26.2 C
Pristina
Friday, June 21, 2024

Ballkan: historia përsëritet (dhe Evropa kthen kokën nga ana tjetër)

Më të lexuarat

Serbomëdhenjtë, gati t’i vënë sërish zjarrin Bosnjes dhe rajonit

Nga Enzo Reale, Opinione.it

Të shtunën e kaluar, presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe lideri i Republikës Srpska, njësia e dytë federative e Bosnje Hercegovinës, Milorad Dodik, organizuan në Beograd një aktivitet të madh nën sloganin “Një popull, një tubim”.

Në fundin e asaj dite, dy parlamentet miratuan një deklaratë të përbashkët, e cila e hedh poshtë rezolutën e fundit të OKB-së që dënon masakrën e Srebrenicës të vitit 1995, dhe ripohon solemnisht “unitetin e të gjithë popullit serb”.

Formulimi kopjon thuajse deri në germë, moton përmes të cilës Sllobodan Millosheviç dhe Radovan Karaxhiç, e shpalosën luftën e tyre të agresionit dhe shfarosjes kundër muslimanëve boshnjakë, episodi më i përgjakshëm i konflikteve ballkanike të fillimit të viteve 1990: “Aty ku ka një varr serb, është Serbi!”.

Jugosllavia nuk ekziston më, dhe sot në këtë zonë njerëzit e shohin Evropën si një realitet të tanishëm, apo si një ambicie të së ardhmes. Por Serbia dhe Bosnje Hercegovina, meritojnë një diskutim të veçantë, duke filluar nga figurat politike që pretendojnë edhe një herë të ndërthurin fatet e tyre.

Milorad Dodik, presidenti i Republika Srpska, është një figurë qendrore në politikën boshnjake prej gati 20 vjetësh, falë një axhende nacionaliste të karakterizuar nga tendenca të forta separatiste, të cilat synojnë konsolidimin e pushtetit të tij personal brenda entitetit të njohur zyrtarisht serb që nga Marrëveshja e Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund gjakderdhjes.

Që nga rikthimi i tij në pushtet si kryeministër në vitin 2006, Dodik ka punuar sistematikisht për të shpërbërë institucionet qendrore të Bosnje Hercegovinës, duke u shkëputur hapur nga sistemi gjyqësor, forcat e armatosura dhe sistemi tatimor i shtetit federal.

Qeveria e tij ka ndërmarrë hapa për të krijuar institucione paralele brenda Republikës Srpska, nëpërmjet ndryshimeve ligjore për të lehtësuar referendumet separatiste dhe krijimin e një komisioni të veçantë zgjedhor. Për Dodik, gjenerali Ratko Mlladiç – xhelati i Srebrenicës – ka qenë gjithmonë “një hero”, dhe dënimi i tij nga Gjykata Ndërkombëtare Penale është “një përpjekje për të krijuar legjendën e gjenocidit në Bosnje” .

Ndërkohë presidenti aktual i Serbisë Aleksandar Vuçiç, e nisi karrierën e tij politike si ultra-nacionalist. Ai ishte Ministër i Informacionit i Millosheviçit në fund të viteve 1990 gjatë Luftës së Kosovës: një periudhë e karakterizuar nga shtypja e egër e mediave dhe zërave të opozitës, në përputhje me stilin autoritar të qeverisjes të kumbarit të tij politik, regjimi i të cilit do të rrëzohej shumë shpejt nga protestat popullore.

Përkundër një loje me dy porta në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian , Vuçiç nuk u distancua asnjëherë plotësisht nga trashëgimia e Millosheviçit, shpesh i lavdëruar si një “udhëheqës i madh serb” që tregoi “qëllime të mira”, pavarësisht dështimeve të mëdha.

Me Vuçiç, u rikthye në skenën politike kombëtare ideologjia e Serbisë së Madhe dhe mbështetja e tij për pakicat serbe në Kosovë, që ishin protagoniste të episodeve të dhunës kundër qytetarëve etnikë shqiptarë dhe forcave policore, dhe shkaku i tensioneve të fundit me qeverinë e Prishtinës.

Ekuilibri delikat që e ka karakterizuar presidencën e tij vitet e fundit, midis pragmatizmit diplomatik dhe retorikës nacionaliste, duket se është zhvendosur përfundimisht drejt kësaj të fundit, siç tregohet nga ndikimi gjithnjë e më i përhapur ndaj lëvizjeve destabilizuese të Dodik në Bosnje Hercegovinë (presidenca e të cilës është trepalëshe, dhe përfaqëson muslimanët boshnjakë, kroatët dhe serbët).

Dodik dhe Vuçiç takohen rregullisht për të diskutuar për çështje që kanë të bëjnë me Republikën Srpska dhe Serbinë, për të përkujtuar ngjarje historike të rëndësishme për serbët, si dhe për të shprehur qëndrime të përbashkëta kundër ndërhyrjeve ndërkombëtare, të cilat ata i perceptojnë si paragjykuese.

Megjithatë tubimi i madh i së shtunës së kaluar, përfaqëson një hap të rëndësishëm në cilësi, sidomos duke pasur parasysh ekuilibrin e pasigurt politiko-institucional që e mban në këmbë Bosnje Hercegovinën që nga marrëveshjet e Dejtonit.

Nëse për disa kohë Dodik kishte shprehur hapur aspiratën e tij për lidhje më të ngushta midis entitetit serb të Bosnjës dhe Serbisë , thirrja “për unitetin e popullit serb”, mund të interpretohet si një referencë e qartë për një proces të mundshëm shkëputje dhe ribashkimi me mëmëdheun e perceptuar.

Madje është e tepërt të nënvizohet se çfarë do të thotë një kurs i tillë politik, nën dritën e përvojës së së kaluarës së afërt dhe të tensioneve në kontekstin e luftës aktuale në Evropë. Por edhe pa bërë krahasime të zymta me luftërat ballkanike, çdo nxitje për të ndarë një pjesë të territorit kombëtar, do të nënkuptonte fundin e entitetit shtetëror boshnjak dhe ëndrrës së Sarajevës për t’u ribashkuar me Evropën politike.

Sigurisht, nuk është një rastësi që si Dodik, ashtu edhe Beogradi, po shohin me këmbëngulje nga Moska. Politika e tij e jashtme, është e lidhur ngushtë me atë të Rusisë, dhe në shumë raste ai është takuar me presidentin Vladimir Putin, duke marrë mbështetje për axhendën e tij nacionaliste.

Gjatë këtyre takimeve, Dodik ka shprehur mirënjohjen për qëndrimin rus kundër sanksioneve të vendosura ndaj saj nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe dhe nga ana tjetër, është mbrojtur lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

Ballkani, siç e ka nënvizuar vazhdimisht presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, është një bazë thelbësore në planin e Moskës për destabilizimin e Evropës Qendrore-Lindore. Dinamika gjeopolitike e zonës, ku ndërveprimi ndërmjet interesave kombëtare dhe etnike vazhdon që të formësojë panoramën rajonale, të kujton çështjen e Donbasit, e shfrytëzuarme zgjuarsi nga rusët për të justifikuar synimet e tyre hegjemoniste mbi Ukrainën.

Dhe regjimi i Putinit është në më shumë aspekte një kopje, sigurisht në një shkallë të zgjeruar, i diktaturës së Slobodan Millosheviçit. Në një kontekst të tillë, fuqitë perëndimore, të angazhuara pa dëshirë në shumë fronte, dhe në grahmat e një krize identitare gjithnjë e më përçarëse, kërkuan pikërisht tek Serbia e Vuçiç një bashkëbisedues të aftë për të ndërmjetësuar midis ambicieve të Moskës dhe atyre të Banja Lukës (kryeqyteti aktual i Republika Srpska).

Mjerisht, siç ndodh shpesh, një konceptim i vjetruar i real-politikës, e ka favorizuar ngritjen e liderëve autoritarë, duke krijuar kushtet për shpërthimin e konflikteve të ardhshme. Gjatë krizës diplomatike të lartpërmendur mes Serbisë dhe Kosovës, e cila shpërtheu në mesin e vitit të kaluar, Sekretari Amerikan i Shtetit Entoni Blinken ndërhyri duke ia ngarkuar përgjegjësinë për përplasjet autoriteteve kosovare, dhe duke e ftuar Prishtinën të tërhiqej.

Me këtë qëndrim, Shtëpia e Bardhë miratoi në fakt tezat e Beogradit, sipas të cilave administratat e udhëhequra nga shqiptarët në veri të vendit nuk kanë legjitimitet, duke krijuar një precedent të rrezikshëm, dhe duke i dhënë qeverisë serbe alibinë për provokime të reja në të ardhmen.

Politologu Jasmin Mujanoviç, paralajmëroi kohë më parë kancelaritë perëndimore kundër ndjekjes me çdo kusht së një stabiliteti të supozuar (dhe iluzor), në dëm të perspektivës së demokratizimit të rajonit të Ballkanit. Në një artikull spikatur për New Lines Magazine, ai kritikoi qëndrimin e Perëndimit për të favorizuar “kompromisin me elitat në vend të kërkimit të përgjegjësisë, tolerimin e tendencave jo-liberale mbi demokracinë, dhe për qëndrimet e zbutura në vend të këmbënguljes për vazhdimin e reformave”.

Tubimi nacionalist në Beograd fundjavës që shkoi, nuk ka nxitur deri më sot asnjë reagim tek kancelaritë evropiane, për shkak të çështjeve të tjera të rëndësishme siç janë zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Ndërkohë Uashingtoni ka shumë fronte të hapura, dhe zgjedhjet presidenciale të nëntorit po paralizojnë çdo nismë ndërkombëtare të administratës Biden.

Por nëse lihet e patrazuar në kursin e saj, historia tenton që të përsërisë vetveten, dhe jo domosdoshmërisht si një farsë. Dodik njoftoi se deri në fund të këtij muaji do t’u ofrojë homologëve të tij muslimanë dhe kroatë një marrëveshje për shpërbërjen paqësore të Bosnje Hercegovinës, e cila do të përmbajë gjithashtu një denoncim të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Fantazma e Ballkanit po përndjek sërish një Evropë të shpërqendruar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit