4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

“Vendimi i GJED-së cenon të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”

Më të lexuarat

SHKUP (АА) – Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) të martën mori vendim me të cilin punëdhënësve u lejohet të ndalojnë mbajtjen e karakteristikave fetare, politike dhe filozofike në vendet e punës.

Gjykata me seli në Luksemburg në atë mënyrë iu mundësoi punëdhënësve me rregullat e brendshme të firmave ta caktojnë kodeksin e veshjes.

Në vendim thuhet se ndalimi i mbajtjes së simboleve të dukshme fetare, politike dhe filozofike nuk përbën diskriminim.

Me këtë vendim, punëdhënësit mund të ndalojë mbajtjen e shamisë dhe hixhabit, ndërsa e tërë procedura para gjyqit filloi pas dy rasteve të diskutueshme të pushimit nga puna të punonjësve të cilat kishin veshur hixhabin në dy kompani në Francë dhe në Belgjikë.

Ky vendim i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë shkaktoi një sërë reagimesh negative nga një numër i shoqatave për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, të cilat theksojnë se ky vendim shkel të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Uranija Pirovska, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Shkup, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) thotë se ky vendim i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë është për t’u habitur dhe mund të ketë ndikim negativ në të drejtat e punëtorëve në BE.

“Ne mendojmë se vendimi është për t’u habitur. Vendimi mund të ketë pasoja negative për të drejtat dhe liritë e punëtorëve në BE, dhe në veçanti mbi të drejtën për respektimin e jetës private, e drejta për mbrojtjen nga diskriminimi dhe lirinë e shprehjes, ndërgjegjes dhe fesë”, tha Pirovska.

“Me vendimin e GJED-së punonjësit mund të ndihen të pabarabartë”

Përveç kësaj, ajo thekson se ky vendim vë në pikëpyetje të drejtat e zgjedhjes së lirë të punësimit dhe qasjes së barabartë në punë.

“Në lidhje me implikimet e saj në shoqëritë multikonfesionale dhe multietnike, vendimi nuk ka të bëjë vetëm për një fe ose besim, gjegjësisht në qoftë se punëdhënësit zgjedhin që në vendin e punës të ndalojnë karakteristika. Një ndalim i tillë nuk duhet të jetë selektiv, ose duhet t’i referohet karakteristikave të ngjashme me ndonjë fe apo besim. Prandaj, vendimi vë në pikëpyetje të drejtat individuale. Por, në varësi të rëndësisë dhe përfaqësimit të karakteristikave në religjionet e ndryshme, punëtorët e feve të caktuara mund të ndjehen të pabarabartë në krahasim me punëtorët e besimeve të tjera apo atyre që nuk besojnë”, tha Pirovska.

Qëndrim të ngjashëm ka edhe Mersiha Smailoviç, kryetare e Shoqatës së grave “Edu-Nisa” në Shkup dhe aktiviste e për të drejtat e njeriut, e cila përndryshe është juriste me profesion.

Duke e komentuar vendimin e GJED-së, Smailoviç në deklaratë për AA thotë se vendimi është marrë në kohën kur po rritet ksenofobia dhe popullariteti i të djathtës ekstreme në Evropë.

“Me rritjen e përditshme të ksenofobisë në Evropë si dhe retorikën të cilën vazhdimisht e dëgjojmë nga e djathta ekstreme në Evropë ishte tejet normale dhe e pritshme që të zhvillohet një diskutim madje edhe në organet gjyqësore, për atë se sa muslimanët dhe muslimanet gëzojnë të drejta në Evropë. Sikur problemin e vetëm Evropa e ka me gratë muslimane, dhe kushedi se për të satën herë me radhë godet mbi identitetin e tyre. Vendimi të cilin e solli Gjykata Evropiane e Drejtësisë me të vërtetë është rast paradoksal për të cilin qytetare të Francës dhe Belgjikës ankohen”, thekson Smailoviç.

“Më tej në vendimin e gjykatës thuhet se punëdhënësi gjithashtu mund të marrë masë tjetër, ndërsa ajo është ta izolojë muslimanen nga pozicioni i cili do të ishte e dukshëm, paraqitjen e saj ta vë në funksion të margjinalizimit ose profesionin në vet kompaninë”, thotë Smailoviç, duke shtuar edhe aspektin sociologjik në vendimin e GJED-së.

“Nëse jeni muslimane në Evropë ju ballafaqoheni me disa norma të diskriminimit: diskriminimi mbi bazën e etnitetit, diskriminimi mbi bazën e religjionit, ndërsa e dimë se në Evropë mbisundon diskriminim ndërmjet burrave dhe grave lidhur me punën e paguar ose të papaguar”, sqaron ajo.

Sipas Smailoviç, nga aspekti juridik, vendimi i GJED-së përfundimisht cenon të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të cilat duhet t’i gëzojë secili qytetar i BE-së ndërsa ajo është e drejta për lirinë e shprehjes fetare dhe vullnetin e tyre të lirë.

“Shalli nuk është simbol fetar, por pjesë përbërëse e besimit tonë”

Nga ana tjetër, Smailoviç thekson se nevojitet diskutim dhe të bëhet qartë me dije se shalli nuk paraqet simbol fetar, por pjesë përbërëse të besimit islam.

“Duhet të zhvillohet si diskutim, shalli nuk paraqet simbol fetar, shalli është pjesë përbërëse e besimit tonë. Simbolet janë definuar nga njerëzit ndërsa shalli është shenjë e besimit tonë dhe na identifikon si gra muslimane. Nëse ju kërkoni që të heqim shallin do të thotë se kërkoni që të cenoni integritetin dhe identitetin tonë”, tha Smailoviç.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit