16.1 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Analizë nga Haaretz: Terrori në Barcelonë, pse spanjollët nuk pranojnë fajësimin e komunitetit musliman në vend

Më të lexuarat

Asaj çka ngjau së fundi në Barcelonë, një sulmi terrorist që la të vdekur 14 persona e plagosi rreth 100 të tjerë, i ka kushtuar një shkrim të zgjeruar dhe prestigjozja izraelite Haaretz. Sipas saj, nuk ka gjasë që në Spanjë sulme të tilla të lidhen me komunitetin  musliman të atyshëm. Dhe ja arsyet….   

Një ditë pas sulmit terrorist në Barcelonë, dhjetëra-mijëra vendas dhe turistë vërshuan në qendër të qytetit. Një vargan makinash qeveritare eci mes turmës. Nga njëra prej automjeteve doli mbreti dhe kryeministri spanjoll, të cilët u shoqëruan nga presidenti rajonal katalanas për një tubim përkujtimor. Ata qëndronin në rreshtin e parë duke mbajtur kokën të ulur në një çast heshtjeje. Heshtja e plotë mbretëronte kështu në një nga vendet më të populluara në Spanjë, derisa për një moment u ndërpre nga duartrokitjet. Menjëherë pas kësaj, masa e njerëzve nisën të ecnin drejt Las Ramblas, vendit të sulmit, duke kënduar gjatë gjithë kohës. Përpjekja për të përçuar ndjenjën e unitetit ishte e dukshme. Ndërsa përpjekjet sporadike nga ana e disa kokënxehtëve për të fajësuar banorët muslimanë u ballafaqua me kundërshtim të vendosur.

Një burrë u përpoq që të ngrinte një flamur spanjoll dhe të bënte thirrje që Spanja të mbyllte kufijtë e saj. Qytetarët morën flamurin dhe policia kërkoi që ai të largohej. “Ne duhet t’i tregojmë pjesës tjetër të njerëzve të shëndetshëm në botë që nuk kemi frikë, se do të fitojmë për shkak të dashurisë që kemi për qeniet njerëzore”, tha një person.

Për dallim prej Britanisë dhe Francës, Spanja nuk ka lagje me shumicë muslimane, as tokë pjellore për ekstremistët fetarë. Muslimanët e vendit janë integruar mirë dhe shumë prej tyre shërbejnë në polici dhe forca të tjera të sigurisë. Dhe për dallim nga vendet e tjera që kanë përjetuar terrorin, Spanja nuk i identifikoi terroristët me komunitetin musliman lokal.

Natyrisht, sulmet ishin tema kryesore e vëmendjes së publikut gjatë fundjavës, por kur i pyet njerëzit në Barcelonë se për çfarë shqetësohen më tepër, ata flasin për ekonominë. Spanja është ekonomia e pestë më e madhe në Evropë dhe tërheq rreth 75 milionë turistë në vit, kryesisht në Barcelonë. Në vitet e fundit, Spanja ka shënuar një rritje të papunësisë, e cila në vitin 2013 arriti një nivel të lartë prej 26 për qind. Por kohët e fundit ekonomia duket të jetë në rimëkëmbje dhe kështu shqetësimet nuk janë aq shumë për vetë sulmet terroriste, por mbi atë se çfarë ndikimi do të kenë ato për ekonominë dhe në veçanti për turizmin.

Kjo është edhe arsyeja që të premten në mëngjes, kryebashkiakja Ada Colau u pa duke ecur midis tezgave dhe dyqaneve në Las Ramblas. Tregtarët kërkuan nga ajo që të bënte gjithçka që është mundshme për të ruajtur paqen dhe qetësinë dhe për të lejuar kthimin e turizmit. Ajo premtoi të hapë tregun dhe e mbajti premtimin. Policia patrullon zonën për të shtuar ndjenjën e sigurisë. “Barcelona pësoi një goditje shumë të rëndë, por është një qytet i fortë dhe ne do të dimë se si të merremi me të”, thotë ajo për Haaretz.

Të premten mbrëma, pas tubimit, turmat u kthyen në qendër të qytetit. Tregtarët në rrugën ku ndodhi sulmi shisnin qirinj dhe lule përkujtimore për një lëmoshë. Brenda disa minutave, skena e sulmit u bë një memorial i madh. Njerëzit sollën sende personale, kukulla, bluza dhe letra. Në dritaret e dyqaneve, vizatime të reja nga fëmijët pyesnin “Përse?”

Alcanar

Qyteti turistik Alcanar, rreth 200 kilometra në jug të Barcelonës, është një destinacion pushimi veror për shumë barcelonas. “Është parajsë këtu”, thotë Rafaeli, një banor lokal që u tregon gazetarëve shtëpinë e dyshuar të të paktën njërit nga terroristëve. “Është shumë qetë, shumë bukur. Njerëzit vijnë këtu për pushim dhe ushqim të mirë”, shtoi ai. “Këta janë njerëz që vetëm duan të sjellin frikë, por nuk do të kenë sukses”, tha ai duke iu referuar terroristëve.

Paralajmërimet e intelegjencës

Në hyrje të Alcanar-it, zyrtarët e policisë kontrollojnë secilin automjet, ndërsa njësia për çminim mbledhin bombolat e gazit të cilat celulat terroriste kishin grumbulluar për të përgatitur një bombë. Rruga për në shtëpinë e terroristëve u bllokua nga policia; vetëm mediat u lejuan të kalonin brenda.

“Të mërkurën mbrëma ndodhi një shpërthim i madh,” thotë një fqinj, duke shtuar: “mendova se ishte nga hoteli apo një kamion, por kishte shumë tym nga shtëpia aty pranë dhe kuptuam se kishte një shpërthim që shkatërroi shtëpinë. Pesëmbëdhjetë minuta më vonë erdhën policët, zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore. Ishte kaos total”, thotë ajo.

Fakti që shërbimet e sigurimit të Spanjës nuk kishin ndonjë informacion konkret përpara sulmit, ngriti edhe një herë çështjen se si të identifikohen të dyshuarit e mundshëm, mes tjerash duke monitoruar mediat sociale.

“Po pranojmë një numër të madh paralajmërimesh gjatë gjithë kohës në nivele të ndryshme”, thotë një oficer i lartë i policisë në një intervistë me median spanjolle. “Nganjëherë nuk mund të merremi me të gjitha rastet dhe të gjitha informatat që vijnë. Ne kemi 400 njerëz në radar për të cilët kemi informacione. Ka emra që i marrim nga vendet e afërta si Maroku. Ne jemi duke investuar shumë në cilësinë e inteligjencës në mënyrë që të mund të jemi shumë më të fokusuar”, tha ai.

Spanja, ashtu si pjesa tjetër e Evropës, e kuptoi se duhet të ndryshojë idetë e saj për mbledhjen e inteligjencës. Sulmet ndaj trenit në Madrid në vitin 2004 drejtoheshin dhe financoheshin nga Al Kaida, ndërsa vitet e fundit, si në Izrael, autorët janë “ujqër të vetmuar” ose grupe të vogla, të nxitura nga postimet në mediat sociale.

Por në Spanjë, njëjtë si në Francë, është e vështirë të ndjekësh penalisht individët për postime në rrjetet sociale. Për më tepër, autoritetet janë në mosmarrëveshje me Facebook, Tëitter dhe mediat e tjera sociale mbi shkallën e përgjegjësisë së tyre për postimet e përdoruesve të tyre. Kompanitë thonë se meqenëse nuk krijojnë përmbajtje, ata nuk janë përgjegjës për zgjidhjen e problemit.

 

Lidhjet e dobëta

Që nga sulmet e vitit 2004, Spanja ka përmirësuar aparatin e saj të sigurisë dhe mbikqyrjen e saj ndaj të dyshuarve të mundshëm. Është krijuar një agjenci e veçantë për të mbledhur informacione për të dyshuarit. Kjo agjenci, me 3.000 punonjës, e cila pas sulmeve në Francë punësoi 600 persona, kryeson përpjekjet e sigurisë spanjolle.

Spanjollët shohin dy pika të dobëta përmes të cilave terroristët mund të hyjnë në vend, Ceuta dhe Melilla, të dy qytetet autonome spanjolle në Marok. Që nga viti 2005, ata janë bërë stacion tranzit për emigrantët nga Afrika në Evropë. Disa vjet më parë, Spanja dhe Maroku nënshkruan një marrëveshje për të ndaluar imigracionin e paligjshëm, por marrëveshja nuk është zbatuar dhe përmes kësaj zone të kalimit ekstremistët hyjnë në kontinent. Sipas vlerësimeve të Spanjës, rreth 400 vetë janë nën vëzhgim në Ceuta dhe Melilla. Një nga terroristët që morën pjesë në sulmet e të enjtes ishte banor i Melillasë dhe në Spanjë janë përsëritur thirrjet për zbatimin e ligjeve të emigracionit.

Përveç kësaj, sipas vlerësimeve nga zyrtarët e inteligjencës në Spanjë të raportuara në mediat spanjolle, vitet e fundit 200 deri në 450 qytetarë spanjollë kanë shkuar në Siri dhe Irak. Disa, frikësohen ata, mund të kthehen kur të bjerë ISIS-i.

Në total, ka rreth 1.000 njerëz të cilët ndodhen nën njëfarë niveli të vëzhgimit nga forcat spanjolle të sigurisë. Procedurat ligjore janë nisur kundër rreth gjysmës së tyre. Duke pasur parasysh këtë situatë, një zyrtar i lartë i sigurisë spanjolle tha këtë javë se ekziston rreziku që edhe një sulm tjetër mund të ndodhë në çdo kohë, kudo.

Përgatiti: Jeton Zenuni – /tesheshi.com/  

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit