Në vendkalimin kufitar greko-maqedonas, ku janë të vendosur rreth 12 mijë refugjatë në pritje për të kaluar kufirin, disa qindra prej tyre tashmë prej katër ditësh radhazi mbajnë të bllokuar hekurudhën ndërkombëtare që lidh Greqinë dhe Maqedoninë, në shenjë revolte kundër mbylljes së “rrugës ballkanike” për refugjatët.
Disa refugjatë qëndrojnë të ulur në hekurudhë, ndërsa një numër i madh i tyre janë vendosur edhe me tenda në linjën hekurudhore ku duhet të kalojë treni ndërkombëtar i mallrave. Ata thonë se nuk do të tërhiqen nga proteste deri sa të hapen kufijtë për refugjatët.
“Nuk mund të mbijetoj me këto kushte të rënda për jetesën dhe për këtë arsye jemi duke protestuar. Që prej katër ditësh qëndroj ulur këtu në hekurudhë dhe do të vazhdojmë në këtë mënyrë deri sa të hapet kufiri”, tha Ahmedi nga Siria.
“Ne do të vazhdojmë të protestojmë edhe më masivisht deri sa të hapen kufijtë. Nëna ime ndodhet në Evropë, unë dua të qëndroj pranë saj. E ardhmja ime është Evropa dhe dua që jetën time ta jetoj atje”, u shpreh Xhemili nga Iraku.
Gjendja e refugjatëve në Idomeni nga dita në ditë vazhdon të përkeqësohet, ndërkohë që ditëve të fundit reshjet e shiut edhe më tepër përkeqësojnë gjendjen. Organizatat humanitare thonë se nuk kanë kapacitete për tu kujdesur për një numër aq të madh të refugjatëve, ndërsa nga ana tjetër refugjatët me shpresë se një ditë do të hapen kufijtë, thonë se nuk do të kthehen prapa dhe do të presin deri sa Evropa të tregojë humanitet, duke hapur “rrugën ballkanike” për refugjatët./AA/