5.5 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Apeli i mjekut/ Pse paniku do na lëndojë më shumë se sa sëmundja e Koronavirusit

Më të lexuarat

Zbuteni frikën përmes arsyes, panikun përmes durimit dhe pasigurinë përmes edukimit. Fakte, jo frikë! Duar të pastra! Zemra të hapura.

Një postim nga një ekspert i sëmundjeve infektive është bërë viral në Internet, teksa paralajmëron se reagimet e ekzagjeruara të njerëzve për përhapjen e koronavirusit, mund të bëjnë më shumë dëme sesa vetë sëmundja. Abdu Sharkawy, mjek dhe ekspert në Universitetin e Torontos në Kanada, shkroi të premten vonë se sëmundja është me të vërtetë e rrezikshme, por masat e marra në disa raste po rezultojnë edhe më keq. Postimi i tij, i cili është ndarë rreth 310,000 herë, sulmon “spiralen magjepsëse të panikut” që e vëren në të gjithë botën, ndërsa numri i rasteve rritet.

Ja postimi i tij i plotë:

“Unë jam mjek dhe specialist i sëmundjeve infektive. Kam qenë në këtë detyrë për më shumë se 20 vjet, duke ndjekur përditë pacientë të sëmurë. Kam punuar në spitalet e qendrës së qytetit, por edhe në lagjet më të varfra të Afrikës. HIV-SIDA, Hepatiti, TB, SARS, Fruthi, Shingles, Difteria … ka shumë pak sëmundje, ndaj të cilave nuk jam ekspozuar në profesionin tim. Dhe me përjashtim të SARS-it, shumë pak më kanë lënë të ndihem i brishtë, i tronditur apo tërësisht i frikësuar.

Unë nuk kam frikë nga Covid-19. Jam i shqetësuar për pasojat e një agjenti të ri infektues, që është përhapur në të gjithë botën dhe vazhdon të gjejë shtigje të reja, në terrene të ndryshme. Me të drejtë jam i shqetësuar për mirëqenien e atyre që janë të moshuar, në gjendje të dobët shëndetësore ose pa ndihmë, të cilët vuajnë më së shumti, dhe në mënyrë disproporcionale, në duart e këtij ndëshkimi të ri. Por, unë nuk kam frikë nga Covid-19.

Ajo që më frikëson është humbja e arsyes dhe vala e frikës, që i ka shtyrë masat e shoqërisë në një spirale magjepsëse paniku, duke magazinuar sasi të pazakontë nga çdo gjë, që do të mund të mbushte mjaftueshëm një vendstrehim bombardimesh, në një botë post-apokaliptike. Jam i trembur nga maskat N95 që vidhen në spitale dhe urgjenca, ku në fakt nevojiten më shumë për ofruesit e shërbimeve mjekësore në vijën e parë të frontit, dhe në vend të kësaj jepen në aeroporte, qendra tregtare dhe kafene, duke shkaktuar edhe më shumë frikën dhe dyshimet e të tjerëve.

Mua më tremb fakti që spitalet tona do të tejmbushen me njerëz që mendojnë se “ndoshta nuk e kanë virusin, por sido që të jetë le të kontrollohen një herë, sepse ku i dihet…”, ndërkohë që të tjerë që kanë probleme me zemrën, emfizemë, pneumoni, apo stroke do të paguajnë çmimin e Urgjencave të mbushura plot, ndërkohë që numri i doktorëve dhe infermierëve është i kufizuar.

Unë kam frikë se kufizimet e udhëtimit do të zgjerohen kaq shumë, saqë martesat do të anulohen, ceremonitë e diplomimit do të zbrazen dhe takimet familjare nuk do të materializohen. Edhe ajo festë e madhe që quhet Lojërat Olimpike… edhe ajo mund të anulohet. A mund ta imagjinoni?Kam frikë se këto frikëra për epideminë do të kufizojnë tregtinë, dëmtojnë partneritetet në shumë sektorë, do të dëmtojnë bizneset dhe do të arrijnë kulmin te një recesion global.Por mbi të gjitha, kam frikë për mesazhin që po u përcjellim fëmijëve tanë, kur përballen me një rrezik. Në vend të arsyes, racionalitetit, mendjes së hapur dhe altruizmit, po u themi që të panikosen, të kenë frikë, të jenë dyshues, reagues dhe egoistë.Covid-19 nuk ka ikur dhe nuk do të ikë së shpejti. Ai do të vijë në një qytet, një spital, një mik, madje edhe një pjesëtar familje pranë jush, në një moment. Priteni. Mjaft pritët që të befasoheni më tutje. Fakti është që vetë virusi nuk do të bëjë aq dëm kur të vijë. Por vetë sjelljet tona dhe qasja “lufto mbi të gjitha për vete”, mund të rezultojë shkatërrimtare.

Ju lutem të gjithëve. Zbuteni frikën përmes arsyes, panikun përmes durimit dhe pasigurinë përmes edukimit. Kemi një shans për të mësuar shumë mbi higjienën shëndetësore dhe për të kufizuar përhapjen e sëmundjeve të shumta të transmetueshme në shoqërinë tonë. Le ta përballojmë këtë sfidë së bashku, në frymën më të mirë të dhembshurisë, durimit dhe mbi të gjitha, një përpjekjeje të pandalshme për të kërkuar të vërtetën, faktet dhe dijen përballë hamendësimit, spekulimit dhe katastrofizimit.Fakte, jo frikë! Duar të pastra! Zemra të hapura.

Fëmijët tanë do të na falënderojnë!”.

Abdu Sharkawy

Dhjetë këshillat e mjekut Tritan Kalo

Hyrja në skemën e mikroorganizmave, sëmundje shkaktuese me impakt shumë të madh shtrirjeje dhe lëndimesh të jetëve njerëzore sikundër ishte Novel-Coronavirus/Covid-19/Sars-Cov-2, është bërë epiqendra e lajmeve vizive e të shkruajtura, si dhe e diskutimeve tona të përditshme profesionale apo jo….Një rol jo të pakët në këtë drejtim kanë luajtur edhe lajmet jo të mirëbazuara, të bëra nga mosdija apo keqdashësija, por që gjithqysh kanë ndikuar në shtimin e shkallës së ankthit e të panikut në shoqërinë tonë…..parësore në përballjen me këtë sëmundje mbeten këshillat për

  • HIGJIENËN personale (larja e duarve shpesh dhe jo më pak se 20-30 sekonda) dhe atë kolektive,
  • MOSGRUMBULLIMI jo i domosdoshëm në mjediset publike e në të tjera mjedise,
  • PËRKUJDESI për “higjienën e të teshtiturës dhe të kolliturës”,
  • RUAJTJA e njomësisë së fytit me pirje të herëpashershme të sasive të vogla uji,
  • USHQIMI i variueshëm, kuptohet edhe sipas mundësive financiare, i pasur me vitamina C, D, A,
  • Të PATURIT në vëmendje e mosfrekuentimit të shkollave, e qendrave të punës në rast shenjash klinike gripngjasuese (teshtitje, kollë, dhimbje koke, temperaturë),
  • VETIZOLIMI 14-ditor për personat që vinë nga vende të prekura dhe me raste të transmetimit komunitar të sëmundjes, harta e të cilave është zgjeruar që nga Kina e deri në Itali,
  • KONTAKTIMI me Shërbimin e Urgjencës Kombëtare me numrin 127, NËSE ai/ajo ka shenja të tilla si temperatura, teshtitje e kollë, vështirësi në frymëmarrje, dhe mos ardhja direkte në spital,
  • KUJDESI ndaj individëve mbi 65 vjeç dhe ndaj mjekimit të rregullt të sëmundjeve kronike që shumë prej tyre kanë: sëmundje kronike të zemrës, të veshkave, të mëlçisë, të mushkërive (sidomos të sëmurët me SPOK), të kyçeve etj., si grupi më i rrezikuar për të bërë ndërlikime në rast infektimi nga Covid-19/Sars-Cov-2,
  • VETËKONTROLLI e mos panikimi për një situatë detyrimisht kalimtare të kërcënimit epidemiologjik të popullatës…Nuk ka asnjë fshehje të realitetit dhe gjithkush do të vihet në dijeni, që më rastin më të parë të izolimit të këtij shkaktari në Shqipëri….Të mos harrojmë se ndërkohë që Covid-19/Sars-Cov-2 ka marrë jetët e mbi 3600 individëve, në të njëjtin hark kohor në mbarë botën janë humbur jetët e miliona të tjerëve nga të tjera sëmundje apo arsye: duhani ka vrarë mbi 8.000.000 individë, gripi stinor mbi 500.000 të tjerë, aksidentet kanë vrarë mbi 55.000.0000, nga AIDS kanë humbur jetën mbi 770.000 vetë, nga malaria mbi 450.000 të tjerë ( në çdo 2 minuta humb jetën një fëmijë nga kjo sëmundje)…..BETEJA për jetën është e përminutshme dhe fitimtar në të dalin kurdoherë mendjekthjellëtit, vullnetplotët dhe zemërbardhët…..së bashku do të mundemi t’ia dalim mbanë përsëri edhe betejës ndaj Covid-19/Sars-Cov-2…
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit