MERSIN (AA) – Ministri i Zhvillimit i Turqisë, Lutfi Elvan, u bëri thirrje vendeve arabe të bëjnë investime reciproke me vendin e tij për të mirën e të gjitha palëve, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ne nuk themi që ne të prodhojmë e ju të bleni. Le të krijojmë kompani së bashku”, tha Elvan në Samitin Ekonomik Turko-Arab në Mersin të Turqisë.
“Ejani nga Jemeni, Arabia Saudite, Katari, Kuvajti dhe Libani dhe vende të tjera dhe le të punojmë me firma turke dhe le të fitojmë e të rrisim mirëqenien tonë. Le të prodhojmë, tregtojmë dhe fitojmë së bashku”, shtoi ai.
Elvan tha se beson se samiti do të ndihmojë në betonimin e miqësisë midis vendeve, pasi komunitetet turke dhe arabe kanë lidhje të forta sociale, kulturore, fetare dhe ekonomike.
“Në vitin 2002, rreth 400 mijë turistë nga vendet arabe erdhën në Turqi, ndërsa më shumë se 2,5 milionë në vitin 2016. Në vitin 2002, eksportet totale të Turqisë në vendet Arabe ishin 3,2 miliardë dollarë, por në vitin 2016 arritën në 29,4 miliardë dollarë”, tha ai.
Në mënyrë të njëjtë, shtoi ai, importet e Turqisë nga vendet arabe u rritën nga 1,5 miliardë dollarë në vitin 2002 në 10,5 miliardë dollarë në vitin 2016.
Elvan tha gjithashtu se ekonomia e Turqisë ka shfaqur performancën më të mirë të rritjes në botë në tremujorin e tretë të vitit 2017 me 11,1 për qind.
“Mbani mend se disa organe të medias jashtë vendit filluan një fushatë shpifjeje kundër Turqisë pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik”, tha ai, duke iu referuar puçit të dështuar të vitit 2016 në Turqi.
“Ata thonin se ekonomia e Turqisë do të pësojë kolaps dhe nuk do të rritet në vitin 2016”, shtoi Elvan.
“Ne kemi treguar rritje prej 3,2 për qind pavarësisht tentativës për grusht shteti”, tha më tej ai.
Elvan u shpreh se Turqia shënoi rritje prej 7,4 për qind në tre tremujorët e fundit të vitit 2017, pothuajse ngjashëm me Kinën dhe Indinë.
Propozimi për union islam
Shtatëmbëdhjetë vende morën pjesë në samit, përfshirë Jemenin, Libanin, Irakun, Sirinë, Jordaninë, Algjerinë, Marokun, Tunizinë, Kuvajtin, Arabinë Saudite, Palestinën, Bahreinin, Katarin, Egjiptin, Libinë dhe Republikën Turke të Qipros Veriore.
Elvan theksoi se vendet turke dhe arabe duhet të forcojnë marrëdhëniet e tyre ekonomike dhe tregtare në nivelin e lidhjeve të tyre të miqësisë.
Nga ana tjetër, Muhamed Abdul Vahid al-Maitimi, Ministri i Industrisë dhe Tregtisë i Jemenit, tha se Turqia dhe Jemeni kanë lidhje të forta.
“Turqia është vend i fuqishëm dhe mbështet fuqimisht qeverinë ligjore jemenase dhe jemenasit gjatë kohërave të tyre të vështira”, theksoi ai.
Mbi 150 biznesmenë jemenas kanë vizituar Turqinë për t’i zhvilluar marrëdhëniet ekonomike, tha ai.
Ndërkaq, Ahmad Al Ajadi, kryetar i grupit Al Ajaji, tha se Turqia është vend i sigurt të cilit investitorët i besojnë.
Bota arabe do të mund të përfitonte nga lidhjet tregtare ndërkombëtare të Turqisë, shtoi ai.
Po ashtu, Canan Sunay, kryetarja e Shoqatës së Biznesmenëve të Vendeve Turko-Arabe (TURAB), u shpreh se bota arabe është fuqi e madhe ekonomike dhe se Turqia ka lidhje të forta në rajon.
Ajo tha se samiti do të propozojë projektin “Unioni Islam”, duke shtuar: “Ashtu si Unioni Evropian, një Union Islam mund të eliminojë doganat dhe vizat”.