3.6 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Udhëzime për politikanin muslimanin

Më të lexuarat

(teori që buron nga praktika dhe praktikë që buron nga teoria)

Jeta shoqërore i ka vështirësitë e veta, këto vështirësi vijnë e shtohen përballë atij i cili ka synim ndryshimin e shoqërisë drejt asaj që është më e mirë dhe më e dobishme. Këto vështirësi shtohen edhe më shumë, kur njeriu që merr përsipër të jep mundin e tij në këto ndryshime është edhe musliman, praktikant i fesë. Një prej mënyrave, nëpërmjet të cilave bëhet ndryshimi, është edhe politika.

Politika është një segment që u imponohet muslimanëve veprim në te. Deshtën apo nuk deshtën muslimanët, përderisa jetojnë në një shoqëri dhe numri i tyre është i respektueshëm, atyre u imponohet të merren edhe me politikë, pasi që nëse nuk merren muslimanët me politikë, sigurisht se politika do merret me muslimanët, andaj kjo e detyron, një pjese të caktuar të komunitetit musliman, të merret me politikë për të dhënë kontributin e vet intelektual dhe organiziativ, si detyrim ndaj fesë dhe ndaj atdheut, për të përmirësuar kushtet e jetesë së popullit tonë dhe për të dhënë mundin maksimal për ndërtimin e një shteti të drejtë dhe funksional.

Nga historia e re e zhvillimit të jetës fetare dhe kontributit të muslimanëve në fushën e politikës vihen re disa gjëra, të cilat dëshirova ti përmbledh në këtë shkrim.

  • Veprimi i jonë atdhetarë, i nisur nga besimi jonë në Allahun dhe detyrimin që na e jep feja për të qenë aktiv në ndryshimin e gjendjes tonë, duhet të zë një hapësirë të madhe të veprimit tonë në jetë. Sdo mend se muslimani praktikant në të gjitha veprimet e veta, niset nga qëllimi i tij i mirë dhe nga shtytja të cilën e merr nga besimi i tij në Allahun. Kur një musliman e jep kontributin e tij në zhvillimin e atdheut të vet, edhe ky veprim, sikur edhe namazi i tij, llogaritet angazhim fetarë, pasiqë argumentet fetare, na japin të kuptojmë se çdo lëvizje që e bën muslimani në të mirë të shoqërisë, i llogaritet adhurim e i sjell shpërblim, siç është “fjala e vërtetë”, “largimi i pengesës nga rruga”, “ndryshimi i të keqes me dorë”, “drejtësia në qeverisje”, “ndershmëria”, etj.
  • Ky veprim politik dhe shoqërorë nuk duhet të zhvillohet në dëm të angazhimeve tona në zhvillimin personalë, qoftë në sferën e besimit, sferën e diturisë, profesionit, apo moralit. Shpesh herë, fatkeqësisht, shohim të rinjë, të cilët nga momenti kur ndërmarrin aktivitet shoqërorë apo politik, ata e lënë pas dore zhvillimin personalë dhe ndryshojnë preokupimet dhe prioritetet e tija në jetë. Ska dyshim se ky veprim është i gabuar edhe nuk duhet toleruar. Sidomos kur ky angazhim reflektohet negativisht në kryerjen e obligimeve tona fetare (nuk falen rregullisht) apo në prishjen e moralit tonë, në rrafshin e epshit apo në rrafshin e fjalëve dhe sjelljeve të ulta (korruptohen, gënjejnë, bëjnë imoralitet, nuk i mbajnë llafet, nuk i zbatojnë premtimet, etj).
  • Rruga është e gjatë, ndryshimet nuk vijnë shpejtë, andaj duhet durim dhe qëndresë e madhe në këtë rrugë. Ai i cili mendon se këto ndryshime ndodhin shpejtë, ai njeri nuk e ka kuptuar natyrën e ndryshimit të shoqërisë, andaj edhe shumë shpejtë dorëzohet. Ky është një parim të cilin duhet ta kuptojmë shumë mirë dhe të jemi të bindur në këtë fakt, e pastaj të mjaftohemi me ecjen tonë në rrugën e drejtë pa marrë parasysh rezultateve që (s’)i vjelim në moment. Kjo lëvizjes tonë i jep ecje të saktë dhe të sigurtë e jetëgjatësi. Shembujt praktik kanë treguar se një person, grup, apo lëvizje, e cila ka qenë e bindur në një parim dhe ka sakrifikuar për te, edhe pse në fillim është dukur e pamundshme, me kalimin e kohës dhe vazhdimin në sakrificë, krejt ajo që dukej e pamundshme, është bërë e zakonshme.
  • Mendimet tona në rrugën e ndryshimit nuk duhet të shkaktojnë konflikte brenda llojit dhe përjashtime ndaj atyre që u qasen ndryshe fenomeneve, përderisa me ta pajtohemi në qëllim dhe vijat e trasha të metodës së ndryshimit. Grindja brenda llojit, përjashtimi i njëri tjetrit, mos bashkëpunimi dhe mos grumbullimi i forcave, të atyre që kanë qëllime të njejta dhe pajtohen në vijat e trasha të metodës së ndryshimit, ua zgjatë jetën, despotëve, të padrejtëve, të korruptuarve, abuzuesve dhe zhvatësve të shtetit dhe penguesve të zhvillimit të shoqërive tona.
  • Artikulimi i mendimeve tona duhet të jetë i qartë, përmbajtësorë, i thellë dhe i kuptueshëm. Kjo na detyron t’i kemi të qarta qëllimet tona, etapat e ndryshimit, programet e veprimit, prioritetet në realizim, pastaj të mendojmë vazhdimisht në lidhje me atë që e artikulojmë dhe mënyrën se si e artikulojmë, sa është e qartë për masën, cila është pjesa bazike e cila ajo sporadike, te të cilat duhet vënduar theksin, etj.
  • Në momentin që një musliman fiton pozitën e deputeti, ministrit apo zëvendësministrit duhet t’i përkushtohet kësaj detyre, duhet ta kuptojë këtë pozitë si amanet dhe përgjegjësi, fillimisht para Allahut, pastaj edhe para votuesve dhe komunitetit që përfaqëson, andaj duhet të jep maksimumin në kryerjen e kësaj detyrë dhe të jep rezultatet më të mira të mundshme në këtë detyrë. Suksesi i tij është sukes edhe i votuesve dhe komunitetit që përfaqëson, kurse dështimi i tij është zhgënjim për elektoratin, komunitetin dhe mbarë popullin, pasiqë të gjithë e dijmë, se një pjesë e madhe e shoqërisë shpresat e tyre i kanë tek kjo shtresë e shoqërisë, pas zhgënjimit nga shumë shtresa tjera. Ajo që na ka rastis të shohim nga disa deputet, ministra e zëvendësministra, e njerëz në pozita të caktuara qeveritare është pasiviteti edhe mungesa e kreativitetit, mungesë inicijativash, mungesë kontributi, inferioritet total, duke lënë përshtypjen se ata këtë vend e kanë marrë vetëm për të marrë një pagë edhe për të shërbyer partinë si maqinë votimi, duke ndjekë rrjedhën e liderit, në kundërshtim me pritshmëritë e mëdha të popullit nga ta.
  • Zemërgjerësia, vetmohimi, flijimi, urtësia dhe butësia duhet të na shoqërojnë gjatë krejt jetës sonë, nga fillimi e deri në fund, të kontributit tonë për ndryshim të gjendjes në të cilën jemi. Pushteti, pasuria, fama, mund të na magjepsin dhe të na e marrin mendjen, e të mendojmë se mjaftë sakrifikuam dhe flijuam, tash të fillojmë të vjelim frytin e sakrificave tona, dhe të harrohemi në aksionin të cilin jemi duke e zhvilluar për të arritur qëllime të caktuara! Filluam jetën me sakrifica të mëdha për arritjen e qëllimeve madhore dhe e mbaruam jetën duke varrosur mu ato qëllime për të cilat sakrifikuam në fillimin tonë!
  • Njerëzit, fatkeqësisht, në proces të kontributit, pësojnë transformime të çuditshme, disa përfitojnë nga përvoja dhe e kalisin veten dhe karakterin e tyre, e disa degjenerohen tërësisht. Jeta me njerëz të ndryshëm, jeta në pozita të ndryshme, jeta e pasuruar shpejtë, jeta nën thjerrëzat e kamerave, jeta në shoqëri “elitare”, ka ndikim jashtëzakonisht të keq te disa njerëz që hyjnë në politikë për të bërë ndryshime të realitetit, e në fund, ndryshojnë vet dhe pësojnë transformime të hatashme. Andaj, mos shkëputja e lidhjeve me miqësinë e vjetër, komunikimi i vazhdueshëm me intelektual të sinqertë, vizitat e herëpashershme të hoxhallarëve të ditur, të zellshëm, të urtë dhe të devotshëm, duhet të mbetet detyrë dhe obligim praktik, të cilin kurr nuk duhet larguar nga jeta jonë. Mbajtja e kontaktin me elektoratin (xhematin) edhe pas zgjedhjeve dhe orvatja për të dëgjuar hallet e tyre dhe angazhimi për të kryer nevojat e tyre gjatë mandatit që ka, tregon sinqeritetin dhe drejtësinë e tij, gjëra, të cilat shpesh herë dinë tu mungojnë këtyre politikanëve, gjë e cila nuk duhet të tolerohet assesi të jetë pjesë e kulurës dhe karakterit të tyre.
  • Bamirësia ndaj prindërve, kujdesi i vazhdueshëm për ta, sjellja me shume delikatese ndaj tyre, është një prej faktorëve të suksesit në jetën e secilit individ, e sidomos atij që merret me politikë. Një lutje e prindit, nënës apo babës, a një këshillë e tyre e urtë, mundet me ti çelë dyert e mbyllta shumë më shumë, se sa intelegjnca dhe aftësitë organizative tuaja personale. Mos u komplekso nga nëna jote me veshje të rëndomta, e as nga babai me muhabetet e veta, sepse ata janë shkaku që u ka sjellë juve në këtë gjendje.
  • Lutjet e vazhdueshme të sinqerta dhe të thella, përgjërimet e vazhdueshm drejtuar Zotit, përveç që të japin forcë shtesë, ato edhe ti çelin dyert e mbyllura dhe të pamundshmen e bëjnë realitet. Andaj mos e shpërfill dhe kurr mos e harro këtë adhurim shumë të madh. Përdore në të gjitha rastet, jo vetëm kur je në zor.
  • E fundit, e solla në fund për ta mbajtur mend më mirë dhe për të mos e harruar, jo se është e fundit me rënditje, Mbështetja në Allahun, Fuqiplotë, dhe marrja e forcës nga Forca e Tij, na ndihmon që të vazhdojmë të palodhur në këtë angazhim tonin deri sa të fitojmë Kënaqësinë e Allahut, pastaj të arrijmë sukses në ndryshimin e gjendjes tonë, në rrafshin shoqërorë po edhe në zhvillimin e shtetit.

Disa këshilla të shkruara, i mbështetur në dituritë e mia fetare, leximet e vazhdueshme të realitetit politik të muslimanëve në botë dhe si rezultat i analizave të realitetit tonë dhe nga vështrimi i zhvillimeve brenda popullit tonë.

Janë këshilla teorike, për të pasë efektin e tyre, duhet shndërruar në veprime konkrete praktike, atëherë mund të shihen edhe efektet konkrete.

Prej Allahut vjen Suksesi dhe Atë e lusim dhe Atij i mbështetemi!

Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit