16.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Vlera e përmendjes së Allahut

Më të lexuarat

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Prej veprave më të mira me të cilat njeriu mund t’i afrohet Allahut të Lartësuar është dhikri, përmendja e Allahut. Allahu i Madhëruar i ka përmendur në Kuran ata të cilët e përmendin Atë në mënyrën më të bukur: “Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt. Për ata që Allahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit!” (Ali Imran 190-191)

Kurse në ajetin tjetër tregoi vlerën e dhikrit dhe tregon se me përkujtimin e Allahut të Madhëruar qetësohen zemrat e besimtarëve: “Ata që besuan dhe me të përmendur Allahun (dhikër) zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur Allahun zemrat stabilizohen.” (Er-Ra’d 28)

I ka shpërblyer ata të cilët e përmendin Allahun duke i kujtuar edhe Allahu ata dhe nuk ka shpërblim më të madh sesa të të kujtojë Allahu i Lartësuar: “Pra ju më kujtoni Mua, Unë ju kujtoj juve.” (El Bekare 152)

Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë se Allahu i Madhëruar ka thënë: “Unë jam afër robit Tim kur të mendojë për Mua dhe Unë jam me të kur të më përkujtojë Mua. Nëse më përkujton mua në vetvete, do ta përkujtoj atë në vetveten Time. Nëse më përkujton Mua në grup, do ta përkujtoj atë në një grup më të mirë sesa ata.” (Buhariu 4/7405 dhe Muslimi 4/2061)

Ibn Kajimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Sikur të mos kish pasur asnjë hadith që flet për vlerën e dhikrit përveç këtij hadithi, do të kishte mjaftuar.” (El Vabil Es-sajib minl kelim et-tajib f.71)

Lexoni këtë hadith ku flitet për vlerën e dhikrit. Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “A dëshironi t’ju tregoj për një vepër që është më e dashur dhe më e lavdëruar tek Krijuesi i juaj dhe do e ngrejë më shumë shkallën tuaj? Është më e mirë për ju sesa të jepni lëmoshë ari dhe argjend, është më e mirë për ju sesa të takoheni me armikun dhe t’ia hiqni kokat atyre apo t’ju heqin kokat juve?” Të pranishmit thanë: “Gjithsesi, o i Dërguar i Allahut.” Pejgamberi salallahu alejhi ue selem tha: “Dhikri (përmendja) e Allahut azze ue xhel.” (Tirmidhiu 5/459)

Ibn Tejmija, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Dhikri për zemrën është sikurse uji për peshkun. Si do të jetë gjendja e peshkut sikur të mos ketë ujë?” (Elvabil Es-Sajib minel kelam et-tajib f. 71)

Allahu i Madhëruar i ka urdhëruar robërit e Tij që ta përmendin Allahun e Madhëruar duke thënë: “O ju që besuat, përkujtoni Allahun sa më shpesh. Dhe madhërojeni Atë mëngjes e mbrëmje.” (El Ah’zab 40-41)

Po ashtu, Pejgamberi salallahu alejhi ue selem na ka treguar të gjitha llojet e përmendjes së Allahut të Madhëruar, si: dhikri i mëngjesit, i mbrëmjes, i fjetjes, i zgjimit, kur të hysh në shtëpi, kur të dalësh nga shtëpia, kur të hash e kur të pish dhe shumë dhikre të tjera. Nëse besimtari u përmbahet, do të jetë prej atyre që e përmendin shumë Allahun e Madhëruar dhe po ashtu do të jetë i siguruar nga cilësitë e munafikëve, për të cilët Allahu i Lartësuar ka thënë: “Munafikët përpiqen të mashtrojnë Allahun (duke u paraqitur rrejshëm si besimtarë), por Allahu mbizotëron dinakëritë e tyre. Ata edhe kur falen, falen me përtaci dhe vetëm sa për t’u dukur te njerëzit dhe fare pak e përmendin Allahun.” (En-Nisa 142)

E lusim Allahun e Madhëruar që të na bëjë prej atyre që e përkujtojnë shumë Atë dhe na ruajttë nga hipokritët!

Përktheu: Eroll Nesim

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit