Xhemail Efendi Emini (1913-1997)
Hoxhë Xhemaili Lindi më 06.05.1913 në fshatin Nikushtak të Kumanovës.
Meqë Ramiz Efendiu mualimi i mektebit të fshatit kishte vërejtur te Xhemaili një talent të rrallë, ai i sugjeroi familjes së tij, që ta dërgojnë për mësime të mëtejshme në Medresenë e Kumanovës.
Në Medresenë e Kumanovës, myderrizi i së cilës ishte Nuhi Efendiu, hoxha arriti rezultate dhe suksese të dalluara.
Pas katër vjetëve mësim në medresenë e Kumanovës, ai kalon në medresenë Medah në Shkup. Xhemail Efendiu në këtë medrese për disa vjet mësimet i vijoi në mënyrë të rregullt dhe në fund mori ixhazetin. Kur ishte nxënës në medrese, ai tregoi talent dhe aftësi shkencore, ishte i përgatitur dhe i prirë në lëmin e vazës dhe davetit.
Pas diplomimit, respektivisht pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore ushtroi detyrën e imam-mualimit në fshatin Rahmanli të Kumanovës. Ndërkaq pas një viti kalon imam mualim në fshatin Grushinë të Shkupit. Këtë detyrë ai kreu deri më vitin 1947, pikërisht kur në këtë vit arrestohet nga UDB-ja dhe vuan dënimin me burg deri në vitin 1953.
Pas daljes nga burgu prapë kthehet imam në fshatin Grushinë në të cilin kreu detyrën e imamit-mualimit deri me 1963, kurse këtë vit ai shpërngulet në Kumanovë.
Rëndësi të veçantë i kushtoi mësimit, së pari vetë ishte i arsimuar, njohës i mirë i shumë shkencave e në veçanti atyre islame, prandaj ai tentoi t’ua përcjellë edhe gjeneratave më të reja.
Në Kumanovë edhe pse nuk kishte ndonjë detyrë zyrtare (imam-mualimi) ai e kishte shndërruar shtëpinë e tij në mekteb. Prej shtëpisë së tij dolën më shumë se 300 nxënës.
Aktiviteti i tij vazhdimisht përcillej nga ana e pushtetit, andaj ai tentonte që kjo veprimtari të jetë larg syve të tyre, por një ditë UDB-ja në formë të organizuar e kontrolloi shtëpinë e hoxhës dhe gjetën një numër të konsideruar nxënësish, me ç ‘rast në mënyrë përbuzëse duke demonstruar se kinse ata ua duan të mirën shqiptarëve, i marrin nxënësit të rreshtuar dhe i dërgojnë në shkollë. Në këtë rast kontrollorët për ta shprehur mllefin dhe urrejtjen ndaj mësim besimit njëri prej tyre merr nga dora e një nxënësi Kuranin dhe me të i bie kokës. Kjo ditë do të ishte njëra nga ditët më të zeza në jetën e hoxhës.
Ja se si shkruante dhe e cilësonte shtypi hoxhën e nderuar: “Kurse në qytet këtë mësim e përcjellin 200 fëmijë në xhaminë e qytetit, dhe mësim u jepte imami, i cili më parë për veprimtari armiqësore, ka qenë dënuar me 6 vjet burg.”
Mulla Xhema u angazhua gjatë Luftës së Dytë Botërore në radhët e Ballit Kombëtar për ta kundërshtuar komunizmin. Po ashtu pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore ishte anëtar i organizatës NDSH. Gjatë dënimit me burg ai dhe shokët e tij të tjerë u keqtrajtuan dhe u terrorizuan tej mase.
“Kur u arrestova dhe më hodhën në burg, kisha mbi 100 kg, por brenda 90 ditëve më kishin mbetur më pak se 50 kg”,- thoshte vetë hoxha. “Pas 90 ditëve të izoluara dhe i vetmuar në Gelincë burgut që gjendet pranë xhamisë Mustafa Pasha në Shkup, kur më nxorën prej qelisë për herë të parë e dëgjova ezanin, kjo ishte jashtë mase e bukur, kënaqësia e së cilës sot e kësaj dite më tingëllon,”- rrëfente hoxha i madh dhe i pathyer.
Ai u dënua me gjashtë vjet heqje lirie, dhe në burg qëndroi plot gjashtë vjet e tetë ditë. Ditën kur do të lirohej nga burgu, përgjegjësit e burgut (UDB-ja) e pyetën: “A thua, nuk ndihesh në faj?”- “Jo nuk ndihem fajtor.”- “A e di se ky qëndrim dhe kjo kokëfortësi do të sjellë prapë në këtë vend?”- i tha inspektori!- “Këtë ia lemë kohës. Koha do të tregojë,-“ iu përgjigj hoxha.
Në vitin 1986 me gjithë familjen e tij u shpërngul nga Kumanova në Shkup dhe u vendos në lagjen e Duqanxhikut, ku jetoi ditët e fundit të jetës së tij. Vdiq me 01.03.1997 dhe u varros në vendlindjen e tij në fshatin Nikushtakë të Kumanovës.
Nga Mexhlis
n-media.mk