Albin Kurti: Duhet ta forcojmë Vetëvendosjen si opozitë në Prishtinë

0
21

Kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i ka mbetur hatri fort në kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili javë më parë dha dorëheqje nga partia që drejton ai.

Në një tubim me anëtarë dhe simpatizantë, të qendrës së Prishtinës, Kurti ua ka faturuar të gjitha sukseset në mandatin e kaluar në Prishtinë vetëm atyre që i qëndruan besnik partisë së tij, por jo edhe atyre që u larguan nga Vetëvendosje, duke përfshirë edhe Shpend Ahmetin.

Kreu i VV-së, Albin Kurti, tha se mund të jetë befasuar me ndonjë individë, por jo me Lëvizjen Vetëvendosje dhe aktivistët e saj. Madje, edhe pse nuk e përmend ndarjen, ai thotë se partia e tij do të dyfishohet në Prishtinë brenda vitit 2018.

“Arbeni ka qenë pjesë e një ekipi që me sakrificë e shumë punë sollën ndryshime të mëdha në Prishtinë, ekip ku përfshihet Liburn Aliu, i cili vendosi standard e rregull në planin urban të Prishtinës, Hysen Durmishi i cili shtroi me qindra kilometra rrugë e trotuare në lagje e fshatra. Arbërie Nagavci e cila vendos standardin e vlerësimit profesional të mësuesve dhe eliminimin e punësimit me të njohshëm në shkolla. Xhelal Sveçla e Salih Zyba të cilët në krye të inspektoriatit zmbrapsën mafian ndërtimore dhe vendosen zbatimin e ligjit në subjektet afariste. Nora Kelmendi me punën e saj të palodhshme dhe pa kompromis në drejtorinë e kadastrës. Saranda Bogujevci e cila ia ka hapur derën artistëve dhe Fitore Pacolli e cila ka drejtuar kabinetin e kryetarit duke koordinuar projektet mes drejtorive. Këta emra kanë marrë lëvdata të mëdha dhe kanë qenë fytyra e suksesit në mandatin e parë të fituar nga VV në Prishtinë”, theksoi Kurti, raporton KP.

Lideri i VV-së, ka ftuar të gjithë aktivistët që ta forcojnë Qendrën e Vetëvendosjes në Prishtinë. Por për ta bërë këtë, Kurti u ka thënë qytetarëve dhe simpatizantëve se për ta bërë qendrën me të madhe duhet të nisë nga pika.

Sipas tij, pikat duhet t’i mësojnë se cilat janë problemet e banorëve të lagjeve edhe si komunitet, rrugë, trotuare, parqe, lulishte, terrene sportive, shkolla, por edhe për probleme sociale.

“Duhet ta forcojmë Vetëvendosjen si opozitë që ta sjellim nesër në pushtet. Prishtina është kryeqyteti i Kosovës, këtu janë shumica e institucioneve qendrore, këtu jetojnë shumica e pushtetarëve abuziv, hajnat, kriminelët, ata që na vjedhin me supermarketet e mbushura përplot me importe të rrezikshme për shëndetin tonë personal por edhe për shëndetin e ekonomisë sonë kombëtare. Prandaj në Prishtinë edhe ushtrohet veprimtaria jonë politike”, tha Kurti.

Madje, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, theksoi se ndihmën që qytetarit nuk ia jep shtetit i djathë e i kapur, duhet t’ia jap Vetëvendosje me humanitetin e saj.

Ndërsa, koordinatori i Qendrës së Prishtinës, Arben Vitia, i cili u emërua në këtë pozitë deri në zgjedhjet e brendshme të kësaj partie, tha se qendra e Prishtinës, falë aktivistëve di të fitojë dhe ajo ka fituar edhe në vitin 2017 pavarësisht se kundër VV-së u rreshtuan në një koalicion të gjithë të tjerët.

Megjithatë, Vitia shtoi se tani do të kenë sfida më të mëdha për t’i zbatuar premtimet e dhëna në fushatën elektorale, porse me vendosmëri do t’i zbatojnë ato.

Pavarësisht ndarjes, Vitia para shumë aktivistëve e simpatizantëve ka thënë se problemet që u janë shkaktuar, nuk i kanë dëmtuar.

“Tani sfida të reja na presin, edhe pse ne e kemi fituar Prishtinën me sakrifica të mëdha, me shumë punë vullnetare me mijëra aktivistë edhe pse qytetarët u shprehen me shumicë, ata qëndronin pas programit dhe ideve të VV-së, pjesa e pushtetit që ka marrë Lëvizja është më e vogël. Përballë këtyre situatave të reja ne duhet të organizohemi maksimalisht në teren në pika dhe në qendrën këtu. Simpatinë që na e dha vota duhet ta përkthejmë në strukturë. Vetëm me një strukturë të fortë ne do të bëjmë të mundur arritjen e synimeve tona politike. Me një strukturë solide, të mirë organizuar ne do të imponojmë zbatimin e programit tonë për Prishtinën. E për këtë na presin sfida, e mbi të gjitha punë, në mënyrë që ta forcojmë akoma me shumë organizatën”, tha Vitia.

Vitia është shprehur se ata janë për një Prishtinë që e do qytetarin, një Prishtinë që e donë punën dhe se do t’i përmbushin deri në fund premtimet e tyre.

Ai ka pasur edhe një kërkesë për aktivistët dhe simpatizantët, të mos e shohin si koordinator, por si bashkëpunëtor, aktivist e mik e tyre.

Vitia është drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi në komunën e Prishtinës, ani pse kryetari Shpend Ahmeti më nuk është anëtarë i Vetëvendosjes, pasi ka dhënë dorëheqje.