7.7 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

A do të jetë Muhamed bin Selman, Vladimir Putini i ri saudit?

Më të lexuarat

Ditë pas dite, Princi i Kurorës saudite, Muhamed bin Selman, pritet të hyje fuqishëm si një aktor i ri një skenën gjeopolitike. I gjendur në krye të një vendi me jo pak peshë në zhvillimet delikate botërore, ndonës ende jo krejt në krye, por me vendimmarrje të fuqishme tektonike në zhvillimet e brendshme, bin Selman po konturohet si një personazh që me gjasë do lërë gjurmë. Ai është promotori i “Vizion 2030”, një strategji zhvillimi e transforimi, që po shoqërohet me shumë reforma, me shumë vendime historike, si dhe me lëvizje të befta. Dhe siç ndodh rëndom, ai ka përkrahës e kundërshtarë në gjithë këtë lloj fryme që po përçon. Ndaj, po sjellim një prej vëzhgimeve kritike ndaj protagonizmit të tij, për të kuptuar më mirë se ç’po ngjet me të dhe padyshim vendin e tij, në raport me zhvillimet botërore….

Nga Yury Barmin

Nëse ngjarjet aktuale në Riad sinjalizojnë për atë se si do të sillet princi i saudit Muhamed bin Selman si mbret, atëherë na presin zhvillime vërtetë jostabile në periudhën në vijim.

Është tundur koncepti shumëdekadësh i koncensusit qeverisës, i cili, së bashku me dorëheqjen e dhunshme të Saad Haririt në Riad, don të thotë se Bin Selman kërkon njohjen e autoritetit të tij, si në vendin e vet ashtu edhe në qarqet ndërkombëtare.

Disa analistë e kanë quajtur atë “Vladimir Putinin e Lindjes së Mesme” duke iu referuar lëvizjeve të tij të guximshme në ndryshimin e balancës së pushtetit në Mbretëri dhe duke mposhtur “oligarkët” sauditë.

Afrimi i Rusisë dhe Arabisë Saudite gjatë muajve të fundit është bërë i mundur pikërisht për shkak se Presidenti Putin dhe Muhamed bin Selman flasin të njëjtën gjuhë. Të dy preferojnë përdorimin e forcës për të zgjidhur problemet brenda dhe jashtë vendit, dhe të dy vëzhgojnë botën bardhë e zi.

Prej kohës kur babai i Bin Selmanit, Mbreti Selman, dorëzoi autoritetin politik në fillim të vitit 2015, politika e jashtme saudite po kalon një transformim në stilin rus, duke miratuar stilin ofensiv. Lufta në Jemen, bllokada e Katarit dhe përfundimisht roli i supozuar i Arabisë Saudite në ngjarjet e fundit në Liban, duket se të gjitha janë huazuar nga doracaku i Putinit.

Produktet e sistemit të njëjtë të pushtetit

Presidenti rus pa dyshim është një politikan që e ka kthyer politikën reale në modë, me një fushatë ushtarake në Siri dhe një seri angazhimesh hibride në ish-republikat sovjetike. Në një rajon ku balanca e pushtetit po ndryshon, Arabia Saudite e sheh nevojën për të mbetur e kujdesshme dhe proaktive, dhe kjo është arsyeja pse politika revizioniste e Putinit po i pëlqen udhëheqjes në Riad.

Ndërsa Putin dhe Bin Selman kanë një qasje të ngjashme ndaj politikës së jashtme, ata kanë pozicione të ndryshme fillestare. Meqë lidershipi i tij nuk është përballur me sfida serioze të brendshme, Putini mund të përballojë një strategji afatgjatë të shpërblimeve dhe ndëshkimeve. Për Mohammed bin Salman, politika e jashtme është diktuar kryesisht nga nevoja për të forcuar fuqinë e tij në shtëpi sa më shpejt që të jetë e mundur.

Politika ruse dhe ajo saudite, janë të ngjashme për faktin se kulti i udhëheqësit luan një rol të madh. Projektimi i pushtetit në vend dhe në rrafshin global, është faktor që përcakton pranimin dhe legjitimitetin e udhëheqësit. Për vite të tëra, Putini e ka krijuar me kujdes imazhin e tij në publik (deri në masën që për vite popullariteti i tij në publik ka qenë mbi 80%), ndërsa politika e tij e jashtme imponuese, na pëlqeu apo jo, e ka bërë Rusinë një shtet, qëndrimi i të cilit nuk mund të injorohet. Dhe po krijohet gjithnjë e më tepër një përshtypje se Muhamed bin Selman po përpiqet të krijojë një bazë të ngjashme për sundimin e tij, që me gjasë do të zgjasë për dekada të tëra.

Nuk ka dyshim se të dyt, Putin dhe Muhamed bin Selman janë produkte të të njëjtit sistem të pushtetit. Putin u ngrit nga vertikalet ruse të fuqive të viteve 1990; gjatë viteve 2000 ai kërkoi mënyra për të vendosur kontroll, duke u ndeshur me oligarkinë paskrupullt sipërmarrëse dhe ia doli në këtë.

Shkatërrimi i sistemit të sundimit me konsensus

Në mënyrë të ngjashme, Muhammed bin Selman përdori sistemin qeverisës mbretëror me konsensus; babai i tij, Mbreti Salman, erdhi në Arabinë Saudite duke pritur me durim radhën e tij.

Procesi i marrjes së kontrollit të një aparati të madh familjar (për koinçidencë edhe sistemi i oligarkisë ruse është quajtur “familje” një kohë) sapo ka filluar për trashëgimtarin saudit, por ne tashmë po shohim se ku e çoi ky proces Rusinë, vite pas betejës së zhvilluar. Oligarkët ose janë të lidhur me sistemin politik ose janë deportuar, ndërsa korrupsioni ka depërtuar thellë në të gjitha sferat e jetës.

Megjithatë, nëse Muhammed bin Selman po përdor strategjinë e Putinit si një manual, çdo gjë është duke vepruar gabimisht. Me eliminimin me forcë të anëtarëve me ndikim të familjes nga ekuacioni i autoritetit, princi i ri po shkatërron sistemin e sundimit me konsensus, i cili i mundësoi Arabisë Saudite të ruante ekuilibrin dhe me dekada po mban unitetin brenda Mbretërisë.

Muhammed bin Selman, në fakt, është duke u përpjekur të krijojë një sistem të sundimit të bazuar në fuqinë e tij të pakufizuar, që është një faqe nga doracaku i Putinit, por ndryshe nga presidenti rus, trashëgimtari saudit po shkatërron ekuilibrin që ka ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit të mbretërisë.

Në vend që të krijojë klasën e elitës mbretërore të përkushtuar pa kushte ndaj monarkut, Muhamed bin Selman po rrezikon që t’i përmbys ata që e konsiderojnë veten të ligjshëm për të qenë pjesë e mbretërisë së Arabisë Saudite.

Vlimi i thellë përbrenda elitës

Trashgimtari i fronit, një patriark ambicioz, nuk i sheh pasardhësit e tjerë të Ibn Saudit si të barabartë; ai po krijon një klasë të madhe të familjes mbretërore që do të ndjehet e pambrojtur dhe prandaj do të bashkohet në refuzimin e status quosë.

Ky refuzim, megjithatë, po vlon brenda elitës dhe nuk do të dalë në sipërfaqe derisa të shëndrrohet në protestë. Kjo shpjegon pse kjo llokoçitje nga ana e trashëguesit saudit në Riad ishte bërë në mënyrë joselektive, në mënyrë joproporcionale në raport me qëllimet e shtetit dhe me gjasë ishte e destinuar që të çrrënjosë çfarëdo mosmarrëveshje para se të sulmonte ndonjë disident të caktuar.

Këtu qëndron dallimi kryesor midis sunduesit saudit dhe Putinit. Presidenti rus kupton dinamikën e brendshme të pushtetit brenda shtetit dhe e kontrollon atë pa vështirësi. Ai ka krijuar një sistem politik në të cilin degët e “familjes” i kundërvihen njëri-tjetrit, ndërkohë që ai sillet si gjyqtar.

Në këtë strukturë të pushtetit, klanet individuale politike duan të jenë afër Putinit dhe garojnë për vëmendjen dhe mbështetjen e tij. Në këtë mënyrë, aktorët e fuqishëm mbeten të fokusuar në mosmarrëveshjet e tyre dhe nuk sfidojnë kulmin, pasi në momentin kur kjo piramidë të bie, ajo do të tërheqë çdo gjë me vete, përfshirë edhe disidentët.

Muhamed bin Salman po përpiqet të krijojë një sistem tjetër, duke dobësuar në mënyrë të barabartë të gjitha degët e tjera të pemës saudite për të pasur pushtet mbi to. Një vendosje e tillë, megjithatë, nuk garanton të njëjtin nivel stabiliteti dhe mund të mos jetë në gjendje të ruajë jetëgjatësinë e njëjtë të regjimit.

Marrë nga: Al Jazeera

Përktheu: Jeton Zenuni

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit