Bërnabiqi s’e ka ndër mend të shkojë në Srebrenicë, gjenocidin e quan “krim të tmerrshëm”

0
39

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka thënë të martën në Jahorini (Bosnjë) se nuk planifikon të shkojë në Srebrenicë më 11 korrik ku do të zhvillohet ceremonia përkujtimore e gjenocidit ndaj burrave dhe djemve myslimanë të Bosnjës i kryer nga serbët e Bosnjës gjatë luftës së vitit 1995.

Ajo ka thënë po ashtu se “kthimi vazhdimisht në të kaluarën” nuk sjell paqe dhe stabilitet në rajon, raporton agjencia kroate e lajmeve “Hina”.

“Nuk jam ftuar (në komemoracion) dhe nuk do të shkoj”, ka thënë Bërnabiqi para gazetarëve.

Për gjenocidin në Srebrenicë ajo përdori termin “krim i tmerrshëm” dhe shpjegoi se me këtë rast do t’u shprehë ngushëllime familjeve të “të gjitha viktimave të konfliktit” në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ajo me këtë rast përmendi edhe rastin e para katër vjetësh kur në Srebrenicë u sulmua kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe se për këtë incident tha se askush nuk është dënuar.

Bërnabiqi beson se do të ishte e dëshirueshme “të mos kthehemi në keqkuptimet nga e kaluara”, siç e ka kualifikuar nevojën për t’u përballur me krimet e kryera gjatë luftërave të viteve të ’90-ta/koha.net