3.4 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

TRUST: MBI 16 MILION EURO S`DIHET TË KUJT JANË

Më të lexuarat

Trusti Pensional i Kosovës nga aspekti i investimeve të mjeteve, ka pasur një vit i cili ishte zero pozitiv sa i përket kthimit në investim dhe se kjo ka qenë kryesisht për shkak të kushteve jashtëzakonisht të vështira, në tregjet financiare në të cilat investon trusti.

Rezultati zero pozitiv është si pasojë e tërmetit të Japonisë, krizave të borxheve në shtetet evropiane, krizën e monedhës euro.

“Nuk mund të quhet sukses, por së paku nuk ishte negative”. kështu tha Vershim Hatipi, zëvendësdrejtor i financave në Trustin Pensional të Kosovës, para komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike. Sa i përket raportit të auditimit të bërë për Trustin pensional të Kosovës, Hatipi tha se përveç barazimit të mjeteve, nuk ka pasur gjetje tjetër në raportin e auditimit.

“Barazimi i mjeteve që paratë kontributet që paguhen nuk po e gjejnë pronarin e tyre dhe se kjo është në mungesë të informacionit që jepet nga punëdhënësi. Punëdhënësi i ka paguar kontributet pensionale, mirëpo nuk kanë treguar se për cilët individë janë paguar këto kontribute. Ky ka qenë në fund të vitit 2011. Kanë qenë 19 milion euro, kjo shumë gjatë këtyre gjashtë muajve, ka rënë në 16 milion euro, është më mirë se vitin e kaluar. Dua të them se auditori vetëm këtë e ka theksuar si çështje me interes. Për këtë gjë jemi duke biseduar edhe me Bankën Qendrore, për të parë se çfarë të bëjmë me këto fonde, që të formohet një fond i veçantë apo të likuidohet ky fond”, tha ai.

Hatipi më tej duke folur për raportin vjetor të trustit pensional, tha se në aspektin operacional, janë bërë avansime të shumta, pasi që janë në fazën përfundimtare të implementimit të një sistemi të ri të teknologjisë së informacionit, me të cilin do të menaxhohen llogaritë individuale, shumë më mirë se deri tani.

Ai si sukses e përmendi edhe procesimin e Ligjit të ri mbi fondet pensionale në Kosovë, sipas të cilit dhënia e listave nga punëdhënësit është e obligueshme për punëtoret që ata i kanë, para se t’i paguajnë kontributet pensionale. Kjo, sipas tij, për kontributet që do të paguhen në të ardhmen, do të jetë një përmirësim i madh, që redukton në minimum kontributet, të cilat nuk do ta gjejnë llogarinë, përkatësisht pronarin e  tyre.

Mirëpo brengosëse, sipas tij, mbetet shifra prej vetëm mbi 200 mijë punëtorëve kontribuues aktiv gjatë vitit 2011, e që për Trustin është një shifër shumë e ulët. Ata nuk mendojnë se janë vetëm mbi 200 mijë punëtorë në Kosovë, ku vetëm 170 mijë kanë pasur kontribute për gjithë vitin.

Hatipi tha se punëtorët në Kosovë nuk janë të lajmëruar, apo po lajmërohen me kontribute më të ulta dhe kjo është brengosëse, pasi që nuk po mbulohet e tërë popullata, e cila duhet të mbulohet me kursime pensionale .

Ndërsa,  Armend Zemaj anëtar i komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se raporti i auditimit është për lëvdatë, mirëpo kërkoi nga trusti që t’i bëjë transparente pagat e punëtorëve, për të cilat po flitet aq shumë dhe ka kaq hezitim  nga ana e Trustit që ato të mos jenë transparente.

“Akoma kjo temë po mbetet temë tabu dhe ka shumë spekulime se sa është paga në trustin pensional të Kosovës. Pse ky hezitim i menaxhmentit të trustit, që në raportin vjetor ku është kërkesë permanente e kuvendit këto të mos jenë të paraqitura në pasqyrat financiare”, tha Zemaj

Ndryshe, komisioni pritet që raportin vjetor të Trustit dhe atë të auditimit ta dërgojë në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës për miratim./Dukagjini/.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit