Kthimi i deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, u mirëprit nga Qeveria e Kosovës. E përfaqësuesit e Listës Serbe deklaruan se janë të gatshëm të votojnë Demarkacionin me kushtin që në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, ata ta kenë rolin kryesor.
Por, pavarësisht këtyre deklaratave nga ana e deputetëve serbë, Qeveria e Kosovës ende nuk ka caktuar asnjë datë të mundshme për procedimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, për ratifikim në Kuvendin e Kosovës.
Zyrtarë nga qeveria kanë deklaruar se Demarkacioni do të jetë në Kuvend në momentin kur koalicioni PDK-LDK sigurohet se i ka votat e mjaftueshme.
E se a do të ndodh brenda këtij muaji procedimi i Demarkacionit për në Kuvend, analisti Bajrush Morina thotë për Telegrafin se një gjë të tillë e di më së miri vetë qeveria.
“Nëse e procedon, e mban fjalën, nëse nuk e procedon, qeveria ‘i ha fjalët e veta’. Unë mendoj se Demarkacioni është vonuar, dhe sa më shumë që vonohet, aq më shumë vonohet integrimi i Kosovës në BE, e po ashtu aq më gjatë zgjat izolimi i qytetarëve të Kosovës”, theksoi Morina.
Sa i përket kushtit të deputetëve të Listës Serbe lidhur me Asociacionin, Morina ka theksuar se çdo kompromis me ta është nënshtrim ndaj Serbisë.
“Sipas të gjitha gjasave, ardhja e diplomatit amerikane Yee i ka ‘ulur tensionet’ politike në Kosovë. Prandaj Lista Serbe u kthye në Kuvend, e ky kthim sigurisht se do të ‘shpërblehet’ me ndonjë kompromis të dhimbshëm. Krejt çka mund të them është se çdo kompromis më Listën serbe është një nënshtrim më shumë i shtetit të Kosovës përballë Serbisë”, tha Morina për Telegrafin.
Edhe analisti politik, Fadil Lepaja ka vlerësuar se procedimi i marrëveshjes për Demarkacionin, varet nga numri i votave që koalicioni konsideron ti ketë siguruar.
“Po ashtu varet nga një pajtim së paku i heshtur se nuk do të ndodhin skandale të mëdha nga opozita”, u shpreh Lepaja për Telegrafin.
Duke folur për kthimin e deputetëve të Listës Serbe në Kuvend, Lepaja theksoi se kthimi i tyre mund të lidhet me ndonjë kompromis të caktuar nga ana e qeverisë.
“Kthimi i Listës Serbe, lidhet edhe me këtë, pra sigurimin e numrit të votave për Demarkacionin dhe për këtë qeveria do të ketë pranuar kompromise të caktuara”, tha Lepaja.
Ai shoti se tollovia që e shkaktoi presidenti me ligjin për FSK, si duket është fashitur paksa me ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtarë.
“Siç duket prolongimi, përkatësisht degradimi i procesit të shndërrimit të FSK në ushtri, i cili u shkaktua nga ndërhyrja prej kornerit e Presidentit të vendit, ka qenë çmimi më i madh, i paguar për kthimin e Listës në Parlament dhe eventualisht votimit të demarkacionit”.