8.7 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

Privatja përballë publikes ose beteja e së përhershmes me zbavitjen dhe konsumin – Agim Baçi

Më të lexuarat

Privatja përballë publikes ose beteja e së përhershmes me zbavitjen dhe konsumin

Agim Baçi

Kohë më parë shpirti dhe mendja duket se ishin brenda së njëjtës “llogari konsumi”. Drejtpeshimi i kësaj llogarie duket se pësoi tronditje disa dekada më parë kur trupi nisi të llogaritet si aktor i rëndësishëm, si mbështetës i prodhimit, si pjesë e gjendjes psikologjike, madje edhe dhe si një strategji politike. Sociologu francez Jean Baudrillard, në librin e tij “Shoqëria e konsumit” (Logos, 2020) tërheq vëmendjen sesi gjithë këto ndryshime erdhën pasi shoqëritë vendosën të vënë shenjën e barazimit mes emancipimit dhe lirisë seksuale. Pra, sipas Baudrillard, “emancipimi” u identifikua si liri seksuale, si lojë, pra një “emancipim” që mbështet hapur sjellje të konsumit dhe degdisjes shoqërore. “Ne u japim femrën femrave për konsum, u japim të rinjtë të rinjve për konsum dhe në këtë emancipim formal dhe narcizik, arrijmë të komplomotojmë çlirimin e tyre real”, thekson Baudrillard në librin e tij, duke parashikuar shumë nga pasojat e kaosit të sotëm të këtij emancipimi formal. Badrulliard shpjegon këtë fenomen me procesin e zëvendësimit të “tregut të lirë” me “tregun monopolist”, që ka ndikuar më pas edhe në transformimin e “ligjit të moralshëm” me “ligjin e konsumit”.

Sipas sociologëve, shoqëria e konsumit e konsideron si një çlirim human udhëheqjen e tregut përmes një “egoizmi të tërbuar” të konsumatorit. Ky proces i parë si çlirim human, në fakt, e kthen konsumatorin në idealin përfundimtar të tanishmërisë, të jetuarit vetëm brenda të sotmes, duke provokuar më së shumti ndjesi desolidarizuese me të tjerët. Dhe një konsumator që e sheh këtë marrëdhënie si proces përfundimtar çlirues rrezikon të mbetet një qenie e vështirë edhe për t’u organizuar në procesin e mbrojtjes së të drejtave shoqërore, apo në procesin e ndryshimeve politike, në revoltën ndaj së padrejtës, pasi për të, të tjerët janë thjesht konsumatorë. Për një njeri të tillë gara nuk është më dallimi etik mes së mirës dhe së keqes, por është vetëm fakti se kush siguron një jetë që matet nga klikimet dhe jo nga të menduarit apo të medituarit.

Fakt shqetësues është vlerësimi i seksuales si konsum, pasi një kalim i tillë në procesin e sotëm të komunikimit ka shkaktuar kaos në konceptet e sotme për familjen dhe të kuptimit të përditshmërinë së shoqërisë sonë. Sipas një prej vëzhgueseve më të mprehta të këtij kaosi shoqëror, akademikes dhe profesoreshës në Filadelfia University, Camille Paglia, çështja ndërlikohet edhe për shkakun se shumica e popullatës nuk e ka të lehtë të rrokë gjithë këtë proces, pasi gjithçka rreth këtij kaosi të familjes dhe të seksualizimit të sferës publike bëhet në emër të vlerave, në emër të kulturës dhe në emër të lirisë. Pra, vështirësia e të kuptuarit nga gjithkush është se seksualizimi shitet nën ambalazhin e “çlirimit human”, ndaj dhe kundërshtitë vijojnë të jenë gjithnjë e më të vakëta edhe në ato kumunitete që janë parë si “të rrepta moralisht”.

Camille Paglia, në librin e saj mjaft polemizues “Personae seksuale”, vëren me kujdes edhe se si agresiviteti, sadizmi, përgjimi pervers i jetës së tjetrit dhe zëvendësimi i erosit me seksualen po rrezikojnë që në rrënjë familjen e njëkohësisht po zhvendosin negativisht debatin mbi mënyrën e të kuptuarit të tjetrit. Paglia sheh si shumë të rrezikshme heqjen e vazhdueshme të kufijve mes gjinive mashkull-femër. Sipas saj, ky zvogëlim apo devijim kufijsh, sidomos zhbërja e përditshme e figurës së mashkullit, është njëkohësisht pasqyra e shtrembëruar e debatit të sotëm në të gjitha shoqëritë. Shqetësimi i saj është ngritur më pas edhe nga dhjetëra studime psikologjike e sociologjike të mjaft akademikëve që kritikojnë mungesën e kreativitetit në shkollat e sotme.

Si përcillet ky debat në Shqipëri?

Disa kohë më parë, në Shqipëri, nëpërmjet një iniciative personale të profesorit të së drejtës, Fabian Zhilla, nisi një debat lidhur me pasojat e seksualizimit të çdo fushe të jetës, e sidomos kthimit të pamjes së femrave vetëm si objekt dëshirash. Por edhe pse në debat u përfshinë përfaqësues të medias dhe opinionistë të ndryshëm, duket se gjithçka mbeti brenda këtij debati, pavarësisht firmave të qytetarëve që u mblodhën për të kundërshtuar seksualizimin e thellë që ka përfshirë shumë spektakle televizive. Debatit i munguan psikologë e sociologë, të cilët nuk u prononcuan se çfarë duhet të bëjmë përballë pasojave që shkakton spektakli dhe seksualizimi i gjithanshëm që ka përfshirë shoqërinë shqiptare.

Në një kohë ku familja gjendet në një krizë shumëdimensionale, ku numri i personave të dhunuar dhe i divorceve vjen në rritje, debati për vendin që zë përhapja e seksualizimit në jetën publike, në media, në rrjete sociale, duhet të paraprinte formulimin e teksteve dhe metodikës mësimore, sidomos në kontaktin që duhet të kenë fëmijët me psikologët nëpër shkolla. Gjithashtu, përmes studimeve duhej të ishte bërë edhe shqyrtimi i teksteve shkollore të gatshme nga kultura të tjera dhe të futura në shkollat shqiptare pa studiuar rrethanat e shoqërisë shqiptare apo duke shpërfillur traditën shqiptare. Mungesa e përkujdesit që tekstet të respektojnë edhe traditën dhe kulturën shqiptare, mund të ndikojnë në krijimin e një fëmijërie të pasigurt e më pas edhe një rinie të dyzuar. Përballë agresivitetit dhe amorales, sidomos nevojës për të lënë mënjanë anonimatin e tyre, rinia e sotme rrezikon të jetë e stolisur vetëm nga nevoja për spektakël që sjell edhe këtë denatyrim të vazhdueshëm.

Përballë këtij kaosi, ku debati ka kohë që nuk synon më të vërtetën, por krijimin e një realiteti të ri që bazohet mbi spektakël, a mund të presim që gjërat të rregullohen vetë? “Nëse mbyllim sytë dhe veshët me duar, nuk do të thotë se kemi ndalur kohën, e aq më pak të keqen…”, shkruan shkrimtari i njohur japonez Haruki Murakami në romanin e tij “Kafka në breg”. Ai përshkruan zhytjen në detin e së keqes të të gjithë atyre që i mbyllin sytë me shpresën se gjithçka kalon pa pasur nevojë që ata vetë të bëjnë diçka për ta larguar të keqen. Është një përshkrim kundër njeriut që vetëm vëzhgon por që nuk guxon, që shtrihet në shtratin e frikës, që mbulohet me një mbulesë ëndërrimesh me shpresën se e keqja ka thjesht një rrugë të shkurtër dhe se atë personalisht “nuk e njeh”. Nëse nuk zgjohemi e nuk debatojmë hapur, me guxim, të paktën për të thënë se çfarë ndodh në këtë vend, heshtja për atë që po ndodh me fëmijët do të vendos vulën e një krize më të madhe për të nesërmen.

A mund t’i shpëtojmë sot fëmijët nga kurthi i zbavitjes dhe i konsumit?
Filozofi dhe psikanalisti i famshëm italian, Umberto Galimberti, prej vitesh ka ngritur alarmin për komunikimin e vështirë që kanë sot prindërit me fëmijët e tyre adoleshentë, kjo sepse nga njëra anë shumë fëmijë kanë një fjalor të mangët për të shpjeguar gjendjen e tyre emocionale dhe nga ana tjetër prindërit mbajnë ende në mendje modelin e edukimit nga etërit e tyre pa mundur të lexojnë realitetin. Por si duhet të sillemi ne me fëmijët teksa fuqinë e komunikimit në familje e në shkolla e ka marrë tregu i zbavitjes dhe konsumit? A jemi ne prindërit të përgatitur për t’i dalë zot botës së fortë të ankthit që krijon besimi te konsumi, te zbavitja?

Përgjithësisht ata që kanë kaluar të tridhjetat e kanë të qartë fuqinë e komunikimit në një komunitet banorësh ku ka bashkëveprim, ku bashkëmoshatarët luajnë me njëri-tjetrin. Por fëmijët e sotëm janë një brez që kanë dijeni për gjithçka që është në shitje, për gjithçka që mund të jetë e reja më e fundit teknologjike, por që nuk arrijnë të orientohen përballë fqinjit apo fqinjës së tyre, përballë shokëve të klasës. Një brez i tillë, i gjendur nën pushtetin e fortë të ankthit për t’u bërë i famshëm, rrezikon të mbetet peng vetëm i rezultatit, pa kuptuar se jeta e njeriut kalon në zigzage ulje-ngritjesh, ku humbja mund të jetë një stacion i mirë për të njohur veten dhe tjetrin, ndërsa fitorja mund të shkaktojë përgjumjen përballë botës së vërtetë.

Por, kushdo që mendon se kjo situatë është individuale e fëmijës së tyre, apo vetëm e shoqërisë shqiptare, gjykon gabim dhe rrezikon të prishë urat e komunikimit me to. Një situatë e tillë ka nevojë për një debat sa familjar e shkollor, aq edhe mbarëkombëtar, ku të mos i hapim udhë lumit të pesimizmit, pasi një lumë të tillë nuk dërgon asnjë varkë në një breg zgjidhjesh. Në lumin e pesimizmit dhe të moskomunikimit fiton vetëm ankthi i përkohësisë, vetëm bota që shkakton zemërimi dhe frika. Ndërkohë që ne të gjithë e dimë se ajo që e mban fillin e fortë mes nesh është besimi dhe dashuria, është empatia dhe solidariteti dhe jo vetmia.

Ne si prindër duhet të kuptojmë se premtimi për një të ardhme më të mirë, sot nuk vlen njësoj me fëmijët e sotëm, të cilët gjenden të kërcënuar nga “droga e famës”, nga ethet e pasurimit të shpejtë, të cilat, në fund të rrugëtimit mund të rezultojnë vetëm një larmi vuajtjesh dhe padurimi. Nën ndikimin e spektaklit e të konsumit dhe të kërcënuar gjithnjë e më shumë nga rezultati dhe jo nga qëllimi i asaj që bëjnë, fëmijët do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të përcaktojnë emocionalisht kufijtë e kënaqësisë për atë që kanë dhe për atë që duan të bëjnë me jetët e tyre. Mungesa e qëllimeve për të nesërmen e ka kthyer të tanishmen në një diktaturë padurimi, por për ta lexuar si të tillë, ne, prindërit, duhet të gjejmë udhën e një leximi të përbashkët me bijtë e kohës, me sfidat e së tashmes që na paraqitet çdo ditë si e vetmja rrugë.

Gjatë gjithë prej kohësh ne shohim se si ndeshen të rinjtë me pyetësorë pa fund, me sondazhe që kërkojnë përgjigje të ngutshme dhe dhënie opinionesh, me statistika dhe kërkimet të tregut. Po kështu, thuajse çdo prind, me shumë gjasë, është përballur me emocionet që shkaktojnë te fëmijët rrëfime individuale në programe të përditshme televizive e sidomos në video të shpërndara, përfshi këtu deri ne limitet e fundit te intimes. Këto projekte e emisione i kthejnë të rinjtë në një gjah të konsumit të së sotmes, pa pasur fuqi të mendojnë për nesër, pa mundur të ëndërrojnë. Nën këtë presion, shumë fëmijë nuk e kuptojnë dot që, ajo që duhej të ishte vetëm e tyrja, është e gjithë publikut, pasi është bërë pjesë e show-t, duke u shpërndarë, pa ditur se kjo i bën më pas ata të pafuqishëm për t’iu kundërvënë makthit të spektaklit. Sepse pak njerëz arrijnë ta kuptojnë se gjithçka është e jona kur kemi ditur ta ruajmë si të tillë, ndërkohë që kur e humbim, nuk varet më vetëm nga ne.

Prindërim dhe jo psikolog!
Psikologu i njohur grek, Niko Sideris, shkruan se fëmijët kanë më shumë nevojë për prindër e jo për psikolog. Sidomos në një botë ku kufijtë mes intimes dhe publikes kanë rënë, ai na fton të bashkudhëtojmë me fëmijët teksa u kërkojmë atyre të gjejnë shtegun e zgjidhjeve. Sideris na kujton se është përgjegjësia jonë, në shtëpi e shkollë, si prindër e mësues, t’u themi se informacioni nuk është mençuri, por vetëm një mundësi. Duhet t’u themi me qetësi se reflektimi ynë është i rëndësishëm dhe jo eksitimi i gjithanshëm që sugjeron bota e spektaklit. Përndryshe, nëse nuk ua themi hapur, do kemi murin e indiferencës së tyre ndaj asaj që do t’u kërkojmë më pas.

Ky mur indiference, zemërimi dhe nervozizmi që shfaqin të rinjtë mund të shembet nëse vendosim ura të vërteta bashkëbisedimi, pa u ankuar për atë që nuk kemi patur ne në kohën tonë dhe pa dramatizuar atë që ata na kërkojnë ata për shkak se janë bij të kohës së tyre. Dhe, siç shkruan dhe Galmberti në librin e tij, “Bujtësi turbullues”, për të kuptuar sa të rëndësishme janë për jetën raporti me humbjen, zgjidhja e konflikteve, solidariteti dhe empatia, duhet që të mos lejojmë që fëmijëve tanë t’u bëhet baby-sitter televizioni apo aparati celular.

Nëse nuk arrijmë dot të ndërtojmë pyetjet e duhura në familje e shkollë, nuk ka pse, më pas, të bëjmë si të tmerruar nga dhuna që pason shoqërinë tonë, nga cinizmi i të rinjve, të cilët pa përgjigjet e bazuara te fuqia e dashurisë dhe besimit, do të zgjedhin atë të talljes, të vënies në lojë dhe të zemërimit dhe ankthit. Nëse nuk i drejtojmë sytë nga dashuria, nëse zemrën e tyre e lëmë në dorë vetëm të rezultatit dhe arsyes, atëherë duhet të llogarisim se mund të jetojmë në mbretërinë e indiferencës së tyre jo vetëm për ne, por për gjithçka rrotull tyre.

Ndaj, le të mos ngurojmë që t’u themi fëmijëve se, nëse ke një zemër të ndjeshme, nuk është dobësi, por është forcë për të kuptuar. Le t’u themi me forcë fëmijëve tanë se të kesh sa më pak rroba në trup, të duket më shumë nga lakuriqësia jote, nuk do të thotë se je i hapur ndaj të tjerëve. Natyrisht, të lakuriqësosh shpirtin është më e rëndë se sa të lakuriqësosh trupin. Por ne duhet të këmbëngulim që ata të dinë se të heqësh gardhin e turpit nuk do të thotë se me tjetrin je kuptuar. Përkundrazi, mund të lëndosh ata që të kanë menduar të jenë të afërt, pasi rënia e murit të turpit për intimen është jo vetëm humbje e dinjitetit por njëkohësisht edhe përjashtimi i atyre që na duan dhe duam nga të qenurit për ta dhe me ta.

Ne kemi në dorë të rilidhim sërish në një botë të përbashkët konsumi shpirtin dhe mendjen, duke mos ia lënë pushtetin e së sotmes trupit, që të mos jetë ajo drejtuesja e botës së sotme të konsumit. Përndryshe, askush nuk mundet t’ia dalë përballë fuqisë që ka bota e mbështetur te rezultati, te klikimet, te strategjia që vendos turpin te të qenurit truptrashë, e jo trutrashë- siç vë re me të drejtë shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit