Policia e Kosovës njoftoi se incidenti ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe se ekziston dyshimi i bazuar se ato mjete janë hedhur nga territori i Serbisë. Nuk ka të lënduar apo dëme materiale
Policia e Kosovës njoftoi se mbrëmë në Jarinjë, afër pikës kufitare në veri kanë ndodhur dy shpërthime të mjeteve piroteknike pranë automjetit të policisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton Policia e Kosovës “më datë 16.04.2022, rreth orës 03:10, në Sharpej të Jarinjës kanë ndodhur dy shpërthime, dyshohet për mjete piroteknike”.
“Shpërthimet kanë ndodhur pranë një automjeti të policisë i cili ndodhej në një vend statik ku policia ishte fokusuar në parandalimin e kontrabandës në atë zonë. Në vend është vënë re se në xhamin e automjetit të policisë ka mbetur një copë letre dhe dyshohet për mjete piroteknike”, thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se incidenti ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe se ekziston dyshimi i bazuar se ato mjete janë hedhur nga territori i Serbisë.
“Nuk ka të lënduar apo dëme materiale”, thuhet në njoftim.
Më tej shtohet se policia po ndjek rrugën ilegale të mbyllur kohë më parë e cila përdorej për kontrabandë mallrash dhe se policia do të vazhdojë me aktivitetet operative për parandalimin e krimeve ndërkufitare në atë zonë dhe garantimin e sigurisë për të gjithë.
Ky është sulmi i pestë ndaj Policisë së Kosovës në katër ditët e fundit. Në sulmin e parë më 13 prill, në rrugën kryesore Mitrovicë – Zubin Potok ishin vendosur 46 iriqë metalikë, të cilët shërbejnë për dëmtimin e gomave të automjeteve. Sulmi i dytë ka ndodhur të njëjtën ditë rreth orës 21:45, derisa njësiti i policisë kufitare po kthehej pas përfundimit të turnit në fshatin Davidovc, i cili ndodhet tre kilometra larg fshatit Banjë, gjegjësisht në pikën kufitare në vend Bërnjak. Është gjuajtur me gurë automjeti i patrullës së policisë kufitare, është dëmtuar automjeti dhe nuk ka të lënduar.
Sulmi i tretë ka ndodhur më 14 prill në fshatin Babe rreth orës 20:40, ku janë dëgjuar katër deri në pesë breshëri të shkurtra me rreth 30 plumba. Në sulmin e katërt më 15 prill, rreth orës 07:40 të mëngjesit, dy automjete të policisë u sulmuan me një granatë dore dhe një AK-47. Në automjete kishte policë që do të bënin turnin në pikat kufitare. Askush nuk u lëndua nga sulmet.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha se angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës, veçanërisht i Policisë së Kosovës, për vendosjen e rendit dhe ligjit në çdo cep të Kosovës, është bërë pengesë për grupet e caktuara të mbështetura drejtpërdrejt nga Serbia dhe ka prishur planet e të gjithë atyre që e kanë parë Kosovën si vatër e krimit të tyre.