10.8 C
Pristina
Friday, May 3, 2024

Udhëzimi në Kuranin Fisnik

Më të lexuarat

Në fillim të sures el Bekare, Allahu i Lartësuar na lajmëron lidhur me Kuranin se ai “është udhëzues për ata që janë të devotshëm”(Bekare, 2),që do të thotë se në Kuran ka udhëzim për të devotshmit, gjersa në të njëjtën sure, pas vërtetimit të obligueshmërisë së agjërimit, lexojmë fjalën e Allahut të Lartësuar duke e cilësuar Kuranin se ai “është udhërrëfyes për njerëz” (Bekare, 185).

Nga kuptimi i jashtëm i ajetit të parë mësojmë se udhëzimi i Kuranit është i veçantë vetëm për të devotshmit, gjersa ajeti i dytë ka ardhur i përgjithshëm duke e përshkruar udhëzimin e Kuranit se ai është për njerëzit. Nocioni njerëzit është nocion universal, i përfshin të devotshmit dhe të tjerët, besimtarët dhe jobesimtarët.

Në shikim të parë dikush mund të mendojë se ndërmjet këtyre dy ajeteve ka kundërthënie, mirëpo rruga e ndërlidhjes ndërmjet tyre, ashtu siç kanë thënë dijetarët, është të thuhet se udhëzimi në Kuran është dy llojesh: Udhëzimi i sqarimit (të së vërtetës) dhe këtë e bëjnë të Dërguarit dhe pasuesit e tyre.

Me këtë kuptim është edhe fjala e Allahut të Lartësuar: “E, për çdo popull ka udhërrëfyes”. (Rad, 7) Do të thotë se çdo popull ka udhërrëfyes, i udhëzon dhe sqaron rrugën e së vërtetës. Gjithashtu edhe fjala e Zotit të Lartësuar: “Ti, me të vërtetë, udhëzon në rrugën e drejtë”. (Shura, 52) Allahu i Lartësuar e përmendi udhëzimin për të Dërguarit dhe ata që ndjekin rrugën e tyre me kuptimin e udhërrëfimit, thirrjes dhe sqarimit. Ndërsa lloji i dytë i udhëzimit, të cilin Allahu e ka veçuar për Vete, vjen me kuptimin e ndihmës dhe udhëzim i dhënies së suksesit. Allahu i thotë të Dërguarit të Tij: “Vërtet, ti (Muhamed) nuk mund të udhëzosh kë të duash, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dëshirojë” (Kasas, 56)

Udhëzimi këtu e ka kuptimin e dhënies së suksesit në ndjekjen e rrugës së besimtarëve. Prandaj edhe Allahu thotë: “dhe udhëzon kë të dojë” (Junus, 25)

Gjithashtu mund të themi se udhëzimi në Kuran është dy llojesh: udhëzimi i përgjithshëm dhe ai i veçantë. Udhëzimi i përgjithshëm nënkupton sqarimin e rrugës së drejtë. Me këtë kontekst ka ardhur edhe fjala e Allahut të Lartësuar: “Fisit Themud, Ne ia treguam rrugën e drejtë” (Fusilet, 17). Do të thotë Ne ua sqaruam atyre rrugën e vërtetë nga e shtrembëra, mirëpo ata zgjodhën rrugën e dytë. Këtu çështja është çështje zgjedhje dhe sprovimi që vihen para njeriut në mënyrë që të zgjedhë çfarë dëshiron. Argumenti për këtë zgjedhje është fjala e Allahut të Lartësuar: “por, ai parapëlqeu verbërimin e jo rrugën e drejtë”, (Fusilet, 17) gjithashtu fjala e Allahut të Lartësuar: “dhe ia kemi bërë të qarta të dyja rrugët” (Beled, 10). Do të thotë ia sqaruam rrugën e mirë dhe atë të keqe.

Ndërsa udhëzimi i veçantë është dhuratë e Allahut të Madhërishëm për robin me dhënien sukses në bindjen dhe nënshtrimin ndaj Tij, lehtësimin e ndjekjes së rrugës së shpëtimit dhe të suksesit. Në këtë kontekst kemi fjalët e Allahut të Lartësuar: “Këta janë ata, të cilët Allahu i ka udhëzuar në rrugën e drejtë” (En’am, 90), gjithashtu fjala e Tij: “Allahu ia hap zemrën për (të pranuar) Islamin atij që dëshiron ta udhëzojë” (En’am, 125).

Nëse kuptohet ky fakt, atëherë nuk ka vend për keqkuptim sa i përket ajeteve që veçojnë udhëzimin për të devotshmit dhe atyre ajeteve të përgjithshme që flasin për udhëzimin e të gjithë njerëzve. Gjithashtu me këtë rast mënjanohet edhe dykuptimësia ndërmjet fjalës së Allahut të Lartësuar: “Vërtet, ti (Muhamed) nuk mund të udhëzosh kë të duash” (Kasas, 56) dhe fjalës së Tij: “Ti, me të vërtetë, udhëzon në rrugën e drejtë”. (Shura, 52)

Udhëzimi i mohuar nga i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, në ajetin e parë është udhëzimi i veçantë, ngase suksesi është në dorë të Allahut të Lartësuar, ndërsa udhëzimi i pohuar për të në ajetin e dytë, është udhëzimi me kuptim të përgjithshëm të tij, e ai është sqarimi i rrugës së vërtetë. Dhe pikërisht këtë e ka bërë i Dërguari i Allahut në formën më të mirë të mundshme.

Gjithashtu nuk duhet harruar se ekzistojnë edhe interpretime të tjera të komentuesve të Kuranit lidhur me ajetin e sures el Bekare: ” është udhëzues për ata që janë të devotshëm.” (Bekare, 2) dhe ajete të ngjashme me këto.

Ata ndër të tjera kanë thënë:

– Allahu i Lartësuar i ka veçuar të devotshmit me udhëzim duke i nderuar, respektuar dhe sqaruar vlerën e tyre për faktin se ata i besuan Atij dhe vërtetuan atë që ka shpallur, megjithë se Kurani është udhëzim për të gjitha krijesat.

– Allahu i ka veçuar ata duke na bërë me dije se kush kapet me udhëzimin e Kuranit, fundi i tij do të jetë fundi i të devotshmëve.

– Veçimi i Tij për të devotshmit është për faktin se në realitet të devotshmit janë të udhëzuar dhe përfituesit real prej Kuranit edhe pse argumentet e tij janë universale për çdo kë, muslimanin dhe jomuslimanin dhe për këtë Allahu ka thënë: “është udhërrëfyes për njerëz”.

Përgatiti: Almedin Ejupi
1.11.2009

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit