-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Video e Ramës për Nasip Naçon, komunikimi dhe trajtimi si numër

Më të lexuarat

AGIM BAÇI

Nuk është numri i të nënshtruarve ndaj propagandës që duhet të na trishtojë, por përpjekja e kryeministrit Rama për të na trajtuar si numër. Dhe ky trajtim i popullit si “një numër” shprehet thuajse hapur teksa z. Rama shfaqet në publik edhe duke bërë lëshime, edhe duke formuluar kërcënime.

Është po i njëjti person që kërkon të na bindë duke thënë se “ka rënë shi më shumë se në kohën e PD-së” për të justifikuar çdo dëm që nuk arrin ta frenojë për shkak se qeveria e tij nuk ka prioritet qytetarët. Ai kërkon të fusë vetveten te “shkopi i mrekullive” kur shprehet se “vaksinat janë dhuratë për shqiptarët për faktin shqiptarët paskan një kryeministër që quhet Edi Rama”. Asnjë përpjekje për të treguar kushtet e udhëtimit dhe garancinë për vaksinat.

Sepse ai beson se është vetë vaksina. Pas kësaj shfaqjeje si padron i cirkut, ai ëndërron ndoshta t’i etiketojë shqiptarët si kafshët që presin rradhën që t’i ushqejë ai “me pushtetin suprem të të qenurit kryeministër”…

Kjo përpjekje e Edi Ramës që t’i sheshojë të gjitha komunikimet e llogaridhënies pa dhënë asnjë sqarim për asgjë, nuk është as një tekë e çastit, as e pamenduar. Është thjesht një nga strategjitë e manipulimit që ai ka nisur që me ardhjen e tij në krye të Bashkisë së Tiranës e më pas si kryeministër, duke besuar se puliku duhet të dëgjojë vetëm një të vërtetë – atë që thotë ai.

Spektaklet në stadium me vaksinën e me shumë televizione e portale gati për ta spërkatur në çdo cep të Shqipërisë janë një mënyrë që aksush mos të debatojë as se kush ja paguan shpenzimet e gjyqit Becchetti-t, që ka nisur të vjelë paratë e shqiptarëve si zyrë përmbarimore, as për premtimet e pambajtura për rindërtimin nga tërmeti, as për përpjekjen e tij, tashmë me një parlament qesharakësh – dallkaukë që të përcaktojë se kush do të jetë pronar i një pjese të qytetit apo i mënyrës se si bëhesh biznesmen, nëpunës shtetit apo të përfitosh një legalizim apo pronë.

Këtë interes për të mbetur në pushtet me çdo kusht z. Rama përpiqet ta paraqesë sikur është dëshirë e të gjithë shqiptarëve, duke i atribuuar atyre gëzimin e pamasë se për ta mjafton përmendja e emrit të tij dhe gjërat vijnë si me magji në çdo sofër, në çdo lagje.

Në fakt Edi Rama që shfaqet si me sloganin “ju keni vaksinë se më keni mua kryeministër”, që duhej të bënte të skuqej edhe një fëmijë të klasës së dytë apo të tretë po ta thotë në një sektor lodrash, është po ai Edi Rama që një herë thoshte se shtëpinë në Surrel e kishte bërë me paratë në emigracion, pastaj me shitjen e pikturave, pastaj me pasurinë e gruas.

Madje, është po ai Edi Rama që edhe pse del në video duke dëgjuar se si shkon vjedhja e zgjedhjeve me “Niçet”, zgjedh të shfaqet si negociatori ndërkombëtar e nuk i përgjigjet askujt për marrëveshjen e interesit kombëtar me detin, edhe pse është kjo e fundit që i duhet shqiptarëve.

Është po i njëjti Edi Rama që edhe pse hap një konkurrim të të rinjve që duan të konkurrojnë për ekipin e tij për deputetë me siglën e partisë së tij, del në një video, gati erotike, duke ftuar ish-ministrin e LSI-së, Nasip Naçon, si të ishte një pijanec i rëndomtë rrugësh, një alabak që nuk e ka problem se kë ngacmon duke i “futur duart”- një gruaje apo një burri. Ky biseksualitet komunikimi në fakt është ndoshta tipari i tij më real në të gjithë këtë periudhë të përfshirjes në politikë.

Ai vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve, po tenton të ndërtojë alibinë se ai është vullneti i shqiptarëve se kjo marrëdhënie komunikimi erotiko-banale, është në vullnetin e shumicës. Ndaj, ai nuk fshihet më duke u shfaqur si reklamë “ ju jeni mirë sepse më keni mua!”, apo “më të mirë se unë nuk keni parë!”, duke e shfaqur gjithë fushën e komunikimit një banalitet ku nuk flitet për ansjë alternativë. Sepse ai kërkon të jetë vetë alternativa, pa shpjegime, pa dhënë asnjë llogari.

Për këtë i nevojitet vetëm sa më shumë prani në televizione, si ky show i vaksinës, i duhen video gjysmëerotike si ajo me Nasipin, si dhe i duhet të mbyllë çdo debat ku diskutohen video si ajo e ministrave dhe këshilltarëve të tij në Dubai apo në lukse të tjera, pasi pamje të tilla ngjallin neveri në popull dhe e rrezikojnë atë të shfaqet i urryer.

Në raste të tilla ai vë në punë mekanizmin – sa më shumë ettiketime negative për kundërshtarët e tij politikë që të harrohet skandali i bashkëpunëtorëve të tij. Madje, edhe me deklarata aq qesharake si ajo me “shiun që ishte më shumë se në kohën e PD-së”. Ai beson në mënyrë të verbër se ky banalitet do ta ndihmojë atë që të shmangë çdo ballafaqim politik. Ai kërkon që masën e zemëruar, masën e madhe që e neverit përmes gënjeshtarve dhe luksit të shfrenuar, ta shndërrojnë në individ, në numër, që mund ta kontrollojë përmes manipulimit.

Por, zemërime të tilla, kur njerëzit arrijnë që mos të besojnë më në asgjë që bën e thotë “lideri”, është e vështirë t’i menaxhosh. Historia ka treguar se janë shembur diktatura më të errëta, më të ashpra, sesa diktatura e banalitetit dhe erotizmit që po kërkon të ndërtojë z. Rama përmes tallavasë së tij mediatike në stadiume, në takime ndërkombëtare apo në studio ku tashmë nuk arrin të përmbajë asnjë lloj qetësie, pasi ndoshta as vetë nuk arrin ta besojë se sa shumë ka arritur të krijojë gënjeshtra.

Përballë kësaj neverie, ata që duan të bindin shqiptarët për një alternativë ndryshe mjafton të jenë normalë, të premtojnë një qeverisje normale, pa superheronj, pasi, siç ka thënë Abraham Lincolni (e që ja bëri plagjiaturë pa u skuqur aspak Rama), “askush nuk mund të mashtrojë për të gjithë kohën një popull të tërë!”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit