Një deklaratë e Ministrisë së Jashtme e përshkroi raportin, të publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit të martën, si “të pavend” dhe tha se përmban “akuza të pabaza”
Turqia hodhi poshtë “plotësisht” raportin vjetor të të drejtave të njeriut të SHBA-së, duke e quajtur atë “të pabazuar”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Një deklaratë e Ministrisë së Jashtme e përshkroi raportin, të publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit të martën, si “të pavend” dhe tha se përmban “akuza të pabaza”.
Ankaraja “e kundërshton plotësisht” raportin, tha ministria, duke shtuar se i vjen keq që SHBA-ja nuk i pranon përpjekjet e Turqisë kundër terrorizmit në të gjitha format e tij, veçanërisht kundër grupeve terroriste YPG/PKK, DEASH, organizatës terroriste FETO dhe grupit të ekstremit të majtë DHKP-C.
Në lidhje me raportin që “mbulon gjerësisht gënjeshtrat” e FETO-s, grupi që qëndron pas përpjekjes për grusht shteti në Turqi më 15 korrik 2016, ministria tha se “pavarësisht të gjitha provave konkrete që kemi ofruar për këtë organizatë terroriste, SHBA-ja vazhdon të jetë e instrumentalizuar për propagandën e saj”.
Është gjithashtu “e papranueshme” që raporti përmban pretendime që shpërfillin se PKK është një organizatë terroriste dhe që përbën mbështetje për pretendimet e qarqeve të lidhura me terrorin, theksoi ministria.
Turqia “mbetet e vendosur” në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, tha ajo, duke shtuar se shembuj konkretë të kësaj përfshijnë bashkëpunimin e vendit me mekanizmat ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut, së bashku me një strategji të reformës gjyqësore që miratoi në vitin 2019 dhe planin e veprimit për të drejtat e njeriut në vitin 2021.
Më 2 mars 2021, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan njoftoi planin për të drejtat e njeriut, duke shpalosur 11 parime kryesore që do të zbatohen gjatë dy viteve.
Ai është hartuar si një plan “me bazë të gjerë” për të forcuar mbrojtjen e të drejtave, liritë dhe sigurinë individuale, pavarësinë gjyqësore, privatësinë personale, transparencën dhe të drejtat pronësore, si dhe për të mbrojtur grupet e cenueshme dhe për të rritur ndërgjegjësimin administrativ dhe social për të drejtat e njeriut.
Turqia më tej i bëri thirrje SHBA-së që të përqendrohet në të dhënat e veta të të drejtave të njeriut dhe të ndalojë partneritetin që ka bërë me filialet e grupeve terroriste nën pretekstin e luftimit të terrorizmit.
Ministria tha se Turqia synon të “vazhdojë përpjekjet e saj për të zhvilluar dhe mbrojtur të drejtat e qytetarëve të saj, si dhe ato të miliona personave që strehon”. /aa