1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Vdekja mes shkencës dhe besimit

Më të lexuarat

Nga: Abdu Daim Kehil

Vdekja mes shkencës dhe besimit

Nga mëshira e Zotit të lartësuar është edhe caktimi i vdekjes si fund normal i çdo qenie të gjallë. Gjithçka shuhet një ditë, përveç Zotit të lartësuar. Por çfarë thotë shkenca moderne lidhur me këtë realitet? Shkencëtarët biologë deklarojnë se vdekja nuk është më pak e rëndësishme sa vetë jeta…
Vdekja është një argument hyjnor i cili prek secilin prej nesh. Ajo është krijuar si një test dhe provë për ne njerëzit. Ajo përbën fundin e jetës mbi tokë dhe një urë për të kaluar në botën tjetër, botën e ringjalljes dhe shpërblimit, ose ndëshkimit për veprat tona.
Vdekja urrehet nga njeriu, aq sa dëshirohet përjetësia në këtë botë dhe kjo ndjenjë e ka shoqëruar atë që nga njeriu i parë mbi tokë, Ademi a.s. Çështja e vdekjes dhe përjetësisë për çdo njeri, është diçka tepër e rëndësishme.
Pasi Ademi a.s ishte vendosur përfundimisht në xhenet, i vjen shejtani për ta tunduar dhe joshur. Kjo, pasi shejtani kishte refuzuar ti përulej Ademit a.s.
“Kur u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, ata u përulën, përveç Iblisit, i cili nuk deshi, u tregua mendjemadh dhe u bë mosbesimtar.” (Bekare, 34)
Shejtani përdori të gjithë metodat për ta shtyrë dhe joshur Ademin a.s drejt gjynahut, metoda të cilat dështuan. Atëherë ai përdori një hile tjetër, i premtoi atij përjetshmërinë. Allahu i madhëruar e kishte lënë Ademin a.s të lirë në xhenet, për të ngrënë nga të gjithë frytet. Por ia kishte ndaluar Ademit a.s të ushqehet na një pemë. Shejtani i tha se pema e ndaluar, ishte pema e përjetësisë. Nëse Ademi a.s do të hante nga frutat e kësaj peme, do të bëhej i përjetshëm dhe nuk do të vdiste kurrë.
“Por djalli e cyti: “O Adem, a do të tregoj pemën e përjetësisë dhe të një mbretërimi që nuk zhduket?” Kështu, ata të dy, (Ademi dhe Havaja), hëngrën nga ajo pemë e u ndërgjegjësuan për lakuriqësinë e tyre, prandaj nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit. Ademi nuk e zbatoi urdhrin e Zotit të vet, kështu që devijoi (nga rruga e drejtë).” (Taha, 120-121)
Gjatë gjithë kohërave, njerëzit e kanë ëndërruar dhe dëshiruar përjetësinë. Kjo ëndërr ka vazhduar që nga lashtësia gjer në fillimin e shekulli njëzetë. Me zhvillimin e shkencave dhe të teknologjisë, filluan kërkimet mbi sekretin e vdekjes dhe mundësinë e përjetësisë. Për zgjatjen e jetës së njeriut, mos plakjen dhe përjetësinë, u shpenzuan me miliarda dollarë. Megjithatë, të gjithë eksperimentet dhe përpjekjet dështuan, saqë shkencëtarët deklaruan me pezmatim se vdekja nuk ka ilaç.
 
Si arritën në këtë përfundim?
Pas shumë studimesh dhe hulumtimesh, shkencëtarët zbuluan se brenda çdo qelize ekziston një program i ngjashëm me atë të kompjuterit, por akoma më kompleks dhe i detajuar, i cili është specifik për vdekjen. Secili prej nesh ka në trup me trilionë qeliza, të cilat kanë një sistem perfekt i cili kontrollon zhvillimin e qelizës gjer në vdekjen e saj. Sipas shkencëtarëve, brenda çdo qelize, gjendet një orë biologjike që rregullon aktivitetin e qelizës. Imagjinoni një krijesë si njeriu, i cili ka në trup njëqind trilionë ora. Kush është ai që i rregullon, i sistemon dhe i ruan nga defektet këto ora? Kush është ai që i mirëmban ato? Kush është ai që i furnizon me energjinë e duhur që të punojnë pa pushim? A ka ndonjë krijesë e cila pretendon se e bën gjithë këtë? Padyshim që Ai që i ka krijuar dhe kujdeset për gjëra të tilla, është Allahu i lartësuar. Thotë Zoti në Kuranin fisnik:“Ai është Sunduesi mbi robërit e Vet. Ai ju dërgon rojtarë (engjëj) të cilët, kur ndonjërit nga ju i vjen vdekja, ia marrin shpirtin, duke mos bërë kurrfarë lëshimi.  Pastaj të gjithë do të kthehen tek Allahu, Zoti tyre i vërtetë. Vetëm Atij i takon të gjykojë dhe Ai është më i shpejtë në llogari.” (En’am, 61-62)
Shkencëtarët, zbuluan se të gjitha qelizat, të njeriut, kafshëve apo bimëve, i nënshtrohen këtij fenomeni. Çdo qelizë e gjallë, përmban në ADN lëndë të cilat janë specifike për vdekjen e qelizës. Gjatë orvatjes së shkencëtarëve për të  zgjatur jetën e disa gjallesave si mizat, zbuluan se pas një farë kohe, këto qeliza shndërroheshin në qeliza kanceroze. Pra, këto qeliza ku ndërhyhet për të zgjatur jetën, ose vdesin shpejt, ose shndërrohen në kanceroze. Kështu, probleme veçse kompleksohej më shumë dhe fundi ishte po ai, vdekja.
E njëjta gjë u ndodhi dhe me njerëzit. Ata bënë eksperimente për të zgjatur jetën e disa qelizave të njeriut. Por që rezultati ishte fatal, pasi qelizat shndërroheshin në kanceroze vdekjeprurëse. Bazuar në këtë, shkencëtarët pohuan se vdekja është e domosdoshme për qeniet e gjalla dhe nuk është më pak e rëndësishme sesa jeta. Vdekja është një krijesë brenda çdo qelize të gjallë.  
Në ADN, Zoti ka krijuar gjene të caktuara të cilat kujdesen për rregullin e punës së qelizës, zhvillimin, ndarjen dhe në fund vdekjen e saj. Pra, vdekja është një krijesë siç është dhe jeta. Thotë Zoti në Kuran:”Qoftë i lartësuar Ai, në dorën e të Cilit është pushteti suprem dhe që është i Fuqishëm të bëjë çdo gjë! Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë.” (Mulk, 2)
Në këtë ajet, Zoti thotë se vdekja është e krijuar “Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen” Të njëjtën gjë që e zbuluan shkencëtarët, Kurani e ka cituar që para katërmbëdhjetë shekujsh. Qëllimi i vdekjes është sprova “për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë.”
Kushti i veprave nuk është sasia, por cilësia,veprat e mira. Tek Zoti nuk ka vlerë sasia, por cilësia. Tek Zoti ka vlerë sinqeriteti dhe orientimi drejt Tij. Ai kërkon që këto vepra të mira të bëhen me nijet të pastër, vetëm për Zotin.
Në një ajet tjetër, ceket më qartë se vdekja është e krijuar brenda një sistemi perfekt që në spermë, prej të cilës krijohet njeriu. Thotë Zoti në Kuran:”A e keni parë farën që e hidhni? A jeni ju që e krijoni atë apo jemi Ne krijuesit e saj? Ne e caktojmë vdekjen tuaj dhe askush nuk mund të na pengojë që t’jua ndryshojmë trajtën dhe t’ju rikrijojmë ashtu si nuk e dini (në Ditën e Ringjalljes).” (Vakia, 58-61)
Duket qartë lidhja që bën Kurani mes vdekjes dhe fillimit të krijimit të njeriut në pikat e para të spermës.
Shkencëtarët theksojnë se vdekja krijohet brenda farës ose spermës dhe zhvillohet brenda qelizave që në embrion. Vetë Kurani flet mbi krijimin e njeriut që në fazën e parë, kur është spermë dhe mandej kur i caktohet vdekja. Thotë Zoti në Kuran:” A e keni parë farën që e hidhni? A jeni ju që e krijoni atë apo jemi Ne krijuesit e saj? Ne e caktojmë vdekjen tuaj dhe askush nuk mund të na pengojë”
Shkencëtarët pohojnë se brenda çdo qelize, bashkë me të krijohet dhe një lëndë që shërben si sistem sigurie për jetën e qelizës. Pas çdo ndarje, sasia e kësaj lënde ndryshon dhe sa më shumë të pakësohet, aq më shumë i afrohet vdekjes. Kur mbërrin një madhësi të caktuar, ajo e ndërpret riprodhimin dhe vdes. Këtë realitet e cek dhe Kurani ku thotë:” Ne e caktojmë vdekjen tuaj dhe askush nuk mund të na pengojë”
Të caktosh, do të thotë të vendosësh cakun dhe pragun e diçkaje. Pra, Zoti ka vendosur dhe caktuar një sistem për vdekjen, sistem të programuar mirë për procesin e vdekjes.
Shkencëtarët, këtë proces nuk e kanë quajtur vdekja e qelizës, por vdekja e programuar e qelizës. Vdekje e programuar, do të thotë që ajo ndjek një rregullore të përpiktë. Pikërisht për këtë, Zoti thotë se:”Ne e caktojmë vdekjen tuaj…”
 
Aktivitet në rënie
Tek çdo qelizë në trup, ndodhin aktivitete të cilat shkencëtarët i quajnë aktivitete denigruese. Ato fillojnë të ndodhin pas një farë kohe nga formimi i qelizës. Me tu krijuar, qeliza fillon të zhvillohet, rritet dhe ushtron aktivitetin e saj. Pasi njeriu të ketë kaluar një moshë të  caktuar, dyzet, pesëdhjetë apo gjashtëdhejtë vjeç, qelizat fillojnë të dobësohen në trupin e njeriut. Sipas shkencëtarëve, ky proces denigrues i qelizave nuk mund të ndërpritet kurrë. Nëse tentohet të ndërpritet ky proces, kjo do të thotë vdekje për qelizat. Vdekja është një proces i pashmangshëm.
“Kujtdo, që i japim jetë të gjatë, Ne e bëjmë sërish krijesë të dobët. Vallë, a nuk kuptojnë ata?” (Jasin, 68)
Kjo do të thotë, se njeriu i pajisur nga Zoti me dëgjim, shikim dhe shumë begati të tjera, sa më shumë të shtyhet në  moshë, aq më shumë i shtohet dëshira për të jetuar. Megjithatë, rrënimin dhe fundin e tij asgjë nuk mund ta parandalojë. Dobësimi fillon me qelizat e trurit, të mëlçisë, zemrës etj… derisa të përfundojë me vdekjen totale të njeriut.
Brenda çdo qelize, Zoti ka vendosur një program që është përgjegjës për zhvillimin e qelizës, ndarjen e saj dhe ndërveprimin me qelizat e tjera. Kur shkencëtarët u përpoqën të zgjasin jetën e qelizës, ajo u shndërrua në qelizë kanceroze dhe shpërtheu. Atëherë shkencëtarët u bindën se vdekja është fundi normal i të gjithë krijesave dhe se çdo orvatje për shtimin e jetës, bie ndesh me ligjet e natyrës. A nuk është e njëjta gjë e deklaruar më parë nga Kurani famëlartë:” Kudo që të gjendeni, do t’ju arrijë vdekja..” (Nisa, 78)
O njeri që je larguar nga Zoti dhe përkujtimi i Tij! Këto janë mesazhe që të vijnë nga Zoti, me qëllim që ti kthehesh Atij, ta besosh dhe adhurosh. A nuk të ka pajisur me mendje, me qëllim që të meditosh rreth fundit të jetës dhe ti kthehesh Zotit para vdekjes? Ti duhet ti kthehesh Zoti dhe nurit të Kuranit fisnik. Ti duhet të bësh pjesë tek ata njerëz të cilët i përshkruan Kurani me fjalët:”Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten.” (Enfal, 2)
Këto ajete janë paralajmërim për secilin prej nesh, që të meditojmë rreth këtij fenomeni të natyrshëm për të cilin na ka folur edhe Zoti në Kuran. “Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë.” (Mulk, 2)
 
Vdekja e papritur
Ajo që është më e çuditshme në këtë mes, është një fenomen i cili ka filluar të ndodhë shpesh vetëm kohët e fundit. Këtë fenomen, shkencëtarët e kanë emërtuar me fjalët vdekja e papritur. Shkencëtarët thonë se kjo vdekje ndodh brenda një ore ose më pak, për shkak të një tromboze në tru ose në zemër. Ky është një fenomen në rritje e sipër. Në kohët e hershme, fenomeni ishte shumë i rrallë për të mos thënë i panjohur. Megjithatë, i dërguari i Zotit a.s e kanë parashikuar diçka të tillë. Thotë Profeti a.s:”Nga shenjat e Ditës së Kiametit është dhe vdekja e papritur.” Është e çuditshme, pasi edhe shkencëtarët e kanë quajtur vdekja e papritur, të njëjtin term që ka përdorur Profeti a.s.
 
Statistika
Statistikat dhe numri i madh i njerëzve që vdesin apritur, ka bërë që qeveritë të shpenzojnë miliarda për ta luftuar këtë fenomen. Megjithatë, mjekët janë të paaftë përballë kësaj vale të re vdekjesh të papritura. Kur shohim statistikat e OKB mbi vdekjet e papritura për çdo vit, na bëjnë të reflektojmë dhe ti kërkojmë Zotit ndihmë dhe mbrojtje.
Mbi një milion persona vetëvriten çdo vit në rang botëror. Me qindra mijëra të tjerë vdesin të djegur dhe në aksidente automobilistike. Në Amerikë, personat që vdesin për shkak të sëmundjeve të zemrës është shtatëqind mijë. Kurse treqind mijë vdesin papritur. Një numër i caktuar vdesin nga kanceri i lëkurës, nga kanceri i gjirit, i mushkërive etj… Sikur vdekja ka vendosur një listë dhe sistem të caktuar. Ne e caktojmë vdekjen tuaj…”
Ai person që vdes në një aksident automobilistik, një vdekje e tillë i është caktuar nga Zoti, i cili ia ka lehtësuar dhe rrethanat. Sado që të përpiqet njeriu ti shpëtojë vdekjes, nuk do të mundet. Prandaj, Zoti u drejtohet atyre që frikësohen nga lufta në mbrojtje të fesë:”Atyre që nuk luftuan dhe thanë për vëllezërit e vet: “Sikur të na kishin dëgjuar ne, nuk do të ishin vrarë”, thuaju: “Prapësojeni vdekjen nga vetja, nëse flisni të vërtetën!” (Al Imran, 168)
 
Histori domethënëse
Një burrë i mençur dhe i ditur, ishte shtrirë në shtratin e vdekjes. Në një moment, ai thërret djalin e tij dhe i thotë:”O biri im! Ma jep filan libër pasi dua të kujtoj një mesele të cilën e paskam harruar.” Djali i thotë:”O baba! E çfarë do të ndodhë nëse nuk e mëson atë mesele, aq më tepër që gjendesh në shtratin e vdekjes?!” Babai iu përgjigj:”Të dal para Zotit duke e ditur atë mesele, është më e dashur për mua se të dal injorant.” Për këtë person, e gjithë jeta kishte qenë përgatitje për momentin kur do të dalë para Zotit.
Pyetja që shtrohet në fund është:”A nuk janë gjithçka që permendëm paralajmërime që ne të zëmë mend, ti kthehemi rrugës së Zotit dhe të bëjmë vepra të mira? Çfarë kemi përgatitur për Ditën kur do të dalim para Zotit? E lusim Zotin të na bëjë nga banorët e xhenetit dhe nga ata që do të fitojnë kënaqësinë e Tij!
“Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit; kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet). Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.” (Al Imran, 185)
E lusim Zotin që ta mbyllim jetën me vepra të mira dhe të na bashkojë me njerëzit më të mirë! Amin!
 
 Referencat:
1- Silvia G Priori, Douglas P Zipes, Sudden Cardiac Death, Blackëell Publishing,2005. 
2- Ben Best, Sudden Cardiovascular Death,ëëë.emedicine.com.
3- Aliot, Fighting Sudden Cardiac Death, Blackëell Publishing, 2000.
4- National Vital Statistics Reports, Vol. 53, No. 17, March 7, 2005.
5- Programmed cell death, www.wikimediafoundation.org
6- Researchers discover neë cell death program, The Rockefeller University, January 9, 2007.
7- Anderson RN, Smith BL. Deaths: leading causes for 2001. National Vital Statistics Report 2003.
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit