Agjërimi: Shtyllë e Islamit

0
101

Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Lavdia i takon Allahut. Salavatet dhe selamet qofshin mbi Muhamedin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.
Muaji i Ramazanit, muaj i lartësimit shpirtëror, muaj i afrimit dhe i manifestimit të unitetit, muaj i udhërrëfimit dhe i mëshirës, muaj i edukimit dhe i vetëmposhtjes, muaj i lirisë dhe i vëllazërisë.
Udhëtari bën përgatitjet e duhura për udhëtim, punëtori aftësohet për të zotëruar zanatin a profesionin ashtu si edhe muslimanët përgatiten për këtë muaj.
Nisur nga kjo, menduam t’i përmbledhim disa rregulla themelore mbi rëndësinë e Ramazanit dhe t’ua prezantojmë besimtarëve agjërues, që ky ibadeti të jetë më i pranuar tek Allahu xh.sh..

Përkufizimi
Agjërimi është përmbajtje (imsak) nga çka do që e prish atë, në kohën prej agimit të dytë deri në perëndim të diellit të ditës që agjërohet.

Obligueshmëria e agjërimit
Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (El-Bekare, 183)
Muhamedi alejhi selam ka thënë: “Islami u ngrit mbi pesë shtylla: Dëshmisë se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguar i Tij, faljes së namazit, dhënies së zekatit, agjërimit të Ramazanit, haxhit për atë që ka mundësi.” (Hadith)
Konsensusi i dijetarëve islamë është se agjërimi është i obligueshëm.

Vlera e agjërimit
Muhamedi alejhi selam ka thënë: “Pesë namazet, prej xhumasë në xhuma dhe prej Ramazanit në Ramazan falen (mëkatet), pos atyre që janë të mëdha (kebair).” (Hadith)
Muhamedi alejhi selam ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin me bindje dhe shpresë në shpërblim, i falen mëkatet e bëra.” (Hadith)
Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Çdo vepër e njeriut shtohet, e mira prej dhjetë deri në shtatëqind herë. Zoti i Madhëruar thotë: “Përveç agjërimit, sepse ai është për Mua dhe unë e shpërblej, sepse ai braktis kënaqësinë dhe ushqimin për Mua. Për agjëruesin ka dy gëzime: gëzimi i parë është në iftar kurse i dyti në takimin me Zotin e tij. Era e keqe nga goja e agjëruesit është më e mirë te Zoti se aroma e miskut. (Hadith)
“Në xhenet ka një derë që quhet Rejjan, nuk hyjnë nga ajo derë përveç agjëruesve. “ (Hadith)
Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin ka filluar zbritja e Kuranit. Allahu xh.sh. thotë: “Muaji i Ramazanit, që në të (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra).” (El-Bekare, 183-185)
Agjërimi është mjet për të shprehur falënderimin ndaj Allahut të Lartësuar. Agjërimi njëherazi është edhe mjet për të fituar virtytet e të devotshmëve, siç e thekson Zoti xh.sh.: “…që të bëheni të devotshëm.” (Bekare, 183), që nënkupton çdo gjë të mirë që e do Zoti e që për të falënderohet njeriu në këtë botë.
Agjërimi nuk është adet, por adhurim (ibadet) për kontrollimin e epshit dhe forcimin e trupit. Preferohet që gjatë Ramazanit të shtohet adhurimi, të shtohen namazet, kërkimi i faljes (pendimi) dhe leximi i Kuranit. Gjithashtu, preferohet të jepet më shumë sadaka, të ushqehen të mjerët e të varfrit, të vizitohen fqinjët dhe anëtarët e familjes, të bëhen vepra të vlefshme për shoqërinë dhe të pakësohen veprat e padobishme. Agjërimi të mbron edhe nga morali i keq. Muhamedi alejhi selam thotë: “Agjërimi mbron nga morali i keq, sepse ai që agjëron nuk flet gjëra të turpshme dhe nuk bërtet. Nëse (eventualisht) e shan ndokush ose e sulmon, le të thotë:Unë agjëroj, unë agjëroj. (Hadith)
Në Ramazan ka uri, etje, kufizim dhe ndalim, por edhe shëndet dhe lirim nga robërimi. Në të ka revolucion kundër robërimit të ushqimit e të pirjes, kundër shprehisë e jetës monotone.
Revolucioni kundër robërisë është atributi i parë i të lirëve. Në Ramazan ka abstenim vullnetar nga kënaqësia dhe pikërisht kjo gjë paraqet lirinë. Ti je i lirë në sjelljen fisnike dhe nuk dërgohesh nëpër gjyqe, nuk burgosesh dhe nuk e humb meritën e pozitës. Ti je i lirë në fjalën fisnike, nuk obligohesh të kërkosh falje, nuk qortohesh dhe nuk pendohesh. Ti je i lirë në bashkëpunim me të tjerët, nuk kritikohesh, nuk flitet për tradhtinë tënde dhe nuk je i dyshimtë. Sa e ëmbël është kjo liri!

Kush është i obliguar të agjërojë
Dijetarët islamë janë unanimë se obligimi i agjërimit bie mbi muslimanin e mençur dhe fizikisht të shëndoshë, moshërritur dhe jo udhëtar.
Për femrat gjithashtu është kusht të jenë të pastra nga hajdi (menstruacionet) dhe nifasi (gjendja e lehonisë).  Nuk e kanë obligim agjërimin jobesimtarët, fëmijët, të çmendurit, të sëmurit, udhëtarët, plaku i thyer në moshë dhe i matufosur.

Parimet e agjërimit
Parimet e agjërimit janë: 
1. Hyrja e muajit të Ramazanit në bazë të shikimit të drejtpërdrejtë të Hënës ose të plotësimit të muajit shaban.
2. Largimi nga ngrënia, pirja dhe marrëdhëniet intime prej agimit të mëngjesit deri në perëndim të diellit. 
3. Vendosja (nijeti). Koha e vendosjes së nijetit me zemër është para agimit të mëngjesit; duhet bërë nijet me bindje të plotë për agjërimin e asaj dite.

Këshilla rreth agjërimit
1. Ngritja në syfyr dhe vonimi i tij. Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Çohuni në syfyr, sepse vërtet në syfyr ka bereqet.” (Hadith)
2. Shpejtimi i iftarit. Për agjëruesin është mirë (mustehab) të shpejtojë, të bëjë iftar posa të hyjë koha e tij. Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Njerëzit do të kenë mirësi gjersa ta shpejtojnë iftarin.” (Hadith)
3. Bërja dua para iftarit dhe gjatë agjërimit. Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Agjëruesit nuk i refuzohet duaja që ia bën Allahut gjatë iftarit.” (Hadith)
4. Largimi nga fjalët e panevojshme. Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Nuk është agjërim vetëm të përmbajturit nga ushqimi dhe pija, por edhe nga fjalët e panevojshme, grindjet, e nëse dikush të sulmon ose të fyen, ti thuaj: “Unë jam agjërueshëm, unë jam agjërueshëm.” (Hadith)
5. Bujaria dhe kalimi i kohës në vepra të mira dhe duke lexuar Kuran. Siç transmeton Ibni Abbasi: “I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishte njeriu më bujar, e më bujar ishte në muajin Ramazan… Xhibrili i vinte çdo natë Ramazani për t’ia mësuar Kuranin…” (Hadith)
6. Mësimi i fëmijëve me agjërim.
7. Bërja e iftarit me hurma.
8. Duaja e Muhamedit alejhi selam pasi bënte iftar: “Kaloi etja, u lagën venat dhe u realizua shpërblimi inshallah.” (Hadith)
9. Falja e namazit të teravive.
10. Itikafi në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit.
11. Bërja e umres në Ramazan.
12. Agjërimi i gjashtë ditëve të shevalit pas Ramazanit.

Gjërat që e prishin agjërimin
1. Ngrënia, pirja, marrëdhëniet intime (edhe nëse nuk ejakulon), nëse bëhen me qëllim.
2. Vjellja me qëllim, edhe nëse është në sasi të vogël.
3. Hajdi (menstruacionet) dhe nifasi (lehonia) te gratë.
4. Nxitja me qëllim të ejakulimit (masturbimi).
5. Përcjellja në fyt e guralecëve të vegjël apo paratë e metalta.
6. Pastrimi i veshkave (në dializë).
7. Injeksionet që përmbajnë materie ushqyese dhe infuzionet.
8. Marrja dhe dhënia e gjakut.
9. Dezertimi (ridetu).

Nga gjërat e lartpërmendura që e prishin agjërimin, besimtari duhet t’i kompensojë me agjërim ditët e lëshuara (mjafton vetëm kompensimi), vetëm në rastin e marrëdhënieve intime, ku përveç kompensimit pason edhe ndëshkimi (kefareti). Kefareti arrihet duke liruar një rob, ose duke agjëruar 60 ditë pandërprerë, ose duke ushqyer 60 të varfër.

Gjërat që nuk e prishin agjërimin
1. Marrja e ushqimit dhe e pijeve me harresë apo përdhunisht (me dhunë).
2. Barnat që përdoren në sy dhe në veshë, heqja e dhëmbit dhe pastrimi i varrës.
3. Injeksionet joushqyese (penicilina, vaksinat), por më së mirë është të merren pas iftarit.
4. Përcjellja në fyt e pështymës apo e pluhurit të rrugës ose të miellit.
5. Gazrat që përdor i sëmuri (prej frymëmarrjes) për lehtësimin e frymëmarrjes.
6. Dhënia e gjakut në sasi të vogël për analizë mjekësore.
7. Përdorimi i tabletave nën gjuhë.
8. Përdorimi i ilaçit për pastrimin e fytit (nëse nuk përcillet në fyt).
9. Pastrimi i veshëve, i trupit gjatë ditës, pikat që përdoren në hundë (me kusht që të mos depërtojë në fyt).
10. Kontrollimi mjekësor me aparate të ndryshme që bëhet në stomak dhe në fushën e gjinekologjisë.
11. Pastrimi i dhëmbëve me misvak apo brushë (por duhet pasur kujdes që të mos depërtojë në fyt).
12. Hedhja e ujit në kokë, në rast se ka temperaturë, apo shpëlarja e gojës.
13. Nëse është xhunub, mund të lahet dhe ta vazhdojë agjërimin.
14. Përdorimi i erërave dhe i parfumeve.
15. Dhënia gji fëmijës.
16. Futja e ujit në gojë dhe hundë gjatë marrjes së abdesit, duke pasur kujdes që të mos përcillet në fyt.
17. Dhimbjet e pakta të kokës, flama, kollitjet e lehta.
18. Shijimi i ushqimit me majë të gjuhës.
19. Puthja, përkëdhelja, përqafimi i gruas me kusht të përmbajtjes, që të mos shkaktohet ejakulimi.
20. Përgojimi, rrena, shpifja, mbartja e fjalëve (por këto e pakësojnë vlerën e agjërimit).

Arsyet që lejojnë prishjen e agjërimit
1. Sëmundja.
2. Udhëtimi.
3. Gruaja shtatzënë, nëse frikësohet për veten ose për fëmijën që ka në bark.
4. Gruaja gjidhënëse, nëse frikësohet për veten ose për fëmijën.
5. Përgatitja për luftë për ta ngritur fjalën e Allahut të Lartësuar.
6. Në rast të shpëtimit të ndokujt nga uji ose zjarri.

Përgatiti: Valdet Kamberi