16.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Ana tjetër, dhe më e rëndësishme, e protestës së Teatrit Kombëtar

Më të lexuarat

Fitim Zekthi

Duket se qeveria shqiptare do t’i shkojë deri në fund projektit të saj për ta prishuar ndërtesën e Teatrit Kombëtar. Është në natyrën e qeverive të tilla, autoritariste, që duan t’i japin shijen e tyre ndërtesave, qytetit, jetës së njerëzve, deri edhe mënyrës se si vishen apo çfarë ata besojnë ata.

Veç kësaj qeveria të tilla duke qenë se përfshihen thellë nga korrupsioni, pa të cilin nuk do të ngrihej autoritarizmi, e përdorin këtë natyrë të tyren edhe për të ushqyer korrupsionin. Kështu që prishja e Teatrit Kombëtar do të jetë një përpjekje e pandalshme e qeverisë dhe e kryeministrit shqiptar.

Kjo përpjekje e nisur rreth një vit e gjysmë më parë nga qeveria, u përball me një protestë nga më të veçantat e zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri. Çfarëdo që të ndodhë me ndërtesën e Teatrit, me prishjen e saj apo jo, madje çfarë do që të ndodhë me Shqipërinë, me rënien apo jo të saj në një skllavërim të gjatë autoritarist, protesta e zhvilluar në këtë një vit e gjysëm tek oborri i Teatrit do të mbahet dhe duhet të mbahet mend si diçka sublime.

Në këtë protestë një grup artistësh të këtij Teatri, por edhe të artistë të tjerë, regjisorë, aktorë etj., u bënë dëshmi e diçkaje të madhe, u bënë dëshmi e faktit se çfarëdo kohe të jetojmë, gjithnjë ka njerëz që do të mbeten ndërgjegjia e shoqërisë apo e komunitetit, do të mbeten njerëz që në çdo rrethanë të përkufizuar ekstremisht nga materialja, ata do të ruajnë diçka metafizike ose shumëçka metafizike. Historia e botës ka treguar se sa kohë të ketë njerëz të tillë, qoftë edhe një i vetëm, ajo që ai bart do të mbesë aty si burim shprese.

Në fillim protestës iu bashkuan shumë artistë, regjisorë, aktorë si Robert Ndrenika, Arben Derhemi, Alfred Trebicka, Bujar Asqeriu etj. Në fillim u duk se protesta do të bëhej edhe më e fuqishme duke u u rritur edhe në numër.

Pushteti, qeveritë autoritariste dhe të korruptuara gjithnjë në histori kanë përdorur, kanë kërcënuar, kanë blerë, kanë joshur artistë. Artistët për natyrë i përkasin një kategorie njerëzore më të brishtë, më delikate, më narcisiste, joshen më lehtë, hyjnë më kollaj në lojëra pushteti, se sa kategori të tjera njerëzore si për shembull shkencëtarët, ushtarakët, klerikët etj. Padyshim që ka artistë që nuk i dorëzohen apo nuk i nënshtrohen pushtetit dhe bota ka njohur shumë të tillë, siç ka shumë ushtarakë apo shkencëtarë dhe klerikë që i janë nënshtruar pushtetit por një lloj shpërpjestimi mes artistëve dhe këtyre kategorive është vënë re gjithnjë.

Duke qenë kështu, kur artistët i rezistojnë pushtetit, bëhen ndërgjegje e shoqërisë dhe bartëse e vlerave më të mira, atëherë kjo është një gjë shumë e lartë. Duhet thënë se një pjesë e madhe aktorësh dhe regjisorësh, as që dolën ndonjë ditë kundër prishjes së Teatrit, por u bënë shërbëtorë të ulët pushteti dhe majde disa prej tyre dolën në takime apo në krah të kryetarit të Bashkisë dhe të kryeministrit. Edhe këtë gjë bota e ka njohur. Ka patur aktorë apo shkrimtarë që kanë spiunuar dhe futur në burg aktorë dhe shkrimtarë të tjerë.

Pra, si pasojë e mënyrës se si pushteti u përpoq ta shuajë protestën te Teatri, Ndrenika, Trebicka, Asqeriu dhe shumë e shumë të tjerë, u tërhoqën. Rrugës, protestës iu bashkuan artistë të tjerë nga të cilët disa, nën përpjekjet e pushtetit u tërhoqën edhe ata. Nga fillimi deri në fund në protestë ka mbetur një bërthamë të cilëve shoqëria u detyrohet vërtet, edhe sikur prishja e Teatrit të jetë një gjë e drejtë, edhe sikur kauza e tyre të jetë e gabuar, (gjë që nuk është absolutisht).

Robert Budina, Neritan Liçaj, Kastriot Çipi, Rudi Erebara, Alert Çeloaliaj, Taulanda Jupi, Kiço Londo (duhet theksuar fakti që ky regjisor është drejtor i Teatrit Eksperimtal dhe nuk var bindjen e tij nga kjo gjë), Edmond Budina, Mehdi Malkaj, Sokol Angjeli, skenografi Bashkim Zahaj etj., etj., (ndjesë për pamundësinë për t’i përmendur të gjithë) kanë bërë vërtet diçka sublime. Ata nuk ikën rrugës, por rrugës u bënë edhe më të fortë. Të gjithë janë të kërcënuar. Kastriot Çipi dhe Robert Budina, madje u sulmuan edhe me shpifje të poshtra nga kryetari i Bashkisë. Shoqëritë do të ishin zhdukur pa sublimime.

Në kimi sublimimi është procesi i pastrimit të një gjëje duke e avulluar atë me qëllim largimin e papastërtive dhe më pas ftohja e saj. I përdorur herët në alkimi ky proces synonte të kthente hekurin në ar, gjë që është e pamundur. Ndërsa shoqëritë, me sublimim kanë nënkuptuar gjithnjë mbylljen me kapak të pahapshëm të dëshirave që e shkatërrojnë atë dhe zëvendësimin e tyre me vlera të larta që e purifikojë atë dhe e bëjnë atë të jetojë gjithnjë.

Kur bota po hynte dhunshëm në një periudhë të re, atë të modernitetit, sublimimi mori për shoqëritë një kuptim edhe më të gjerë. Jean Jacque Rousseau e pa sublimimin si gjënë e vetme që mund t’i bënte njerëzit të jetonin dhe t’u jepnin kuptim gjërave. Ai e përdori atë gjerësisht në teoritë e tij mbi edukimin dhe shoqërinë. Ai përdori termin rafinim (pastrim, purifikim) me anë të të cilit iu atribuohej kuptim universal përvojave njerëzore duke i bërë ato të vlefshme. Për të, shoqëritë duhet të sublimonin disa përvoja në mënyrë që të mbijetonin, përndryshe nuk ekzistonte asnjë mënyrë tjetër për të gjetur shpjegim me kuptim për jetën tonë të përditshme.

Pikërisht këtë gjë kanë bërë ata që kanë mbi një vit e gjysëm që protestojnë te Teatri. Ata, ndonëse pak, i kanë treguar shoqërisë se, këto akte, ky përkushtim i përket kategorisë që i bën shoqëritë t’i japin kuptim ekzistencës së tyre. Në të kundërt, në qoftë se të gjithë do të bëjnë atë që do autoristaristi, atë që do pushteti, atëherë shumë shpejt do të mbërrijmë në totalitarizëm, do të zhduket çdo dallim në veshje, dije, shije, kuptim të botës dhe ligjit, kuptim të jetës dhe fesë, kuptim të artit dhe qytetit dhe do të jetojmë në “fermën e kafshëve”. Kushdo ka përgjegjësinë morale të jetë në anën e tyre. Në fund të fundit, dallimet bëhen mbi akte si këto.

Vetëm për kaq ajo protestë ia ka vlejtur dhe vetëm për kaq ata artistë duhet të nderohen.

Sigurisht, në protestë ka patur edhe qytetarë, edhe aktivistë të shoqërisë civile dhe të gjithë kanë një rol dhe një vlerë në të, por ata i përkasin një kategorie tjetër dhe vijnë nga pozicione shumë më pak sublimuese.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit