Ju mund të mos e dini, por ju i përkisni klubi ku bëjnë pjesë edhe Leo Tolstoy, Henry James, Anton Chekhov, Mark Twain, Henrik Ibsen, Marcel Proust, Joseph Conrad, James Joyce, Thomas Hardy, Jorge Luis Borges dhe Vladimir Nabokov.
Klubi është i Jo-Fituesve të Çmimit Nobel për Letërsi, shkruan në një koment në Wall Street Journal, shkrimtari Joseph Epstein.
Të gjithë këta shkrimtarë të mëdhenj autentikë, që ishin ende gjallë kur jepej çmimi, nuk e fituan atë, shkruan autori, duke shtuar se “mbase është më i mirë klubi ynë i vogël, sesa ai që përbëhet nga ata që kanë fituar Çmimin Nobel për Letërsi”.
Aty përfshihen anëtarët si Sully Prudhomme, Bjornstjerne Bjornson, Frédéric Mistral, Giosuè Carducci, Paul Heyse, Carl Spitteler, Grazia Deledda, Herta Müller e Tomas Tranströmer.
Megjithatë, autori shkruan se disa shkrimtarë të shkëlqyer kanë fituar Çmimin Nobel në letërsi si BB Yeats, T.S. Eliot, Thomas Mann, William Faulkner, Boris Pasternak, SY Agnon, por në anën tjetër edhe shumë fitues të çmimit, tashmë janë harruar krejtësisht.
“Çmimi Nobel në Letërsi, sikurse edhe Çmimi Nobel për Paqe, shumë shpesh është dhënë nga motivet politike. Për një kohë ai shkoi te disidentët sovjetikë: Pasternak, Alexander Solzhenitzyn, dhe Jozefi Brodsky. Në vitet e fundit, çmimi ka shkuar te shkrimtarët marksistë, veçanërisht te ata që kishin një mëri kundër SHBA-së, në mesin e tyre Günter Grass, Dario Fo, José Saramago”, thuhet në artikull.
Autori argumenton se kudo që hyn politika, prestigji i Çmimit Nobel zbehet.
“Mendojeni vitin 1994, kur çmimi Nobel për Paqe i është dhënë Jaser Arafatit, Shimon Peres dhe Yitzhak Rabinit për promovimin e paqes në Lindjen e Mesme, apo atë të vitit 2009, kur ai është dhënë Barack Obamas vetëm pse nuk ishte si George W. Bush”, thekson Epstein.
Arsyeja se pse kaq shumë shkrimtarë të errët fitojnë Çmimin Nobel në Letërsi është kryesisht për shkak të asaj që dikush mund të supozojë se ka të bëjë me impulset gjeopolitike të Komitetit të Nobelit. Me kohë, anëtarët e tij duket se ndjejnë se çmimi duhet t’i jepet një indiani lindor, një latino-amerikani apo një islandezi, nënvizon artikullshrkuesi.
“Java e kaluar na solli fituesin e 2012-ës, shkrimtarin kinez Mo Yan.
Komiteti Nobel shumë lehtë mund t’ia japë çmimin vitin e ardhshëm të artistit të Ugandës dhe poetit Kwame Tsooris-Tsimes, dhe kjo do të bëhet disa javë para se dikush ta mësoj se ai person as që ekziston”, thotë Epstein.
Aspekti monetar i çmimit Nobel i shton atij lustrën.
Mëngjesin, që Saul Bellow mësoi se kishte fituar Çmimin Nobel në vitin 1976, më thirri në telefon. Pasi që shprehu dyshimin e tij në lidhje me çmimin, ai deklaroi se të paktën do të ndihmonte alimentacionin për fëmijët dhe mbështetjen për ish bashkëshortet e tij.
Pjesa më e madhe e prestigjit të Nobelit rrjedh nga shpërblimet në shkencë dhe mjekësi. Me përjashtim të ekonomisë, e cila si shkencë është shumë e dyshimtë, shkenca në vetvete është e prekshme dhe arritjet e saj janë të vërteta, dhe shkencëtarët, të paktën në jetën e tyre profesionale, ka më pak mundësi të jenë të korruptuar nga politika, thuhet në artikull.
“Diçka si një bashkësi e vërtetë ekziston në mesin e shkencëtarëve, gjë që nuk ekziston në mesin e shkrimtarëve, të cilët nuk i ndan vetëm estetika, por edhe politika. Çmimi Nobel në Letërsi, prandaj, kurrë nuk mund të kenë dinjitet të njëjtë si ai në shkencë, ani pse ndan diçka nga fama e tij”, theksohet në artikullin e WSJ-së.
“Edhe pse çmimet Nobel janë dhënë vetëm për njerëzit që janë ende gjallë, duke fituar një çmim Nobel në letërsi ka tendencë që t’i jepet fund letërsisë. Asnjë studim i këtij fenomeni nuk ekziston, por mendimi im është se duke fituar Nobelin i jepni fund karrierës letrare. Duke fituar famë dhe pasuri, ndoshta humbet motivi për t’u përpjekur edhe më tej”, thekson Epstein.
A do të jetë bota e letërsisë më e mirë pa Çmimin Nobel në Letërsi?
Sigurisht se as më e keqe nuk do të jetë, meqë dhënia e çmimit nuk po përcakton një standard të vërtetë të prodhimit letrat, dhe as nuk po e rrit prestigjin e vetë letërsisë, theksohet në artikull.
“Unë mendoj se nuk ka asnjë mënyrë për ta eliminuar atë, përveç se për ta bërë qesharak duke ua dhënë njerëzve më pak meritorë sesa ata që e kanë fituar atë në të kaluarën. Një listë e kandidatëve të tillë nuk duhet të jetë shumë e vështirë të hartohet. Një e imja do të dukej me në krye Bob Dylan, Joyce Carol Oates dhe Salman Rushdie. Dyshoj se do të keni ndonjë problem që edhe ju ta hartoni listën tuaj”, shkruan në fund autori Joseph Epstein./rel