Hapja e Urës së Ibrit është bërë temë diskutimi së fundmi në vend. Lidhur me këtë janë deklaruar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Ioanna Lachana, tha se çdo vendim lidhur me urën në fjalë duhet të bëhet në kuadër të dialogut në Bruksel.
Ajo deklaroi se hapja e urës është marrëveshje e arritur në dialogun Kosovë-Serbi.
“Hapja e urës së Mitrovicës është temë e dy marrëveshjeve të arritura nga palët në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja në vitin 2015 dhe 2016. Pavarësisht përpjekjeve të BE-së për lehtësimin ndër vite, ura mbetet e mbyllur për trafik. Duke qenë se kjo është një çështje që i përket dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim lidhur me urën duhet të bëhen në kuadër të dialogut me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Kosovës dhe Serbisë”, tha Lachana, për Klan Kosova.
Zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë i ftoi palët që të zbatojnë çdo marrëveshje të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
“BE-ja mbetet e gatshme për të lehtësuar bisedimet. BE-ja gjithashtu u kërkon të gjithëve që të përmbahen nga çdo veprim provokues që mund të rrezikojë stabilitetin e terrenit dhe të largojë palët nga zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve – që duhet të jetë prioriteti i tyre kryesor”, deklaroi Lachana.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë të mërkurën se shumë shpejt do të hapet ura e Ibrit në Mitrovicë.
Elshani tha se janë duke diskutuar me eprorët se si mund të bëhet hapja e urës.
/Telegrafi/