit tonë, duhet të ruhet me maturi, nga të gjithë ne. Fjala vjen, harmonia fetare ka qenë përbërës i rëndësishëm i koncensusit kombëtar në kohën e Rilindjes Kombëtare. Prandaj, ky përbërës duhet të ruhet edhe sot.

Pra, duhet të kihet parasysh që kombi ynë shqiptar, ka ekuilibra shumë të brishtë, veçmas në sferën fetare, të cilët duhet të ruhen e të respektohen, që të mos çrregullohen, sepse prej çrregullimit mund të dalin pasoja të rënda. Nuk dëshiroj të bëj parashikime ogurzeza, por nëse arroganca dhe tirania islamofobike e pakicës me prirje kryqtare vazhdon dhe bëhet torturuese ndaj shumicës muslimane të shqiptarëve, ajo rrezikon të hapë probleme të rrezikshme për unitetin kombëtar. Pakica islamofobike, edhe pse e sponsorizuar nga të dy shtetet tona, Shqipëria e Kosova dhe nga segmente të komunitetit ndërkombëtar, nuk ka fuqi të ndryshojë as traditën e as realitetin që ekziston sa i përket harmonisë dhe përcaktimit fetar të shqiptarëve.

Thënë thjesht e qartë, kjo punë nuk është në vullnetin e shteteve, as të agjencive joshtetërore ndërkombëtare. Kjo punë është vullnet i Zotit. Zoti ka lejuar që kombi shqiptar të jetë me këtë diversitet fetar dhe me këto sprova morale e ekzistenciale. Nëse punojmë mirë e bashkërisht, e kemi mundësinë që ta lartësojmë këtë komb. Nëse punojmë mbrapshtë e ndaras, mund ta bëjmë edhe më keq se sa që është.

Nëse islamofobët vazhdojnë t’i quajnë muslimanët joshqiptarë, a fiton apo humb kombi shqiptar? Kush na mbetka shqiptar, nëse përjashtohet shumica?! Fati është që islamofobët nuk e kanë fuqinë që ta realizojnë diversionin e tyre kryqtar. Sikundër nuk e kanë as fundamentalistët miopë, që kujtojnë se duke e braktisur identetin kombëtar, e forcuakan besimin fetar. Kombi ynë është i siguruar nga vullneti i lirë i shumicës, e cila e pranon dhe e respekton diversitetin fetar, rajonal, social e shtetëror dhe e ka zemërgjerësinë, që të mirëkuptojë dhe respektojë dallimet, bile edhe të falë gabimet eventuale të njëri-tjetrin. Moralisht, këta janë shqiptarët e vërtetë.

Autori është studiues, gazetar. Ai është autor i librit të njohur “Nacionalizmi Shqiptar” dhe shumë veprave të tjera. Aktualisht është shef i degës së Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, ku ligjëron disa lëndë.

Observer.al