Një palestinez e ka humbur jetën ndërsa 2 të tjerë janë plagosur si pasojë e zjarrit të hapur nga ushtarët izraelitë në qytetin Nablus në veri të Bregut Perëndimor nën pushtim, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarët, ushtarët izraelitë kryen bastisje në orët e para të mëngjesit në lagjen Ras al-Ein të Nablusit.
Zyrtari i Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, Ahmad Jibril në një deklaratë për AA tha se ka humbur jetën 31-vjeçari palestinez Jamil Mohammad al-Kayyal i cili u qëllua në kokë me plumb të vërtetë gjatë bastisjes.
“Ndërsa dy të rinjtë palestinezë u plagosën si pasojë e përplasjes nga automjeti i ushtarëve izraelitë”, njoftoi Jibril duke mos dhënë informacione lidhur me situatën e të plagosurve.
Edhe faqet lokale palestineze të lajmeve kanë ndarë pamje lidhur me momentet e humbjes së jetës së Al-Kayyal i cili u qëllua në kokë në bastisjen që ushtarët izraelitë zhvilluan në lagjen Ras al-Ein.
Forcat izraelite shpesh kryejnë bastisje në shtëpitë e palestinezëve në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor nën okupim dhe arrestojnë palestinezët me pretendime të ndryshme.
⁵Pas arrestimeve të cilat në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor janë bërë të zakonshme, disa nga palestinezët, përfshirë gra dhe fëmijë mbahen për ditë me radhë në qendrat e paraburgimit. /aa