11.7 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Xhamitë e viteve të 30-ta në Tiranë

Më të lexuarat

Është një sfond i bukur panoramik i Tiranës së viteve 30-të. Një panoramë piktoreske e pjesës lindore të Tiranës, asaj më të bukurës, të stolisur me minaret e xhamive që dikur mbulonin qytetin anekënd.

Janë plotë gjashtë xhami me minare që duken në këtë foto. Vetëm dy prej tyre i kanë mbijetuar barbarisë komuniste. Kësaj barbarie nuk i kanë shpëtuar dot as mesxhidet pa minare, të gjendura kudo në lagjet e kryeqytetit të dikurshëm.

Shkurtimisht xhamitë që shfaqen në këtë foto janë (nga e djathta në të majtë):

1) Xhamia e Sulejman Pashës. Minarja e saj duket në foto ngjitur me Kullën e Sahatit. Ajo është xhamia simbol e qytetit. Ndodhej te lulishtja e Ushtarit të Panjohur. Sa ironike tringëllon! Shkulën simbolin më të njohur të Tiranës për të ngulur një të panjohur.

Xhamia u themelua nga Sulejman pashë Bargjini, në vitin 1614. Me ndërtimin e saj zë fill edhe zanafilla e Tiranës si qytet. Njihet ndryshe edhe si Xhamia e Vjetër. Ka qenë xhamia kryesore e Tiranës ku kanë ligjëruar dhe mbajtur hytbe intelektualët më të shquar islamë të qytetit. U dëmtua gjatë çlirimit të Tiranës qëllimisht nga komunistët dhe u shkatërrua në vitin 1950.

2) Xhamia e Et’hem Beut. Simboli i dytë i Tiranës pas prishjes së Xhamisë Së Vjetër. U ndërtua nga Molla Beu dhe u përfundua nga i biri i tij Et’hem Beu mes viteve 1821-1823.

3) Xhamia e Kokonozit, njihet ndryshe edhe Xhamia e Pazarit të Ri. U ndërtua nga Mahmut agë Kokonozi në vitin 1750. Fillimisht ka qenë një xhami mëhalle. Me hapjen e Pazarit të Ri, pas shpalljes së Tiranës kryeqytet mori rëndësi. U rikonstruktua në fillimet e viteve 30-të duke u shtuar dhe pajisur me minare. Në vitin 1967 u mbyll dhe u kthye në magazina. Vazhdon të funksionojë ende.

4) Xhamia e Stërmasit. U ndërtua nga Mahmud bej Stërmasi në vitin 1837. Ishte një nga xhamitë kryesore të Tiranës. Xhamia ndodhej në zemrën e Pazarit të Vjetër dhe u shkatërrua bashkë me këtë të fundit në vitin 1959, pas vizitës së Hrushovit, për t’i lënë vend Pallatit të Kulturës dhe lulishtes pas tij.

5- Xhamia e Vathit. Është ndërtuar relativisht vonë në gjysmën e dytë të shek. XIX. Ishte e pozicionuar në fund të rrugës Qemal Stafa, pranë Unazës së Tiranës. U prish në vitin 1967.

6- Xhamia e Zajmit, e ndërtuar në vitin 1777 nga Mehmet bej Zajmi. Ishte një nga xhamitë kryesore të Tiranës. Ndodhej në rrugën Thanas Ziko (dikur e quajtur Rruga Zajmi), jo shumë larg nga Rruga e Dibrës. U mbyll në vitin 1967 dhe më pas u rrënua për nevoja urbanistike.

Përgatiti: Florian Leli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit