-2.3 C
Pristina
Monday, January 13, 2025

“Ushtria e Mianmarit duhet të përgjigjet para drejtësisë”

Më të lexuarat

ANKARA (AA) – Kryetari i Komisioni Kombëtar për të Drejtat e Njeriut në Bangladesh (NHRC), Kazi Rezaul Hoque tha se zyrtarët e ushtrisë së Mianmarit që janë përgjegjës për mizoritë kundër muslimanëve të Arakanit duhet të nxirren para drejtësisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të “Dhaka Tribune”, mësohet se koordinatorja e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Bangladeshin, Mia Seppo ka zhvilluar një vizitë mirësjelljeje me Hoque.

Hoque gjatë vizitës tha se ushtria e Mianmarit përgjegjës për mizoritë kundër muslimanëve të Arakanit duhet të përgjigjet para drejtësisë.

Duke vënë theksin se ka tejkaluar më shumë se 600 mijë numri i muslimanëve të Arakanit që janë shtrehuar në Bangladesh për shkak të sulmeve të cilat kanë nisur që nga 25 gushti ndaj civilëve në Arakan nga ushtria e Mianmarit, Hoque ka informuar Seppo-n në lidhje me krizën në vazhdim të Arakanit.

Hoque ka kërkuar nga Seppo që në zgjidhjen e krizës të vazhdojnë mbështetjen e tyre për Bangladeshin dhe të ushtrojnë presion mbi qeverinë e Mianmarit për ripranimin e muslimanëve të Arakanit.

Seppo ka shprehur shqetësimet në çështjen lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut ndaj muslimanëve në Arakan. Ajo ka konfirmuar rolin e Bangladeshit për ofrimin e mbështetjes humanitare ndaj këtyre personave.

Gjithashtu Seppo ka garantuar se do të sigurojnë të gjithë mbështetjen në lidhje me këtë çështje. Në bisedën dypalëshe janë diskutuar çështjet e ndryshme të të drejtave të njeriut, përfshirë edhe të drejtat e grave, fëmijëve dhe pakicave etnike në Bangladesh.

Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit

Mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti e deri tani si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pretendon se është duke luftuar me militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjet dhe daljet në rajon.

Gjatë sulmeve të cilat janë shndërruar në një spastrim etnik janë djegur ose shkatërruar rreth 300 fshatra nga ushtria dhe budistët radikalë, si dhe mbi 600 mijë muslimanë të Arakanit janë larguar në Bangladesh nëpërmjet rrugëve malore, detare apo të lumenjve. Ndërkohë dhjetra mijëra të tjerë janë në kërkim të rrugëve për t’u larguar në Bangladesh.

Supozohet se rreth 2 milionë muslimanë jetonin në Arakan në vitet 1970, por ky numër ka rënë nën 350 mijë për shkak të largimeve nga sulmet sistematike.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit