5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

VDEKJA E SHOKUT – Hoxhë Bekir Halimi

Më të lexuarat

Në momentin e vdekjes së njerëzve që i do dhe të duan njeriu mërzitet. E, kjo të detyron që t’i kesh parasysh disa çështje.

E para: Kemi nevojë shumë që të kemi kujdes më të theksuar në respektin e ndërsjelltë dhe në kujdesin ndaj njëri-tjetrit sa jemi gjallë. Shpeshherë për shkak të angazhimeve të kësaj dunjaje (bote), hatërmbetja prej fjalëve dhe veprimeve bën që të prishen zemrat tona pa nevojë dhe arsye ose nuk ia thua të gjitha ato ndjenja pozitive që i ke në zemër dhe në shpirt ndaj vëllaut tënd, nuk ia jep momentin e kënaqësis dhe gëzimit duke i thënë: ‘unë të dua për hir të Allahut’, pra me ia shpreh dashurinë tënde, kujdesin tënde, rahmetin tënd dhe dhimbjen tënde atij, ashtu që ai ta ndien atë kënaqësi që e ndien edhe ti. Por, zakonisht fatkeqësisht te ne po ndodh që në momentin kur po na largohen ata që i kemi pasë shokë dhe i kemi dashur t’ia shprehim dashurinë tonë për të, kujdesin tonë dhe dhimbjen tonë për të. A është vonë? Jo, vonë nuk është kurrë! Ama, pse mos t’i shijojmë këto gjëra të këndshme dhe të bukura duke qenë edhe gjallë?! Andaj Pejgamberi ﷺ tha: ‘Kur dikush prej juve e do dikë, le t’i tregon atij’, pra këtë kënaqësi që ti e shijon, le ta shijon edhe ai. Edhepse është e zakonshme që njerëzit kur e kanë një të mirë ta shijojnë atë pa e përmendur, dhe duke mos i shkuar mendja se një ditë ai do të shkoj dhe do të të mungoj dhe atë atëherë do të duash t’ia thuash por do të jetë vonë! Kjo është një këshillë që duhet ta kemi parasysh që njerëzve t’iu flasim mirë, t’ia shprehim dashurinë tonë, t’ia shprehim kujdesin tonë, t’ia shprehim dhimbjen tonë nëse e ka sprovuar Zoti me diçka dhe t’i zhvilojmë ndjenjat dhe emocionet tona, pra të jenë më të dukshme dhe të më theksuara. Nuk ke nevojë që ta ngulfatësh ndjenjën që e ke në zemrën tënde, por thuaja atij që e do.

E dyta: Subhanallah! Kur vdes dikush që e ke pasë shok dhe ndjen dhimbje dhe me mërzi, fillon ta kuptosh pse Allahu i Madhërishëm siç transmetohet në hadithin kudsij në Ditën e Kijametit do të thoë: ‘Ku janë ata që janë dashur mes vete për hir të Madhërisë sime?’, Atëherë e kupton pse Allahu i Madhërishëm këtyre besimtarëve që janë dashur sinqerisht për hir të Allahut subahnehu ue teala iu jep kaq shumë vëmendje, bile aq pozita të larta siç thotë Allahu në hadithin kudsij: ‘Ata që duhen për hir të Madhërisë sime do të kenë kolltuqe në Xehnet nga nuri (drita)’, pra pozita të veçanta, karrike të veçanta, lozhë të veçantë. Më interesante se kjo është: ‘Ua kanë lakmi pejgamberët dhe shehidat’, pasi logjika e fesë neve na tregon se pozitat më të larta në Xhenet i kanë pejgamberët dhe shehidat. Mirëpo, këta njerëz që janë dashur për hir të Allahut kanë pozita të veçanta të cilave ua kanë lakmi pejgamberët dhe shehidat, që ta kuptojmë se ndjenjat, emocionet e sinqerta që i kemi në këtë dunja (botë) të cilat janë vepra të zemrave tona kur janë të avancuara, të theksuara, të bollshme, të shumta, atëherë ato të japin jo vetëm kënaqësi në këtë dunja (botë), por edhe pozita aq të larta në Xhenet saqë edhe pejgamberët dhe shehidat ua kanë lakmi atyre. Për këtë shkak edhe ti sot kur e derdh një lot mërzie apo pikëllimi për vëllaun tënd që ka ndërruar jetë, apo e derdh një lot gëzimi për vëllaun tënd që të ka munguar dhe e shijon këtë kënaqësi të dashurisë së sinqertë për hir të Allahut subhanehu ue tela, atëherë e kupton se atë shpërblim që e ka përgatitur Allahu subhanehu ue tela për ty qenka kënaqësia shumë e madhe dhe e veçantë e cila po të mos kishte shpërblim tjetër në Xhenet përveç kësaj do të mjaftone si kënaqësi. Do të thotë, këtë dhunti që na e ka dhënë Allahu që të duhemi për hir të Tij, të jemi vëllezër për hir të Tij, të kujdesemi për njëri-tjetrin për hir të Tij, duhet ta ruajmë, ta kultivojmë, pasi përveç që të jep kënaqësi në këtë dunja (botë), ajo ta kënaq shpirtin edhe me shpërblimin e veçantë që Allahu ta jep në Ahiret.

Allahu i mëshiroftë vëllezrit tonë që kanë shkuar në Ahiret, e varret e tyre ua bëftë bahçe të Xhenetit! Allahu e mëshiroftë vëllaun tonë Gëzim Vehapin që ndërroi jetë, e inshaAllahu teala na bën të gjithëve të takohemi me besimtarët e sinqertë dhe ata që i kemi dashur në Ahiret nën Mëshirën e Allahut subhanehu ue teala dhe shpërblimet e Tija! Allahu i Madhërishëm i mbushtë zemrat tona me dashuri për hir të Tij, me dashuri për Pejgamberin ﷺ, me dashuri për dijen e dobishme, për adhurimet e sinqerta për hir të Tij, me dashuri të sinqertë për njëri-tjetrin e cila i jep shije dhe kënaqësi jetës së kësaj bote dhe pastaj i jep pozita të larta besimtarëve kur do të dalin para Allahut subhanehu ue teala! Allahun e lusim të na jep sinqeritet në fjalë dhe vepra, të na i mbush zemrat me mirësitë dhe begatitë e Tija, të na jep të mira në këtë dunja (botë) dhe Ahiret (botën tjetër), e inshaAllah sikurse na ka bashkuar në këtë dunja (botë) në këto mexhlise të hajrit të na bashkon me Pejgamberin ﷺ në Xhenetin Firdeus!

Hoxhë Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit