2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Tri përmbajtjet kryesore të Kurban Bajramit

Më të lexuarat

Jemi në prag të festës së madhe të Kurban Bajramit. Së shpejti do të kemi rastin t’i përjetojmë begatitë dhe dhuratat e saj të mëdha. Falënderojmë Zotin që na e bëri të mundur t’i presim edhe njëherë këto ditë të mëdha të Kurban Bajramit. Kurban Bajrami është festa e myslimanëve, është festa e një miliard e gjysmë njerëzve të planetit. Të kremtuarit e këtyre ditëve na përkujtojnë ditët e lavdishme të së kaluarës së ndritshme islame dhe na nxisin në angazhime më të vendosura, për detyra më të reja dhe energji më të mëdha në organizimin dhe krijimin e një të ardhmeje solide. Kur’ani, Haxhi dhe Kurbani janë përmbajtje themelore të Kurban Bajramit, që paraqesin tre ideale të larta islame.

Kur’ani

Kur’ani paraqet arsimimin dhe devotshmërinë, Haxhi solidaritetin reciprok dhe Kurbani – sakrificën për të tjerët. Prandaj porosia e parë e këtij bajrami për të gjithë besimtarët është të kërkuarit e diturisë dhe shfrytëzimi i mendjes dhe i trurit nga ana e tyre. Feja islame, edhe në burimet e saja fetare, por edhe në traditën historike, e ka theksuar shumë qartë faktin se faktori intelektual është mbartës i afirmimit të njeriut në çdo aspekt të jetës së tij. Jo vetëm kaq, por edhe fuqia e fesë në Islam matet me arsye. Profeti ynë, Muhamedi a.s. thoshte: “Feja e një njeriu është arsyeja, ai që nuk ka arsye, nuk ka fe.” Kur’ani dhe Muhamedi a.s. lavdërojnë çdo punë fizike e mendore që i sjell dobi individit, familjes, bashkësisë, shtetit, njerëzimit. Ja disa citate të cilat bëjnë të qartë obligimin e myslimanëve për punë fizike e mendore (për shkencë, filozofi, tregti, zanate, bujqësi etj.): “Thuaj (o Muhamed) a mund të jenë njësoj ata që dinë me ata që nuk dinë?!”, “Allahun e kanë frikë nga robtë e Tij vetëm të diturit.”, “Dijetarët janë trashëgimtarët e profetëve.”, “Në Ditën e Gjykimit do të matet ngjyra e lapsit të dijetarit me gjakun e dëshmorit – shehidit.”

Konstatimi që “Shkenca dhe të mësuarit është farz – detyrim për të gjithë pjesëtarët e Islamit” (Ibni Maxhe), vë në dukje vlerën e madhe të thirrjes islame. Kërkimi i diturisë, mësimi dhe studimi është aktiviteti më i pëlqyeshëm, i cili nuk duhet të pushojë deri në fund të jetës. Thirrja për arsimimin e gruas është thirrja e parë në histori, që me dituri duhet të armatoset njësoj si mashkulli. Lidhur me çështjen në fjalë dhe situatën që po kalon Shqipëria, duhet vënë në dukje gjithashtu edhe roli i intelektualëve me qëllime dhe vullnet të mirë. Ata janë shpresa më e madhe e njerëzimit. Sikurse është thënë, dijetarët – intelektualët janë kripa e kësaj bote, në qoftë se prishet kripa, do të prishet bota. Ata janë zemra e kombit. Nga intelektualët kërkohet të flasin më shumë, duhet të dëgjohet zëri i tyre, mendimi dhe qëndrimi i tyre, sepse kjo është në dobi të të gjithë njerëzve. Në qoftë se ata heshtin, hesht njerëzimi ose flasin ata që nuk janë kompetentë. Shenjë e shkatërrimit të kësaj bote është kur flet injoranti, ndërsa hesht i mençuri. Mendimet e intelektualit nuk duhet të lidhen me interesat e individëve apo grupimeve të caktuara, madje as me interesat personale. Ai duhet të flasë për hir të së vërtetës dhe drejtësisë, për hir të atdheut, kombit dhe duhet të jetë inkurajues dhe luftëtar i këtyre idealeve. Kështu shprehet edhe Pejgamberi a.s.: “Kontributi më i madh që i bëhet të vërtetës është që njeriut të padrejtë t’ia thuash të vërtetën në fytyrë.”

Të kuptuarit e drejtë të domethënies së dispozitave dhe institucioneve islame, në mënyrë të domosdoshme, kërkon arsimim. A është e mundur, vallë, që një njeri i paditur të kuptojë domethënien e lartë të dispozitave islame, nga të cilat mahniten edhe shkencëtarët më të mëdhenj?! Islami është fe e jetës. Ai gjithmonë zhvillohet, shkon përpara. Çdo mysliman e myslimane, në përgjithësi, dhe të rinjtë e të rejat, në veçanti, u duhet patjetër të pranojnë e përvetësojnë shkrim leximin, arsimimin dhe shkencën, si mjete të domosdoshme për afirmimin më fisnik dhe progresin jetësor në gjirin e fesë së tyre të lartë.

Haxhi

Porosia e dytë e Kurban Bajramit është Haxhi dhe ne përsëri jemi në ditët e tij. Përsëri jemi dëshmitarë të mbajtjes së manifestimit numerikisht më të madh njerëzor që mban mend historia. Miliona njerëz nga vendet më të ndryshme të botës, me mund e sakrifica të mëdha, nisen për në udhëtimin më të gjatë e më të dashur, udhëtim i cili shpie në takim me Zotin, historinë dhe njeriun. Prej 14 shekujsh myslimanët nga të gjitha anët e botës i përgjigjen thirrjes së Allahut dhe me nxitim nisen me mjetet më të përshtatshme drejt Qabes. Haxhi, sikurse e thamë, është manifestimi i unitetit, harmonisë dhe i vëllazërisë së vërtetë islame. Sipas dispozitave fetare të gjithë haxhinjtë gjatë kohës së haxhit, kanë të njëjtën veshje (ihramin) dhe që të gjithë, pavarësisht nga profesioni, pozita e klasa, kanë të drejta të barabarta, për të hyrë në faltoren e Zotit në Qabe. Titujt e nderit dhe famës së kësaj bote aty nuk merren parasysh, jo më t’i jepet vendi i parë. Para dyerve të mëshirës së Zotit të gjithë janë të barabartë. Aty në mënyrë të veçantë manifestohen fjalët kuranore: “Besimtarët janë vëllezër”. Ndoshta vetëm në këtë vend dhe vetëm në këtë rast mund të shohim se si ofiqarët e lartë myslimanë futen në bashkësi me të tjerët. Këtu na jepet shembulli më i mirë se si njerëz me ngjyrë, racë dhe gjuhë të ndryshme mund të jenë vëllezër kur në mjedisin e tyre i japin pak më shumë vend vlerave njerëzore. Këtu mund të shihet mirë se si myslimanët rusë, kinezë, japonezë, shqiptarë, etj., në mënyrë vëllazërore i shtrëngojnë dorën njëri-tjetrit dhe me lot në sy përqafohen. Ata veprojnë kështu, sepse gjenden në vendin ku egoizmi dhe interesat materiale të kësaj bote nuk kanë ndikim, ku flet ndërgjegjja e pastër, zemra e pastër dhe morali i pastër, ku vëllazëria dhe paqja nuk lidhen me fjalë dhe kushte, por me ndjenjën e sinqertë të zemrës. Këtu njeriu ka rastin më të mirë që të njihet me popujt e tjerë dhe me kushtet e tyre, ndërsa nëpërmjet njohjeve të tilla reciproke duhet të vijë deri te solidariteti i ndërsjellë për të cilin gjithmonë ka nevojë të domosdoshme populli. Allahu xh.sh. në Kur’an thotë: “O njerëz, Ne ju kemi krijuar juve prej një mashkulli dhe një femre dhe ju kemi bërë të ndarë në popuj që të njiheni mes vete. Më i miri tek Allahu është më i devotshmi ndër ju.” (Huxhurat, 13)

Fjalimi i fundit i Muhamedit a.s. në Haxhin e Lamtumirës është një mesazh i mirë për popullin shqiptar dhe për gjendjen që ai po kalon. Duke festuar Bajramin ne i konfirmojmë dhe i përtërijmë këto porosi dhe qëllime të larta, duke sakrifikuar çdo gjë, për të mirën, paqen, harmoninë dhe mirëqenien ndërnjerëzore. Meqë flasim si myslimanë, atëherë duhet të nisemi nga vetja, duhet të dimë cilat janë themelet e paqes sonë, si e përjetojmë atë dhe si arrijmë deri te përbërja shpirtërore e paqes në vete. Përndryshe paqe të vërtetë nuk do të ketë përderisa ajo nuk ngadhënjen qenien njerëzore, përderisa nuk bëhet dimensioni shpirtëror i njeriut. E kjo do të arrihet kur të jetojmë plotësisht sipas dispozitave të Zotit xh.sh. Nëse nuk e përfillim fjalën e Zotit xh.sh., në qoftë se krahas ligjeve njerëzore nuk përfillim edhe ligjet hyjnore dhe normat e përcaktuara në to, do të jemi të detyruar t’i përjetojmë sanksionet e ligjit natyror si ndëshkim dhe goditje paralajmëruese për moszbatimin e ligjit të parë. Këtë e shpjegon qartë Profeti Muhamedi a.s. në fjalën e tij: “Pesë për pesë. Kur një popull nuk e kryen obligimin ndaj Zotit, Ai do t’u dërgojë armikun për sundimtar. Në qoftë se gjykojnë ndryshe nga ajo që ka urdhëruar Zoti, do t’ju shfaqet varfëria. Kur të përhapet në popull imoraliteti e prostitucioni, prisni shtimin e sëmundjeve e të vdekjeve. Nëse heqin në peshë (mashtrojnë në peshë), nuk do të ketë bereqet në të mbjella dhe do të jetë vit i lig. Dhe kur të pengojnë dhënien e zekatit, do t’i kaplojë thatësia”.

Çështja e paqes dhe e pajtimit të njerëzve është çështje e shpirtit njerëzor. Paqja e vërtetë ekziston në shpirtrat e njerëzve ose nuk ekziston fare. Marrëdhëniet reciproke mes njerëzve janë pasqyrë dhe reflektim i cilësive shpirtërore e morale. Ajo që zihet dhe vlon në shpirtin e njeriut patjetër do të shfaqet në veprat dhe raportet ndërnjerëzore. Atje ku ka paqe në shpirt atje është e vendosur, ndërsa atje ku nuk ka paqe në shpirt atje duhet mbrojtur. Nuk duhet filozofi e madhe për të treguar sa e keqe është një luftë. Vetëm një përfytyrim i një lufte të mundshme është i mjaftueshëm për ata që kanë mend të kuptojnë sa fisnik është ai zë që ngrihet në mbrojtje të paqes dhe marrëdhënieve të mira ndërmjet popujve, feve dhe kulturave të ndryshme. Antagonizmat që lindin mes besimtarëve të feve të ndryshme tregojnë për mosnjohjen e fesë. Ata të cilët kanë raporte të tilla antagoniste, nuk e kanë kuptuar esencën e fesë, shpalljen e urdhëresave e porosive dhe ligjeve të Zotit, të cilat kanë zbritur sipas etapave në pajtim me zhvillimin shpirtëror e intelektual të njerëzve. Edhe e ardhmja e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, do të jetë e lumtur, në qoftë se pjesëtarët e fesë islame, katolike e ortodokse do të përqafojnë e të përvetësojnë secili fenë e vet me dije e vepër dhe të respektojnë fenë e tjetrit me sjellje të mira. Si vëllezër nga gjuha, por edhe si besimtarë myslimanë e të krishterë duhet ta kuptojmë njëherë e përgjithmonë se realiteti dhe fati, jo vetëm i yni, por i gjithë botës, që nga fillimi e deri në mbarim të saj, është larmi besimesh. Ky është vullneti i Zotit dhe cili mysliman apo i krishterë do ta merrte guximin të ngrihej kundër vullnetit të Zotit. Njeriu është vepër madhore e Zotit, shkatërrim për atë që cenon nderin dhe dinjitetin e veprës së Tij. Shqiptarët nuk do të kenë përçarje fetare përderisa të besojnë se fetë në Shqipëri janë pasuri e jo fatkeqësi dhe se Zoti i vetëm është për të gjithë i njëjtë. Ardhmëria e njerëzimit është në maksimën: “Beso Zotin dhe bëj të mira”. Duke i festuar ditët e shënuara të Bajramit ne përkujtojmë sakrificat e mëdha që janë bërë gjatë historisë për realizimin e atyre qëllimeve e synimeve sublime të jetës njerëzore. Për parimin e bashkëjetesës, për atë që të realizohet atmosfera e lirisë dhe e dashurisë, shumë popuj të botës kanë dhënë sakrifica të mëdha. Pa sakrifica nuk mund të ketë as vepra të mëdha. Njerëzit do të bëhen të shquar dhe të pavdekshëm vetëm nëse janë të gatshëm të sakrifikojnë, ndërsa popujt bëhen të mëdhenj dhe të fuqishëm vetëm nëse stolisen me virtyte e ndjenja sublime për të mirën e përgjithshme për të mirën e kombit e të atdheut.

Kurbani

Ditët e gëzuara të këtij bajrami na përkujtojnë Ibrahimin dhe të birin Ismail a.s. dhe gatishmërinë e tyre për të sakrifikuar çdo gjë për hir të Zotit. Vendosmëria e Ibrahimit dhe gatishmëria e Ismailit për t’u sakrifikuar, ka qenë dhe mbetet një ngjarje e madhe në histori. I gatshëm të flijojë djalin, lindja e të cilit ishte fryt i lutjes dhe i shpresës modeste në pleqëri, gëzim i pritur gjithë jetën, dhuratë e Zotit që i duhej kthyer Zotit. Ta bësh kurban atë, mendja njerëzore do të thoshte ta presësh palmën e gjelbër që shkretëtirës së vdekur i jep shpresë për zgjatjen e jetës, ndërsa për mendjen profetike do të thotë të vërtetuarit e nënshtrimit ndaj përcaktimit të Zotit. Kjo është ngritja e njeriut deri te dashuria më e lartë, dashuria që shkrin çdo dashuri tjetër, deri te vullneti i çeliktë i cili eviton çdo gjë që rrezikon dorëzimin e plotë ndaj Zotit. Allahu na jep çdo të mirë, e në shenjë mirënjohjeje falim namazin dhe presim kurbanin. Ai që nuk na do do të mbetet i papërkujtuar, ndërsa përkujtimi i ynë është Ibrahimi për brezat e mëvonshëm.

Nga sa u tha më lart, mund të dalim në përfundimin se sakrifica është ajo rrugë, e cila çon te mëshira e Zotit, pse jo edhe te miqësia e Zotit, ashtu siç e fitoi titullin Ibrahimi (a.s.) dhe u bë Halilullah (Mik i Allahut). Çdo mysliman e ka për detyrë të ndjekë këtë rrugë, rrugën e atyre prijësve shpirtërorë, të cilët i ndihmuan popujt e tyre sa herë që ata e çonin veten buzë greminës, rrugën e profetit të Zotit, Muhamedit a.s., i cili thoshte se drejtimi i popujve është amaneti dhe përgjegjësia më e madhe në këtë botë dhe se popujt kanë prijës ata që i meritojnë.

Muhidin Ahmeti

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit