Skandali i mishit të prishur që është zbuluar në Belgjikë nga Agjencia Federale për Sigurimin e Rrjetit Ushqimor (FASFC) javën e kaluar, ka prekur edhe Kosovën. Agjencia zbuloi se mishtorja belge “Veviba” kishte shitur sasi të mëdha të mishit të prishur brenda Belgjikës dhe jashtë saj.
Hetimi ndaj kompanisë me bazë në Bastonjë të Belgjikës kishte nisur pas asgjësimit të 20 tonëve mish – prej të cilës një sasi e madhe e saj ishte konstatuar të ketë qenë e prishur – nga Dogana e Kosovës në shtatorin e vitit 2016 në Prizren.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë kishte njoftuar autoritetet belge, të cilat pas dy vitesh hetime kishin ardhur në përfundim se kompania “Veviba” kishte prodhuar dhe shitur mish të prishur dhe me afat të skaduar.
Kjo kompani kishte eksportuar mishin e saj në Kosovë edhe para se të asgjësoheshin 20 tonët e mishit të prishur nga Dogana e Kosovës.
Insajderi ka siguruar dokumente brenda Doganës së Kosovës që tregojnë emrin e kompanisë kosovare që kishte eksportuar mish nga kompania “Veviba”.
Sipas dokumenteve që ka siguruar Insajderi, kompania për përpunimin dhe konservimin e mishit “Euro Ida” me bazë në Komunën e Rahovecit, është kompania kosovare që kishte importuar mish nga kompania belge “Veviba”.
“Euro Ida” kishte importuar mish tri herë brenda muajve maj dhe qershor të vitit 2016. Mishi i importuar kishte qenë “mish gjedhi”. “Euro Ida” kishte marrë rreth 60 ton mish nga kompania belge “Veviba” në tri importe të realizuara ndaras nga njëra-tjetra.
Kompania mohon të ketë importuar mish nga Belgjika
Pavarësisht se dokumenti që i siguruar tregon për importet e kompanisë “Euro Ida” nga kompania belge që është pjesë e skandalit të mishit të prishur “Veviba”, drejtori i kompanisë nga Rahoveci, Anton Jupa ka thënë se kompania e tij nuk ka importuar asnjëherë mish nga Belgjika.
“Jo [nuk kemi importuar]”, ka thënë Jupa për Insajderin.
Drejtori i kompanisë “Euro Ida”, i pyetur për importin që kompania e tij ka realizuar nga “Veviba”, ka folur për një skandal mishi, që sipas tij, kishte shpërthyer në Belgjikë “rreth 7-8 muaj më parë”.
“Edhe unë jam në ngjarje, por kjo [skandali] ka ndodhë rreth 7-8 muaj më heret, në mos gabofsha. Nuk e di nëse është skandali i Vevibas, por në Belgjikë ka pasur skandal para 7-8 muajve”, deklaroi Jupa.
Logoja e kompanisë kosovare që importoi mish nga kompania belge “Veviba”
Madje, Jupa ka thënë se edhe autoritetet dhe mediat në Kosovë janë penduar “që e kanë bërë të madhe skandalin e mishit belg”.
“Ama kurgjo nuk ka qenë ajo, sepse këta tonët i kanë rënë pizhman që e kanë bërë të madhe këtë punë”, tha për Insajderin, drejtori i kompanisë kosovare “Euro Ida”.
Ai ka thënë se kompania e tij bashkëpunon me Brazilin dhe Poloninë, për importin e mishit në Kosovë.
Mediat belge raportojnë për mish 12 vjet të vjetër, të eksportuar në Kosovë
Mishi që ishte eksportuar nga kompania belge ‘Veviba’ për në Kosovë ndonjëherë kishte qenë me afat të skaduar prej 12 vitesh.
Sipas asaj që raportoi të martën gazeta belge Brussels Times, një dokument gjyqësor tregon se një kamion mish nga kompania Veviba kishte arritur në Kosovë më 19 shtator të vitit 2016. Shumica e mishit ishte asgjësuar, dhe ishte konstatuar se mishi kishte qenë 12 vjet i vjetër.
Gjithashtu u zbulua se një pjesë e mishit kishte ardhur nga disa thertore të tjera belge, siç janë Izegem dhe Harelbeke dhe ishin ri-paketuar në kuti që mbanin markën tregtare të kompanisë Veviba, raporton Insajderi.
Hetimi që nisi në Kosovë u shndërrua “skandali i mishit” në Belgjikë
Në shtatorin e vitit 2015, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës kishte njoftuar Agjencinë Federale për Sigurimin e Rrjetit Ushqimor (FASFC) në Belgjikë, për asgjësimin e rreth 20 tonëve të mishit.
Ky aksion i AUV-it në shtatorin e 2016-s do të shënonte nisjen e hetimeve ndaj kompanisë “Veviba” – me bazë në Bastonjë të Belgjikës – nga autoritetet belge. Dy vite kishin zgjatur hetimet e Agjencisë Federale për Sigurimin e Rrjetit Ushqimor të Belgjikës (FASFC) ndaj kompanisë “Veviba”.
Lamir Thaçi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka thënë sot për Insajderin se në bazë të aksionit të AUV-it kishin nisur hetimet ndaj kompanisë së dyshimtë belge.
“Në bazë të atij rasti që ne e kemi zënë, ata kanë filluar hulumtimet dhe e kanë ndjekur kompaninë për dy vjet dhe tash i kanë bërë publike”, thotë Thaçi, teksa shprehet se nga kompania “Veviba” nuk është importuar më mish në Kosovë, që prej shtatorit të 2016-s.
AUV thotë se shkaku i procedurave e rregullave nuk ka hyrë më mish nga kompania belge në territorin e Kosovës.
“Nuk ka pas më import nga e njëjta kompani më në Kosovë. Prej asaj kompanie [Veviba, v.j] më nuk ka ardhur sepse janë disa procedura dhe disa rregulla për kontrollet ushqimore”, deklaroi Thaçi.
Kompania “Veviba” dyshohet se ka ndërruar datat e skadimit të afateve
Dy vjet pas njoftimit të autoriteteve belge nga AUV lidhur me mishin e prishur që ishte asgjësuar në Kosovë, autoritetet belge kanë bërë të ditur dje se kanë kontrolluar 200 nga 2000 paleta me mish të kompanisë “Veviba”.
Nga këto 200 paleta me mish, përfundimi ka dalur të jetë se rreth 70 për qind e mishit të kontrolluar është i dëmshëm.
Agjencia Federale për Sigurimin e Rrjetit Ushqimor (FASFC) në Belgjikë ka njoftuar se ka kontrolluar të gjitha lokalet e kësaj kompanie në Beligjkë.
Hetuesit kanë gjetur se në disa raste mishi ka qenë me afat të skaduar, dhe se produktit të mishit të ngrirë i janë zëvendësuar etiketat duke ia shtyer datën e skadimit të afateve për 1 vit më shumë.