-2.9 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Vëllazëria bardhë e zi! – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Afërsia e gjakut ka qenë dhe është në shumicën e rasteve, shkak i qëndrimeve të padrejta. Njerëzit, për shkak të afërsisë që kanë mes tyre, nuk e kanë aspak të lehtë të mos i dalin në krah njeriut të tyre, edhe kur ai është në faj. Ekziston një ligj i pashkruar, se njeriu yt mbrohet në çdo rast.

Në shoqëritë fisnore, ku përkatësia klanore është shumë e fortë, parimi ‘Mbroje vëllanë tënd, edhe kur është i padrejtë!’, është gjithmonë prezent. Por besimi fetar dhe ai moral universal vendos drejtësinë si më parësore, edhe ndaj vëllazërisë së gjakut dhe asaj klanore. Por kjo, sigurisht që nuk do të thotë kurrsesi braktisje e kësaj vëllazërie, por përpjekje për ta bërë atë më të mirë dhe më parimore.

Arabët e kohës së Profetit në lidhjen klanore mes tyre përdornin parimin se vëllai duhet mbështetur në të dyja rastet, edhe kur ai është i padrejtë, edhe kur atij i bëhet padrejtësi. Kur i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) e konfirmoi me të njëjtat fjalë këtë parim, sahabët u habitën dhe e pyetën se si mund të gjendemi në krah të vëllait tonë, kur ai është i padrejtë, sepse natyrisht feja drejtësinë e ka parësore?! Dhe Profeti, i cili duket se qëllimisht e kishte përdorur të njëjtën shprehje, u përgjigj qetësisht duke thënë: “Ta ndihmoni, duke e ndaluar nga padrejtësia.”

Profeti i Zotit mund të kishte zgjedhur edhe forma të tjera për të shprehur se parimi i drejtësisë aplikohet me të gjithë, por jo, ai kishte për qëllim të tregonte se drejtësia me njerëzit, sidomos ata të afërm, nuk do të thotë braktisje e tyre, por përpjekje për t’i përmirësuar ata, për t’i bërë ata të drejtë. Ndihma dhe mbështetja e vërtetë ndaj një të afërmi të padrejtë, nuk është përkrahja apo heshtja ndaj zullumit të tij, por përpjekja për ta ndaluar atë nga padrejtësia.

Kur Halid ibn Uelidi, gjatë një beteje vrau gabimisht disa njerëz të një fisi, të cilët nuk ditën të shpreheshin qartë se pranonin Islamin, i Dërguari i Allahut u distancua publikisht nga veprimi i tij, dhe pagoi shpagimin e gjakut për ta, por ndërkohë, nuk e braktisi dhe hodhi poshtë Halidin për këtë gabim, sepse ai, jo vetëm që ishte një besimtar i mirë, por kontributi i tij për Islamin ishte i mirënjohur.

Kështu pra, edhe njerëzit e mëdhenj mund të gabojnë, dhe gabimi i tyre nuk duhet mbrojtur dhe as mbështetur, edhe nëse ata janë më të dashurit dhe të afërmit tanë, por as nuk duhen braktisur për këtë gabim.

Besnikëria, dashuria, solidariteti, mbështetja dhe simpatia ndaj të afërmve tanë në gjak dhe në besim, nuk është diçka unike që ose gjendet e plotë, ose nuk gjendet fare. Jo, ajo është me nivele dhe e lidhur ngushtësisht jo vetëm me afërsinë personale, por edhe me nivelin e besimit, drejtësisë dhe mirësisë që ky i afërm në gjak ose në besim ka. Ndaj nuk është aspak kontradiktore që të jesh në krah të vëllait tënd të gjakut ose të besimit, kur ai ka nevojë, dhe të jesh kritik ndaj gabimeve dhe fajeve të tij, kur ai bie në to.

Qëndrimet nihiliste apo tekfiriste, që shumëzojnë me zero çdo mirësi, besim dhe afërsi feje apo gjaku, për çdo gabim ose devijim, si të ishin kufër apo shirk i madh që të nxjerr nga feja, nuk janë prej Islamit. Ashtu siç njerëzit nuk janë të një niveli në besim, ashtu edhe qëndrimi ndaj tyre nuk mund të jetë ose vetëm pro, ose vetëm kundra. Sunijtë janë ndjekësit më të vërtetë të Islamit, në tërësinë e argumenteve të tij, ndaj dhe ashtu siç besimi për ta, shtohet dhe pakësohet dhe njerëzit në të janë në nivele, ashtu edhe qëndrimi ndaj tyre është i tillë, me nivele.

Ky parim islam shtrihet për të gjithë njerëzit dhe Allahu madje ka bërë dallim mes idhujtarëve dhe ithtarëve të Librit (ehli kitab), duke i konsideruar këta të fundit më të afërm me muslimanët, edhe pse të gjithë ata janë jomuslimanë (kufarë), ashtu siç ka bërë dallim mes një jomuslimani të drejtë dhe atij të padrejtë, mes atij të afërm dhe atij të largët.

Në fakt, këtë e pranon edhe logjika e shëndoshë, dhe kjo është ajo se si sillen shumë prej njerëzve në botë karshi të afërmve të tyre në besim apo gjak, ndaj është mungesë logjike dhe koherence, mënyra se si sillen disa njerëz, duke i parë gjërat vetëm bardhë e zi, në disa raste, ndërkohë që në raste të ngjashme, nuk janë kurrë kaq kategorikë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit