0.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Zyrtari i LDK’së: Kryeministri ofendon refugjatët, ata që u dëbuan nga vendi…

Më të lexuarat

Zyrtari i LDK’së, Bajram Gecaj, thotë se Kryeminstri Ramush Haradinaj vazhdimisht po ofendon qytetarët që nuk kanë qenë pjesë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe që kanë qëndruar në kampe refugjatësh.
Gecaj i LDK’së konsideron se kryeministri Haradinaj po fyen qytetarët e vendit, të cilët gjatë kohës së luftës kanë qëndruar në kampet e Bllacës dhe Stankovecit. Sipas zyrtarit të LDK’së, ushtarakët e vërtetë janë modestë dhe nuk provojnë që të ofendojnë pjesën e popullit që s’ka qenë pjesë e luftës.

Shkrimi i plotë i Gecajt:

Kryeministri ofendon popullin të cilën pretendon ta përfaqësoje!

Po dëgjojmë Kryeministrin Haradinaj si shpesh të na flasë me një gjuhë jashtëzakonisht denigruese për qytetarët e Kosovës, të cilët dhunshëm ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre, e disa prej të cilëve ishin detyruar të qëndronin për një kohë në tokën e askujt, mes Kosovës e Maqedonisë, në Bllacë, e më vonë edhe në kampe refugjatesh, siç ishte ai i Stankovecit. Kryeministri duket të ketë harruar se kur ofendon këta njerëz, lëndon ndjenjat e shumë grave, fëmijëve e pleqve, që të gjithë qytetarë të ndershëm e të përvuajtur, plotësisht të pambrojtur nga ata që sot pretendojnë të kenë luftuar për ta e për vatan. Ndoshta Kryeministri edhe ka gjasa të ketë qenë “ushtarak” i zoti, por sot nuk është as kryeministër e as politikan i mirë, ndërsa nuk e kam as një fije mëdyshjeje se edhe dhjetë jetë tjera po ti kishte nuk do të mund të bëhej kurrë as njeri e as personalitet më i mirë e më i dinjitetshëm se baba, nëna apo motra ime, që të tre viktima të asaj dhune e të atij regjimi fashist. Ata, mes qindra-mijëra qytetarëve tjerë, ishin po ashtu të ngujuar mu në kampin e Bllacës, të trajtuar si të mos ishin qenie njerëzore, por edhe krejtësisht të pambrojtur nga ata që sot rrahin gjoksin e çlirimtarëve. Shumë nga këta qytetarë të dëbuar e të ngujuar në Bllacë kishin djemtë e vajzat e tyre në radhët e UÇK-së, duke përfshirë edhe prindërit e mi, por nuk u kishte shkuar mendja kurrë se një ditë do të ofendoheshin kaq ulët mu nga “komandantët” e fëmijëve të tyre. Luftëtarët e denjë të lirisë dhe çlirimtarët e vërtetë, zoti Haradinaj, nuk do t’i lejonte kurrë karakteri dhe modestia e një trimi të rrahin gjoks për një obligim kombëtar të cilin e kishin kryer ndaj popullit dhe vatanit të tyre, e mbi të gjitha atyre nuk u lejohet asnjëherë dhe në asnjë rrethanë të ofendojnë popullin e vet!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit