2.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Vlera e punës në këndvështrimin Islam

Më të lexuarat

 Allahu (xh.xh.) e ka krijuar njeriun në formën më të bukur, i ka dhënë mendjen dhe logjikën, aftësinë për të mësuar; më pas e ka ngarkuar atë me përgjegjësi, të cilat mund ti ndajmë si përgjegjësi ndaj Zotit si krijuesin e tij, përgjegjësi ndaj vetes, familjes e më pas ndaj të gjithë shoqërisë. Profeti (a.s.) në njërin nga hadithet e tij, ja kujton me këto fjalë përgjegjësinë që besimtari ka në dynja:

Gjithsecili prej jush është kujdestar dhe gjithsecili prej jush është përgjegjës për gjithë ç’ka nën mbikëqyrje dhe nën kujdesje: Kështu, imami (sunduesi, prijësi) është kujdestar për gjithë ç’ka ai nën sundim dhe është përgjegjës (e përgjigjet) për ata që ai ka në vartësi; edhe burri është kujdestar i familjes së vet dhe përgjegjës për ta; edhe gruaja është kujdestare e shtëpisë së burrit të saj dhe përgjegjëse për të; edhe shërbyesi është kujdestar i pasurisë së padronit të vet dhe përgjegjës për të.[1]

Sipas hadithit secili prej nesh ka përgjegjësi dhe detyra të caktuara. Pas adhurimit ndaj Zotit, detyra më sublime që ka njeriu është të formojë mirëqenie për veten dhe për ata që ka nën kujdesin e tij. Puna ka qënë motoja e çdo profeti dhe duhet të jetë motoja e çdo besimtari.

Puna jo vetëm që është mjeti i vetëm për të siguruar dhe ndërtuar një jetesë dinjitoze për veten dhe familjen, për të ruajtur fenë, nderin dhe dinjitetin e tyre, por në të njejtën kohë është edhe detyrë fetare, dhe njëra nga mënyrat më të mira për të fituar kënaqësinë e Allahut.

Profetët, njërëzit më të veçantë, të cilët kanë qenë të ngarkuar më detyra shumë të rëndësishme nga Allahu, siç është shpjegimi i mesazhit hyjnor dhe përfaqësimi në mënyrën më dinjitoze i këtij mesazhi, siç është rimëkëmbja e shoqërisë nga ana morale dhe shpirtërore, nuk e kanë neglizhuar edhe aspektin e punës që ka të bëjë me sigurimin e jetesës në dynja. Megjithëse kanë qenë shumë të impenjur në edukimin e njerëzve, rimëkëmbjen e shoqërisë nga ana e besimit dhe moralit, që është punë e vështirë e cila kërkon shumë përkushtim, kohë dhe angazhim, përsëri kanë gjetur kohë, kanë mësuar profesion dhe e kanë siguruar jetesën e tyre në saj të punës. Nuk kanë pritur nga të tjerët, nuk kanë pranuar nga të tjerët, por kanë punuar dhe janë bërë shembull për besimtarët që dëshirojnë të ndjekin rrugën e tyre. Të gjithë Profetët kanë pasur profesione të caktuara, Ademi (a.s.) ka qenë bujk, Idrisi (a.s.) ka qenë rrobaqepës, Nuhu (a.s.) ka qenë marangoz etj… Edhe Profeti Muhamed (a.s.) ka punuar që në rininë e tij, fillimisht si bari i deleve te Mekasve[2] e më pas si tregtar ne karvanet e Hatixhes (r.anh.). Profeti Muhamed (a.s.) e lavdëron dhe e tregon si shembull të mirë Davudin (a.s.), i cili ka qenë hekurpunues:

“Asnjëherë ndonjëri nuk ka ngrënë ushqim më të mire, sesa atë të cilën e ka fituar me duart e veta. Edhe profeti i Allahut Davudi (a.s.) ka ngrënë vetëm nga ajo që ka fituar me duart e veta.” 

Pse është i rëndësishëm si shembull Daudi (a.s.)? Është i rëndësishëm sepse Daudi (a.s.) ka qënë mbret, sundimtar i cili kishte mundësi të mos punonte fare dhe të bëntë një jetë të rehatshme, mirëpo ai kishte mësuar profesion dhe punonte, dhe si i tille simbolizon besimtarin ideal i cili gjithmonë duhet të jetë produktiv. Sado i pasur të jëtë njeriu duhet të mësojë profesion dhe të mësohet me kulturën e punës. Askush nuk e ka të sigurtë të nesërmen e tij, për një kohë të shkurtër mund ti humbë të gjitha, shumë miliarderë kanë falimentuar në një kohë shumë të shkurtër dhe janë zhytur në borxhe të mëdha, apo njerëz të tjerë të pasur, të cilën kanë rënë në gjumë si të tillë dhe janë zgjuar të varfër, kanë humbur gjithçka prej termetit apo fatkeqësive të tjera natyrore.

Islami e nxit çdo musliman të jetë anëtarë produktiv i shoqërisë, e nxit të prodhojë të fitojë dhe të mos kërkojë nga njerëzit e tjerë. Myslimani duhet ta ruaj dinjitetin dhe krenarinë e tij, të mos e dëmtojë atë duke lypur, gjë e cila ndikon që njerëzit ta shohin me nënçmim dhe përbuzje.

Sipas rrëfimit të Enes b. Malikut (r.a.), një sahabi shkoi te Profeti (a.s.) dhe i kërkoi lëmoshë.

Profeti (a.s.) e pyeti: “A s’të ndodhet gjë në shtëpi?”

Ai iu përgjigj: Po o i Dërguar i Allahut, kam një shtrojë që e përdor për ta shtruar dhe për mbulojë dhe një enë për të pirë ujë.”

Profeti (a.s.) e dërgoi atë në shtëpi për t’ia sjellë mbulesën dhe enën. Pastaj i shiti vetë ato për dy dërhem dhe i tha kështu sahabiut:“Me një dërhem blij ushqim për familjen dhe lëri në shtëpi, kurse me dërhemin tjetër blij një sëpatë dhe eja prapë tek unë!”

Sahabiu u kthye tek Profeti (a.s.) me sëpatë në dorë, ai e porositi më këto fjalë sahabiun:“Shko tani, bëj dru dhe shiti. Për pesëmbëdhjetë ditë të mos të të shoh më këtu!”

Sahabiu u largua, bëri dru, i shiti dhe fitoi dhjetë dërhemë. Me një pjesë të tyre bleu rroba, kurse me pjesën tjetër, ushqime. Atëherë, Profeti (a.s.) i tha:“Kjo është më mirë për ty sesa të vijë lypja si pikë e zezë në fytyrën tënde Ditën e Kiametit. Lypja është e lejueshme vetëm për këta tre persona: për të varfërin e uritur dhe aq të drobitur sa të mos ngrihet dot në këmbë, për atë që ka hyrë në një borxh që s’e përballon dot dhe për atë që s’e paguan dot borxhin e vrasjes pa dashje apo plagosjes![3]

Islami nuk e ka ndaluar që nevojtarët të kërkojnë nga të tjerët, megjithëse moralisht nuk e ka pëlqyer atë.

Puna jo vetëm që i siguron besimtarit një jetesë dinjitoze, por në të njejtën kohë është adhurim, adhurim i cili të përfiton kënaqësinë e Allahut. Profeti (a.s.) e ka krahasuar punën me Xhihadin. Të dyja shërbejnë për të mbrojtur ata gjëra që çdokush i ka të shejnta; si lirinë e besimit dhe mendimit, nderin dhe jetën.

Një ditë, para Profetit (a.s.), kaloi një djalë i ri dhe i fuqishëm fizikisht. Sahabët që gjendeshin aty me Profetin thanë:

– O i dërguari i Allahut! Sa mirë do të ishte, në qoftë se ky njeri do të luftonte në rrugën e Allahut!

Profeti (a.s.), iu përgjigj atyre:

– Në qoftë se ky njeri ka dalë nga shtëpia e tij me qëllim që të punojë për të fituar bukën e fëmijëve të tij, ai është në rrugën e Allahut. Në qoftë se ka dalë që të kryejë nevojat e prindërve të tij, ai është në rrugën e Allahut. Në qoftë se ka dalë të fitojë bukën e tij, ai është në rrugën e Allahut. Në qoftë se ka dalë për t’u dukur rrugëve, ai është në rrugën e shejtanit. (Et-Tergib vet-Terhib, vol. 2, fq. 254.)

Në atë kohë besimtarët po kalonin një periudhë shumë të vështirë, po luftonin për egzistencë, prandaj sahabët dëshironin ta shikonin këtë të ri, të fuqishëm fizikisht, si ushtar, mirëpo Profeti (a.s.) ju dha një mësim të vyeshëm atyre, dhe ne emër të tyre të gjithë besimtarëve: “Puna është po aq e rëndësishme dhe e vlefshme sa edhe vetë xhihadi.”

 

Erjol Haxhiu

[1] Sahihu i Buhariut, hadithi nr. 5188.

[2] Sahihu i Buhariut; Hadithi nr. 2262.

[3] Ebu Davud, Zekat, 1641.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit