Berisha: Profeti Muhamed, burri që ndriçoi mendjen e mbarë njerëzimit

0
52

Komuniteti Mysliman në Shqipëri ka festuar në një cermoni të veçantë ditëlindjen e profetit Muahmed. Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe kryeministri i Shqipërise Sali Berisha, i cili nderoi ditëlindjen e profetit, që sipas tij ndriçoi dijen e njerëzimit.

Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij vlerësoi kontributin e gjithë komuniteteve shqiptare në vend dhe u shpreh se toleranca në vendin tonë është shembull mjaft pozitiv. “Liria e besimit tonë është e përsosur theksoi Berisha, ndërsa premtoi se së shpejti do të nisë puna për ndërtimin e xhamisë në kryeqytet.

Ndërkohë një zonjë nga Turqia i dhuroi flamurin kombëtar shqiptar, Berisha e vlerësoi këtë dhuratë dhe tha se Kombit mik turk ne i kemi dhuruar himnin.

Në këtë cerëmoni morën pjesë besimtarë të shumte myslimanë, krerë të gjithë besimeve fetare, krybashkiaku i Tiranës Lulzim Basha dhe shume miq nga Turqia.

Në fjalën e mbajtur, kryeministri Berisha u shpreh:

Vëllezër dhe motra, të pranishëm në këtë sallë dhe në mbarë Shqipërinë,

Është një nder i veçantë për mua të kremtoj së bashku me ju , të nderojmë së bashku me ju ditëlindjen e Profetit të të gjithë profetëve, më të dashurit, më të besuarit, të të Gjithëfuqishmit, Profetit Muhamed, të nderojmë sot ditëlindjen e burrit që ndriçoi mendjen e njeriut dhe të njerëzimit, e Profetit që shenjtëroi dijen, mësimin, shkollën e fëmijëve tanë, të njerëzimit.

Kjo është një festë e madhe për të gjithë ata që i besojnë Zotit. Kjo është një festë e madhe për të gjithë ata që i besojnë dijes, për të gjithë ata që duan të ndërtojnë të ardhmen bazuar në dijen dhe në respektin e madh ndaj Zotit.

Ne kremtojmë ditëlindjen e Profetit Muhamed në një vit për të cilin duhet të falënderojmë Zotin që na bëri fatlum të jemi qytetarë të 100 vjetorit të pavarësisë. Dhe natyrshëm gjëja e parë që të shkon në mendje sot, në këtë ditë të bekuar, në këtë ditë të madhe, është mirënjohja e thellë, respekti i pakufishëm, nderimi i madh për kontributin këto 100 vjet të Komunitetit Mysliman shqiptar, të komuniteteve fetare shqiptare, për Shqipërinë në rrugën e pavarësisë, në rrugën e progresit.

Këto 20 vjet komuniteti Mysliman, udhëheqësit e besimit mysliman shqiptar dhe udhëheqësit e besimeve të tjera kane realizuar në Shqipëri mrekullinë e të gjitha mrekullive, rilindjen shpirtërore të shqiptarëve.

I dashur zoti kryetar,

Kurrë ndonjëherë shqiptarët nuk e kanë vlerësuar dhe nderuar më me dinjitet dhe më bukur se sot, Profetin Muhamed. Kurrë ndonjëherë besimet fetare nuk kanë qenë më të forta dhe më të sigurta se sot, në 100 vjetorin e Shqipërisë së pavarur. Me këtë rast më lejoni të shpreh nderimin tim më të madh për burrin që nuk e kemi sot këtu, por që dha aq shumë në mbrojtje të besimit, të vlerave të ndërtimit të infrastrukturës shpirtërore myslimanë të Shqipëri, Haxhi Hafiz Sabri Koci. Të shpreh nderimin tim të thellë për ju zoti Kryetar që me përkushtimin , virtytet, tolerancën, durimin , por edhe persistimin ia keni dalë sot të ngrini në mënyrë përfundimtare një infrastrukturë të shkëlqyer të institucioneve të besimit në këtë vend. Sot Shqipëria numëron një numër shkollash ndër më seriozet, Medresenë, Universitetin Hëna e Plotë – BEDER, i cili do të bëjë që islami të flasë shqip në mbarë botën.

Së bashku me durim dhe përkushtim erdhëm në këtë 100 vjetor. Kryeqyteti pret me padurim Xhaminë. Shumë shpejt së bashku me kryetarin e Bashkisë do ta inaugurojmë fillimin e saj.

Vëllezër dhe motra,

Liria e të gjithë lirive është liria e besimit sepse besimi tek zoti është burimi më i pashtershëm i forcës shpirtërore të njeriut. Asnjë komb, asnjë vend nuk e ka më të përsosur se ne shqiptarët lirinë e besimit, sepse liria në të vërtet është aftësia e njeriu për ta disiplinuar veten. Liria tek shqiptarët është liria e respektit të palëkundur të besimeve të tjera. Çdo ditë, çdo javë, çdo muaj çdo vit më i madh, më ndriçues, më i rëndësishëm do të bëhet në rajon dhe në botë shembulli i shqiptarëve, toleranca e tyre e shkëlqyer fetare, burim frymëzimi për njerëzit e lirë.

Edhe njëherë gëzuar këtë ditë të bekuar!

Le të urojmë së bashku, ti lutemi Zotit që vitin që vjen edhe më mirë ta festojmë!/mesazhi/kohaislame