2021 do të përfaqësojë rritjen më të madhe me bazë vjetore të tregut që nga viti 2015, ndërkohë që edhe zhvendosja drejt 5G në gjithë nivelet e çmimeve do të vijojë të përshpejtohet
International Data Corporation (IDC) rrit parashikimet në afat të shkurtër për tregun botëror të smartphone-ve. Sipas IDC Worldwide Quarterly Mobile Phone Tracker, dërgesat e smartphone-ve do të arrijnë në 1.38 miliardë njësi në vitin 2021, me rritje 7.7% krahasuar me 2020. Bëhet fjalë për rritjen më të lartë, në përqindje, që nga viti 2015. Tendenca duhet të vijojë edhe në vitin 2022, kur rritja vit pas viti do të jetë 3.8%, me dërgesat që do të arrijnë në 1.43 miliardë njësi.
Tregjet në të gjithë botën do të vazhdojnë të zhvendosen drejt 5G, aty ku infrastruktura është e zhvilluar. Në tregjet në zhvillim shihet një rritje e fortë e kërkesës për telefona 4G të fashës së mesme dhe të ulët, pas ngadalësimit vitin e kaluar nga pandemia. Mungesa globale e gjysmëpërcjellësve mbetet shqetësim për shumë industri dhe tregu i smartphone-ve nuk përjashtohet nga kjo. Megjithatë, ndikimi ka qenë shumë më i vogël krahasuar me tregje të tjera si ai automobilistik, i PC dhe kategori të ndryshme teknologjike të konsumit.
“Smartphone-t po përballen me konkurrencë për shpenzimet e konsumatorëve nga tregjet fqinje si PC, tablet, TV dhe pajisje shtëpiake inteligjente, por kjo nuk e ka ngadalësuar procesin e rimëkëmbjes së tregut” – tha Ryan Reith, zv.president i programit Worldwide Mobile Device Trackers në IDC. “Tregu i smartphone-ve vijoi rritjen në tremujorin e fundit të vitit dhe prej atëherë kemi parë vetëm rritje të prodhimit nga furnizuesit më të rëndësishëm”.
Vazhdon të ketë një shtysë të fortë të ofertës drejt 5G, dhe si rezultat, çmimet vijojnë të ulen. IDC parashikon që çmimet mesatare të shitjes (Average Selling Prices – ASP) për pajisjet Android 5G do të ulen me 12% nga viti në vit në 2021 në 456 dollarë e më pas, nën 400 dollarë në vitin 2022. Apple do të vazhdojë të ndiejë presionin te çmimet”. Me dërgesat 5G që do të rriten me thuajse 130% në vitin 2021, thuajse gjithë rajonet jashtë Kinës do të shohin një rritje treshifrore në fund të këtij viti.
Megjithatë, Kina do të kryesojë në peshën e tregut, me thuajse 50% të dërgesave 5G në 2021, ndjekur nga SHBA me 16%. Tregje të tjera të rëndësishme si Europa Perëndimore dhe Azi / Paqësori (duke përjashtuar Kinën dhe Japoninë) do të zënë së bashku 23.1% të tregut botëror 5G brenda fundit të vitit 2021.
“Edhe pse rritja 7.7% duket një kthesë mbresëlënëse, duhet të kemi parasysh se po rimëkëmbemi pas një prej viteve më të vështirë” – tha Anthony Scarsella, research manager i Worldwide Mobile Device Trackers në IDC.
“2021 do të përfaqësojë rritjen më të madhe me bazë vjetore të tregut që nga viti 2015, ndërkohë që edhe zhvendosja drejt 5G në gjithë nivelet e çmimeve do të vijojë të përshpejtohet”.
Burimi: IDC