1.1 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Vdekja – këshilltari që heshtë

Më të lexuarat

“Ti (o Muhammed), do të vdesësh, por edhe ata kanë për të vdekur. Dhe pastaj, para Zotit tuaj, do të polemizoni me njëri – tjetrin.” (Ez-Zumer, 30-31).
Po ta lexojmë Kur’anin dhe hadithet e Muhammedit a.s., do të shohim se vdekja, si një fenomen dhe fakt i pamohueshëm, ka një përmendje të konsiderueshme. Ndërsa kjo ndodh për shkak se duke kujtuar vdekjen, përgatitja është më efikase, e muslimanëve u sjellë këshilla të rëndësishme dhe dobi të shumta.
Me kujtimin e shpeshtë të vdekjes, njeriu arrin te këto rezultate: pendimi i sinqertë nga mëkatet, braktisja e mendjemadhësisë dhe zilisë, kontrollimi i qëllimeve apo synimeve, shfrytëzimi më i mirë i kohës, si dhe, përgjithësisht, arrin të përmirësojë për të mirë gjendjen e tij personale. Andaj, është shumë e nevojshme që zemra të lidhet për këtë të vërtetë të madhe dhe të pamohueshme.
Melaqja e Zotit, Xhibrili, njëherë e frymëzoi zemrën e bekuar të Pejgamberit a.s., ku i tha: “Jeto si të jetosh, por dije se ke për të vdekur”. Melaqja e Zotit, sikur deshi me këtë t’ia bëjë me dije Muhammedit a.s., se e vërteta mbi vdekjen dhe afërsia e saj është e sigurt. Një gjendje e këtillë është prezente edhe në zemrat e besimtarëve, të cilëve Allahu ua ka zgjeruar gjoksin përpara dritës së Islamit dhe të mësimeve të tij.
Kur shokët e Muhammedit a.s., e pyetën për kuptimin e fjalëve të ajetit 125, të sures El-En’am, ku Allahu i Madhërishëm thotë: “Atë që Allahu do ta udhëzojë, ia hap zemrën e tij për fenë Islame”, Pejgamberi a.s, u përgjigj: “Kjo është drita që Allahu lëshon në zemrën e besimtarit, e pastaj ajo zgjerohet.” Shokët vazhduan ta pyesin se mos vallë ka ndonjë shenjë që tregon më qartë këtë, e ai, alejhis-selam, tha: “Po, shtimi i kujdesit ndaj shtëpisë së përhershme, maturia ndaj shtëpisë mashtruese (e përkohshme), dhe përgatitja për vdekjen para se të vij ajo.” Njëherë, një njeri e pati pyetur nënën e besimtarëve, hz. Ajshen r.a.: “O nënë e jona! Unë kam një sëmundje dhe kam ardhur tek ju për të gjetur ilaç. “Cila është sëmundja jote?” – e pyeti hz. Ajsheja. Njeriu iu përgjigj: “Ashpërsia e zemrës”. Ajo ia ktheu: “Sëmundja jote është shumë e rëndë. Prandaj, që të të largohet, vizitoi të sëmurët, përcill ndonjë xhenaze dhe kujtoje vazhdimisht vdekjen.”
Hazreti Omeri r.a., nga kujdesi që kishte për përkujtimin e vdekjes, në unazën e tij të gishtit kishte shtruar: “Kefa bil mevti vaidhan – Vdekja mjafton për këshillë”.
Frymëzimi që Xhibrili i bëri Muhammedit a.s., se “jeto si të jetosh”, nënkupton jetën e kaluar me nënshtrim të plotë ndaj Allahut të Madhërishëm dhe harxhimin e jetës duke vepruar punë të mira, sepse, si do që të jetohet, një ditë, gjithsesi, do të vdiset. Nga ana tjetër, i dashuri ynë, Muhammedi a.s., na ka lënë dy këshilltarë të mirë që gjithmonë na japin udhëzime të drejta. Ai ka thënë: “Ua kam lënë dy këshilltarë: një që flet, dhe një që heshtë. Ai që flet është Kur’ani, kurse ai që hesht është vdekja.”. Të dashur vëllezër e motra, në fenë tonë të bukur, jeta dhe vdekja, janë ndërthurur aq bukur, sa që thuhet se njeriu lind për të vdekur, dhe vdes për të filluar një jetë tjetër të re.
Po të kaloni nëpër qytete të muslimanëve, do të shihni se varrezat i kanë formuar në brendi të qytetit, dhe me këtë kanë dashur që të tregojnë se vdekja është midis nesh dhe se duhet të jemi të përgatitur për ardhjen e saj. Andaj, xhemat i respektuar dëshiroj të them se, edhe përkrah krejt kësaj jete të frytshme që na ka dhuruar i Madhi Zot, duhet të mendojmë edhe rreth momentit kur do t’i lëmë të gjitha, e do të kthehemi te Allahu vetëm me punët tona, të mira qofshin apo të këqija.
Për fund le ta lusim Allahun të na i falë mëkatet tona, të vogla apo të mëdha qofshin ato, dhe të na e mundësojë, që pas vdekjes, të jemi në shoqëri me njerëzit e Tij të mirë. Amin!

Visar ef. Koshi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit