“Presim nga Izraeli t’i respektojë thirrjet ndërkombëtare për largimin e kufizimeve që pengojnë hyrjen në Al Aksa”, tha Begeç
NEW YORK (AA) – Zëvendëspërfaqësuesi i Përhershëm i Turqisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Güven Begeç, ka thënë se ndryshimi i statusit të kompleksit Al Aksa nuk do të pranohet, duke i bërë thirrje Izraelit të heqë dorë nga kjo praktikë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fjalën e tij në mbledhjen me temë “Zhvillimet në Lindjen e Mesme, përfshirë Palestinën” në Këshillin e Sigurimit të OKB-së (KS i OKB-së), Begeç tha se problemi izraelito-palestinez paraqet pengesë për paqen e përhershme rajonale dhe globale.
“Prioritet i ynë është që të ulen tensionet dhe të gjitha palët të sillen me maturi. Nga ana tjetër, duhet të jemi tejet të hapur për sa i përket mbrojtjes së shenjtësisë dhe statusit historik të Al Aksasë për botën islame. Përpjekjet për ndryshimin e statusit historik rrezikon bashkjetesën në paqe”, paralajmëroi Begeç.
Ai shtoi se Jerusalemi është i shenjtë për Islamin, Krishterimin dhe Judaizmin dhe se të gjithë duhet të sillen në bazë të kësaj.
“Mbyllja e Al Aksasë për tre ditë dhe më pas vendimi për vendosjen e detektorëve të metalit dhe masat e tjera që kufizuan hyrjen e muslimanëve janë të papranueshme. Në asnjë mënyrë nuk mund të lëgjitimohen këto gabime dhe dhuna joproporcionale kundrejt palestinezëve që kryenin ritet në rrugë”, theksoi Begeç.
Ai më tej i bëri thirrje Izraelit t’i respektojë thirrjet ndërkombëtare për largimin e pengesave në Al Aksa.
“Presim nga Izraeli t’i respektojë thirrjet ndërkombëtare për largimin e kufizimeve që pengojnë hyrjen në Al Aksa”, tha Begeç.
Ndryshe, tensionet e fundit mes izraelitëve dhe palestinezëve u ngritën pasi autoritetet izraelite mbyllën kompleksin Al Aksa dhe vendosën detektorë të metalit pasi paraprakisht policia më 14 korrik vrau tre palestinezë me arsyetimin se kanë ndërmarrë sulm të armatosur, ndërsa deklaroi se gjatë incidentit janë plagosur dy policë izraelitë, të cilët kanë vdekur në spital.
Palestinezët e kanë kundërshtuar këtë praktikë, duke protestuar dhe falur namazin pranë kompleksit Al Aksa, ndërkohë që u përballën me ndërhyrje të forcave izraelite, të cilët shkaktuan edhe viktima.