9.2 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Çelik: Marrëdhëniet Turqi-Shqipëri bazohen në vëllazëri

Më të lexuarat

Ministri i Bujqësisë, Blegtorisë dhe Ushqimit të Turqisë, Faruk Çelik realizoi të martën një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Shqipëria dhe Turqia kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në fushën e bujqësisë dhe një plan veprimi dyvjeçar, ndërsa ministri turk i Bujqësisë, Ushqimit dhe Blegtorisë, Faruk Çelik dhe homologu i tij shqiptar, Edmond Panariti, kanë mbajtur një konferencë për shtyp.

Ministri Panariti, i cili nënshkroi marrëveshjen me homologun turk, në fjalën e tij u shpreh se grupet e përbashkëta të dy ministrive kanë punuar prej kohësh për përcaktimin e prioriteteve në fushën e bujqësisë dhe agrobiznesit dhe sipas tij kjo marrëveshje do të sjellë ndikime direkte në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në këtë fushë.

“Ndërtimi i një platforme të përbashkët, ku produktet respektive të kenë një prezencë të përbashkët, do të na japë mundësinë e rritjes së hapësirës së tregjeve në vendet e treta. Diskutuam gjithashtu edhe për fushën e peshkimit, ku kërkuam tërheqjen e investitorëve turq për zhvillimin e këtij sektori, i cili është strategjik për Shqipërinë.

Sipas Panaritit, Turqia ka një përvojë të gjatë në sistemin vaditjes dhe sistemin e kullimit të tokave.

Ndërsa ministri turk i Bujqësisë, Ushqimit dhe Blegtorisë, Faruk Çelik, theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të bazuara në vëllazëri.

“Në dhjetor dy presidentët tanë u takuan në Ankara dhe na dhanë direktivë dy ministrave të bujqësisë për të zhvilluar marrëdhëniet tona në këtë fushë. Jemi në prag të një referendumi në Turqi dhe edhe pse në një gjendje të tillë ne nuk ja kthyem dot kërkesën për vizitë miqve tanë dhe erdhëm në këtë vizitë njëditore. Jemi duke zhvilluar bisedime dhe takime të shumta. Erdhëm këtu për të folur se çfarë mund të bëjmë në mënyrë aktive. Erdhëm bashkë me një ekip prej70 biznesmenësh nga Turqia…”,- theksoi në fjalën e tij ministri Çelik.

Ministri turk ka shtuar se është biseduar edhe për çështjen e Bursës së Bujqësisë në Shqipëri, që sipas tij, do të jetë pjesë e marrëveshjes, e cila parashikon planin dyvjeçar të veprimit.

Nga ana tjetër është zhvilluar në Tiranë, Forumi i Agrobiznesit Shqipëri-Turqi, në të cilin morën pjesë ministri turk i Bujqësisë, Faruk Çelik, ministri i Bujqësisë i Shqipërisë, Edmond Panariti, zyrtarë të lartë të dy vendeve, biznesmenë nga Turqia dhe Shqipëria, etj.

Gjatë fjalës së tij në këtë forum, ministri Çelik ka shprehur falënderimet për mikpritjen dhe ka thënë se është i lumtur që ndodhet në një forum të tillë. Çelik në vijim të fjalës së tij ka vënë theksin tek “marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, të cilat janë me rrënjë të hershme dhe të shtrira në shumë fusha”. Ndërsa duke folur për investimet e Turqisë në shumë fusha në Shqipëri, Çelik është ndalur edhe tek ndërtimi i xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, duke thënë se kjo vepër madhështore dhe ajo e Sulltan Ahmetit në Stamboll do të jenë një simbol dhe urë lidhëse dhe shenjë miqësie mes dy vendeve.

Presidenti jonë Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan), na ka vënë një plan për të rritur shkëmbimet tregtare mes dy vendeve në 1 miliardë dollarë”, ka thënë Çelik. Ai më pas duke folur për shkëmbimet aktuale tregtare ka thënë se vetëm 11 për qind e shkëmbimeve tregtare që kapin vlerën e 326 milionë dollarëve janë në fushën e bujqësisë.

Duke folur për tentativën për grusht shteti nga organizata terroriste FETO më 15 korrik, ministri Çelik tha: “E dimë që Turqia nuk është vetëm në këtë rrugë. E dimë që Shqipëria është me ne në këtë çështje. Gjatë tentativës 248 qytetarët tanë ranë dëshmorë dhe 2.134 të tjerë mbetën të plagosur.Unë shpreh besimin se miqtë tanë shqiptarë nuk do të mbajnë në radhët e tyre këto tradhtarë të FETO-s që janë përgjegjës për këtë tentativë.”

Nga ana tjetër ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave i Shqipërisë, Edmond Panariti, u preh se forumi i sotëm do t’i japë një shtysë të mëtejshme marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Turqisë.

Panariti tha gjithashtu se integrimi në Bashkimin Evropian (BE) është synimi themelor i Shqipërisë, por sipas tij njëkohësisht dhe marrëdhëniet shumë të mira me vendet fqinje dhe veçanërisht me Turqinë janë shumë të rëndësishme. Ai e cilësoi këtë forum si shumë të rëndësishëm pasi në të ka një pjesëmarrje të gjerë dhe i cili sipas tij do të jetë shumë i suksesshëm.

Panariti në fund falënderoi Turqinë për ndihmën e dhënë gjatë përmbytjeve.

Më pas ministri turk pasditen e të martës zhvilloi një takim edhe me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani dhe më pas mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit në ambientet e Institutit të të Verbërve në Tiranë, ku Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA) ka restauruar ambientet sportive të kësaj qendre.

– Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri –

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit