-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024


Ukrainasja Natalia: cilat janë “armët” e saj kundër rusëve?!

Më të lexuarat

Dy vjet nga lufta në Ukrainë: si ka ndryshuar jeta e muslimanëve në Kharkiv

Me fillimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës në shkurt 2021, të gjitha xhamitë në Kharkiv, në lindje të vendit, u mbyllën, pasi shumica e muslimanëve u zhvendosën, si dhe banorët e tjerë, veçanërisht pasi luftimet arritën shpejt në vetë qytetin.

Pasi qyteti u kthye në kontrollin e Ukrainës në shtator të vitit 2022, disa muslimanë u kthyen në shtëpitë e tyre, dhe bashkë me ta një pjesë të jetës së tyre në xhamitë e tyre, por kjo jetë është rrënjësisht e ndryshme nga ajo që ishte para luftës.

Kjo situatë është e dukshme edhe në numrin dukshëm të reduktuar të muslimanëve. Në xhaminë e Qendrës Kulturore Islame mblidhen mezi 150 veta për namazin e xhumasë, ndërsa numri para luftës arrinte në 800 besimtarë. Kjo ka ndikuar edhe në xhamitë e tjera dhe dhomat e lutjes më të vogla në tregje.

Kreu i Këshillit Mysliman të Ukrainës, Siran Arifov, i tha Al Jazeera-s: “Nuk ka statistika të sakta për numrin e muslimanëve të paraluftës në Kharkiv. Sipas të dhënave të administratës së qytetit, ishin rreth 50 mijë të tillë, por shifrat reale mund të ishin shumë më të larta se ato të përmendura, sepse qyteti (përveç popullsisë së përhershme) kishte edhe dhjetëra mijëra banorë të përkohshëm, duke përfshirë studentë, tregtarë dhe punëtorë nga vendet muslimane.

Ai vazhdon: “Numrat e sotëm vlerësohen të jenë në qindra, ose vetëm disa mijëra, pasi qyteti ka pësuar bombardime të rënda, duke detyruar shumë muslimanë të ikin ose të kërkojnë strehim pa kthim.”

Përballë këtij realiteti, duket se xhamitë nuk janë në gjendje t’u kthehen aktiviteteve të mëparshme në rrafshin kulturor, arsimor dhe misionar, kështu që puna e tyre kufizohet në kryerjen e namazeve të detyrueshme ditore, me mungesën e fëmijëve, me përjashtim të një numri të vogël të tyre.

Sa i përket kursve të gjuhës arabe dhe kulturës islame për jomuslimanët – të cilat njiheshin për aktivitetet e tyre – ato pushuan së funksionuari, si dhe aktivitetet rekreative ose sportive. Sa për rrugët përreth, nuk ka më turma, as tregje të njohura që shesin ushqime hallall, ëmbëlsira dhe mish, si dikur.

Imami i Qendrës Kulturore Islame, Rustam Hasandinov, tha për Al Jazeera-n: “Kanë mbetur pak familje me fëmijë në qytet. Prindërit kanë frikë për fëmijët e tyre dhe për shkak të luftës, shumë xhami u mbyllën, si dhe një shkollë që frekuentohej nga fëmijët muslimanë”.

Si Dita e Gjykimit

Natalia – një muslimane ukrainase – tregon historinë e jetës së saj në qytet, duke thënë për Al Jazeera-n: “Nuk mund të largohesha nga qyteti kur filloi lufta. Nëna ime është e palëvizshme dhe e vështirë për t’u mbajtur. Të gjitha përpjekjet për të gjetur ndihmë dështuan, kështu që u detyrova të qëndroja këtu.”

Ajo vazhdoi: “Egoizmin e njerëzve e kam ndjerë atëherë, dhe kjo ndjenjë u forcua me buçimën e shpërthimeve, por sot nuk mbaj mëri ndaj askujt, sepse fillimi i luftës ishte vërtet si Dita e Gjykimit, kur çdo njeri mendon për veten dhe për ata që janë më afër tij”.

Natalia beson se situata sot është shumë më e mirë se sa ishte: “Po, tani takojmë tre ose gjashtë gra muslimane në vend të 30 ose 50, por ndjej se jeta po kthehet në këtë vend dhe gjërat do të përmirësohen, në dashtë Zoti”.

Punë vullnetare e suksesshme

Në Kharkiv, shumë muslimanë janë aktivë në ushtri dhe në fusha të ndryshme të punës vullnetare.

Natalia punon me shumë gra muslimane në qytet për të endur rrjeta për të kamufluar automjetet dhe vendet ushtarake, dhe për të përgatitur qirinj dhe soba për ushtarët nga materiale primitive që përdoren gjerësisht për të ngrohur dhe gatuar ushqimin në llogore dhe tenda, tha ajo.

Në Kharkiv, mes civilëve dhe ushtarakëve, është dhe një përsonazh që njihet si “Sheik Boboy”, një vullnetar në ushtrinë ukrainase me origjinë taxhike. Ai gatuan çdo ditë 140 kilogramë oriz për të përgatitur ushqimin popullor “pilaf” për ushtarët dhe të varfërit në lagjet më të rrezikuara të qytetit.

Sheikh i tha Al Jazeera-s: “Në fillim të luftës, hyra në bodrumin ku ishin civilët dhe gjendja jonë më kujtoi skenat tragjike që pashë në Taxhikistan dekada më parë. Pastaj vendosa të qëndroj dhe t’u shërbej këtyre njerëzve dhe të shkoj zyrtarisht në ushtri.”

Muslimanët e Kharkiv sot mund të ndahen në tre kategori: disa të kthyer pas shpërnguljes dhe azilit, pastaj ata që qëndruan dhe nuk u larguan për arsye të ndryshme dhe ata që refuzuan të largoheshin, edhe pse ishte e lehtë dhe e arritshme për ta.

Anwar është një biznesmen turk i cili u kthye në Kharkiv disa muaj më parë për të vazhduar mbikëqyrjen e restorantit që zotëron në qytet. Ai i tha Al Jazeera-s: “U ktheva dhe e lashë familjen time të vendosur përkohësisht në qytetin e Ivano-Frankivsk (Ukraina perëndimore), ku jetojnë një numër i madh mulimanësh. Situata në Kharkiv nuk është ende e sigurt, por unë jam i detyruar të vij dhe të monitoroj shtëpinë dhe punën”. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit