Analiza e opinionit publik është një fenomen tipik amerikan. Anketa e parë u zhvillua në vitin 1824, e cila tregoi se Andrew Jackson kryesonte ndaj John Quincy Adams në garën presidenciale. Faktikisht, ajo anketë doli e gabuar, por që nga ajo kohë anketat zhvillohen për çdo aspekt të jetës amerikane. Në botën e anketave, asnjë kompani nuk ka emrin dhe prestigjin e organizatës Gallup. Në vazhdidm ju ftojmë të ndiqni pjesën e parë të një cikli materialesh të përgatitur nga korrespondentja e Zërit të Amerikës Jela de Franceschi mbi themeluesin e organizatës, misionin dhe të ardhmen e saj.
Në zgjedhjet presidenciale të vitit 1936, Presidenti Delano Franklin Roosvelt shënoi një fitore dërrmuese ndaj rivalit Alfred Mossman Landon. Kjo ishte një ditë e rëndësishme edhe për një specialist anketash të quajtur George Gallup, i cili parashikoi thuajse me ekzaktësi fitoren dërrmuese të Roosveltit. Pas këtij parashikimi, anketat Gallup morën një rëndësi dhe emër në shkallë kombëtare dhe mbetet edhe sot e kësaj dite etaloni i opinionit publik amerikan dhe atij botëror.
“Pas një pritjeje të gjatë, opinioni publik u ngjit në skenën botërore. Deri në atë moment mendimi i masës nuk përfshihej. Masat nuk kuptoheshin, nuk dëgjoheshin, talleshin, por në mes të viteve 1930 kjo ndryshoi në mënyrë dramatike. Tani zëri i njerëzve përfshihet në përcaktimin e së ardhmes”.
“Ai la një citim të mrekullueshëm: ‘Nëse demokracia nënkupton vullnetin e popullit, atëherë dikush duhet të përpiqet të mësojë cili është ky vullnet’. Më pëlqen shumë ky mision, i thjeshtë dhe i qartë”.
“Ai gjithmonë kishte respekt të madh për opinionin kolektiv të popullit. Ai kishte besim tek popullata. Ai ishte i mendimit se opinioni i secilit kishte vlerë. Kjo ndihmoi që Gallupi të merrte emër. Ai kishte shumë respekt për pjesëmarrësit në anketa”.
“Ajo që ka rëndësi është se George Gallup kurrë nuk thoshte se duhet të bëhen zgjedhjet në bazë të opinionit. Kishte politikanë që thonin: ‘Do të bëj atë që e konsideroj të drejtë, dhe jo atë që thotë anketa e Gallupit’. Pyetja është a e di më së miri politikani se çfarë mendon elektorati. Nëse nuk e di, ai mund të bëjë gabime. Kjo nuk i shërben as elektoratit, as vendit dhe as botës”.
Por anketat e Gallupit nuk kanë qenë të pagabueshme. Një fiasko e paharrueshme ishte parashikimi i gabuar i rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 1948. Gallupi parashikoi fitoren e kandidatit republikan Tom Dewey, por në fakt fitoi demokrati Harry Truman. Ky rezultat e la Gallupin të turpëruar dhe e detyroi të rishikonte metodologjinë e tij.
Aftësia e George Gallupit ishte rezultat i shkollimit të tij. Ai kishte marrë Doktoraturën në Psikologji në vitin 1928, me përqëndrim tek anketat. Në 1932 ai u largua nga sfera akademike dhe filloi punë me një firmë reklamash në Nju Jork.
Organizata Gallup në formën e saj aktuale, u formua në vitin 1958. Ashtu si në shumë sipërmarrje të tjera, Gallupi ishte organizata e parë që zhvilloi një anketim mbarë-global me pikëpamjet e 2 të tretave të popullatës së botës.