0.9 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Vuçiq thotë se Serbia po sulmohet për shkak të “marrëveshjes burokratike”

Më të lexuarat

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, teksa foli për presionet e pretenduara ndaj Serbisë, tha më 28 shtator se “një dokument burokratik, pa asnjë peshë të rëndësishme” u përdor në media për të sulmuar Serbinë.

Vuçiq nuk specifikoi se për cilin dokument po fliste, por deklaratat e tij vijnë disa ditë pasi Bashkimi Evropian kritikoi Serbinë për nënshkrimin e një marrëveshjeje në fushën e politikës së jashtme me Federatën Ruse.

Më 23 shtator, ministrat e Punëve të Jashtme të Rusisë dhe Serbisë, Sergei Lavrov dhe Nikolla Sellakoviq, nënshkruan Planin e Konsultimeve të Ministrive të Jashtme të të dyja shteteve për dy vjetët e ardhshëm.

Plani konsultativ 2023-2024 i Serbisë dhe Rusisë u nënshkrua në Nju Jork në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ky është dokumenti i parë diplomatik që Serbia dhe Rusia kanë nënshkruar që nga 24 shkurti, kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës. Përmbajtja e Planit të Konsultimeve nuk është bërë publike.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha më 26 shtator se BE-ja është “seriozisht e shqetësuar” për afrimin e Serbisë me Rusinë.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Giaufret, tha më 26 shtator se në rrethanat aktuale “pres që Serbia të qëndrojë në mbrojtje të vlerave evropiane dhe të së drejtës ndërkombëtare”.

“Me nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim me Rusinë, Serbia dërgoi një mesazh krejtësisht të kundërt, pavarësisht se deklaroi se nuk do të njihte rezultatet e referendumeve të rreme që Rusia po zhvillon në territorin e pushtuar të Ukrainës”, tha ai.

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Vladimir Bilçik, tha se nënshkrimi i marrëveshjes me Rusinë është “goditje” ndaj procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Më 24 shtator, presidenti serb Vuçiq, u takua në Nju Jork me kryediplomatin rus, Sergei Lavrov. Edhe pse detaje të atij takimi nuk janë bërë publike nga Presidenca serbe, ato mund të gjenden në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.

Ndërkaq, më 28 shtator, Vuçiq tha se Serbia “nuk mund dhe nuk do të njohë” aneksimin e katër rajoneve ukrainase, në të cilat Moska ka mbajtur referendume të rreme për bashkimin e tyre me Rusinë.

Referendumet, që Perëndimi dhe Kombet e Bashkua i cilësuan si të rreme, u zhvilluan nga 23 deri më 27 shtator. Votimet u mbajtën në katër rajonet ukrainase që janë pjesërisht të pushtuara nga Rusia: Donjeck, Luhansk, Zaporizhja dhe Herson. Këto katër rajone përbëjnë 15 për qind të territorit ukrainas.

“Serbia i përmbahet ligjit publik ndërkombëtar, Kartës së OKB-së dhe rezolutave të OKB-së. Ne mbrojmë integritetin tonë territorial dhe të vendeve të njohura ndërkombëtarisht”, tha Vuçiq, duke shtuar se ai nuk do të ketë më asnjë qëndrim “përveç Kosovës”.

Serbia ka votuar për disa rezoluta të OKB-së që dënojnë Rusinë për pushtimin e Ukrainës.

Megjithatë, edhe pse Serbia është kandidate për anëtarësim në BE, refuzon të harmonizojë politikën e saj me atë të bllokut dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Ndërkaq, zyrtarët në Serbi ende refuzojnë të njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe bllokojnë përpjekjet e Prishtinës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare. Në këto bllokada, Beogradi llogarit edhe në mbështetjen e Rusisë dhe Kinës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit