9.5 C
Pristina
Wednesday, October 9, 2024

Sjellja politike e turmave

Më të lexuarat

ARTAN FUGA

Propaganda e bind individin në turmë që ky i fundit të veprojë dhe sillet edhe kundër interesave të tij. E hipnotizon, pra, individin dhe e trajton pastaj siç do në turmë. Individi ka nevojë të identifikohet si vetja e vet.

Por, në një shoqëri në krizë, i vetmuar, i dobët, ai ndihet inferior.

Për t’i shpëtuar inferioritetit dhe shkatërrimit psikologjik, identifikohet te propagandisti kryesor, pra, e sheh atë sikur të ishte babai i tij.

Në këtë mënyrë, individi në turmë, në masë, qoftë kjo masë mitingashësh, ose telespektatorë në shtëpia, ose thjesht zgjedhës, pëson një regresion psikologjik, bëhet fëmijë dhe e sheh propagandistin kryesor si babanë e vet.

Këtu i nis dashuria-bindja libidinale për udhëheqësin – propagandist, sikurse dashuria inkoshiente për Babain simbolik, nën autoritetin e të cilit, në moshën e libidos orale, nis të formohet si identitet.

Individi nuk sheh më interesat e tij në mënyrë të arsyeshme, sepse nis t’i bllokohet arsyeja dhe përjeton vetëm emocionalisht, psikologjikisht nisin simptomat psikopatologjike të hyjnizimit të liderit propagandistik.

Identifikimi me liderin prodhon narcizëm, narcizmin e individit në turmë që pëlqen vetëm veten e vet dhe narcizmin e liderit që nis të identifikohet me Babain mitologjik të kohëve primitive që kastroi individin, i trodhi dhe i bëri të binden bijtë e vet.

Instinkti i vëllezërve të tredhur që vrasin Babain, nis të kapë individin në turmë. Ai jeton nën efektin e mitit.

Idealizon objektin e dashurisë së tij, që është lideri politik propagandues, si Babën e vet.

Lideri bëhet edhe ai narcis, sepse sheh që turma e vëllezërve të tredhur para tij në miting e adhuron. Këtu nis adhurimi i vetes dhe narcizmi sepse e sheh veten në pasqyrën e thirrjeve frenetike të masës të tredhur.

Lideri propagandistik, i narcizuar si Baba i kombit, i turmave, e di që turmat nuk binden me argumente, por vetëm me slogane dhe thirrje dashurie dhe ndëshkimi. Me slogane të thjeshta, budallallëqe pa kuptim. Dashuri-ndëshkimi i të tredhurve bëhet mekanizmi i hipnotizimit të tyre. Këta sillen si fëmijë, pësojnë regres psikologjik, duke u kthyer në moshën e çilimillëkut të hershëm dhe shohin babën në sy, që është garanti i qëndrimit të nënës në shtëpi. Bebja do nënën dhe turma do krodhën e bukës, do një strehë, një rrogë, një ndihmë sociale, një bursë, një shtesë rroge.

Babai u hedh diçka sa për t’i bindur se ata janë nën mbrojtjen e tij.

Turma e tredhur, e hipnotizuar, e narcizuar, e barazuar me babanë lider që idealizon objektin që ka përpara, nën mbrojtje iluzore, infantilizohet dhe në mënyrë krejt irracionale bën çfarë i kërkojnë.

Ky është, thotë i madhi Teodor Adorno, mekanizmi psikologjik që i bën masat të sillen si dele, si të tredhur, kastruar, para një propagande të gënjeshtërt dhe të mos arrijnë më të mendojnë më.

Ky është, thotë ai, mekanizmi i mbajtjes së pushtetit me ndihmën e masave të hipnotizuara nga propaganda. Masa e futur nën ndikimin e propagandës ka nevojë të tallet, fyhet, poshtërohet, shkruan Adorno, dhe me ndonjë krodhe të hedhur t’i simbolizohet mbrojtja nga babai i hordhisë arkaike.

Turma nis të jetë narciste dhe do çdokënd që është në anën e vet dhe sulmon, përjashton, godet të gjithë të tjerët. Sjellje narciste violente.

Kjo është teza e Teodor Adornos.

Individualizim.

Identifikim.

Projektim.

Regresion.

Idealizim.

Narcizëm.

Hipnotizim.

Përjashtim.

Histeri.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit