-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Tre dëshmitarët okularë

Më të lexuarat

Falënderimet dhe lavdërimet janë për Allahun, Zotin e gjithë botëve. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, për familjen dhe për shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, ndërsa udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje të çon në zjarr.

وَمَا تَكُونُ فِي شَأْنٍ وَمَا تَتْلُو مِنْهُ مِن قُرْآنٍ وَلاَ تَعْمَلُونَ مِنْ عَمَلٍ إِلاَّ كُنَّا عَلَيْكُمْ شُهُوداً إِذْ تُفِيضُونَ فِيهِ وَمَا يَعْزُبُ عَن رَّبِّكَ مِن مِّثْقَالِ ذَرَّةٍ فِي الأَرْضِ وَلاَ فِي السَّمَاء وَلاَ أَصْغَرَ مِن ذَلِكَ وَلا أَكْبَرَ إِلاَّ فِي كِتَابٍ مُّبِينٍ

“As ti (O Muhamed) nuk bën ndonjë vepër, as nuk këndon ndonjë pjesë nga Kurani dhe as ju (njerëz) nuk bëni ndonjë vepër (të mirë ose të keqe), veçse Ne jemi Dëshmues mbi ju kur ju e kryeni atë. Dhe asgjë nuk i fshihet Zotit tënd qoftë sa një atom në tokë a në qiell qoftë. Dhe as çfarë është më e vogël se ajo, dhe as çfarë është më e madhe, veçse shkruhet në Librin e Qartë.” (Junus, 61)

 

Të nderuar besimtarë! I nderuari vëlla!
Ku je duke shkuar, kujdes! Ti ke dëshmitarë që dëshmojnë për ty në çdo vend, në çdo kohë dhe kudo që të shkosh. Mos harro se edhe për veprat dhe sjelljet e tua do të ofrohen prova, prandaj ki kujdes!

 

Ligjëratën ose hutben e sotme (tre dëshmitarët okularë), do ta shtjellojmë në pikat vijuese:
Dëshmitari i parë: Toka,
Dëshmitari i dytë: Melaiket,
Dëshmitari i tretë: Gjymtyrët.

Lusim Allahun e Lartësuar që t’i pastrojë qëllimet tona.

 

Dëshmitari i parë: Toka

Kjo tokë, nëpër të cilën po ecim, po ushqehemi, po pushojmë, do të jetë dëshmitare para Allahut të Lartësuar për mëkatet tona. Po kjo tokë një ditë do të ofrojë prova dhe do të dëshmojë për çdonjërin, do të flasë për çdo mëkat që është bërë në të. Do të vijë një ditë kur ajo do të shpalosë, do të zbulojë, do të publikojë dhe do të nxjerrë fshehtësitë dhe sekretet tuaja.
Ka mundësi që ti o njeri këtë e kupton si jo serioze dhe thua: Vallë, cili është argumenti për shpalljen e provave kundër meje, se ato do të ekspozohen në Ditën e Gjykimit?!

 

Të nderuar! Të kujtojmë së bashku katër ajetet e para të sures Zelzele: “Kur të dridhet toka me dridhjen e saj të fuqishme,
Dhe të nxjerrë toka atë që ka në brendinë e saj (barrën nga brenda), Dhe njeriu të thotë: “Çka kjo (që bën këtë dridhje)?”
Atë ditë ajo i rrëfen tregimet e veta.” (Zelzele, 1-4)
Fjalët e Allahut: “Atë ditë ajo rrëfen tregimet e veta”, i shpjegon i Dërguari i Allahut me fjalët: “Padyshim që tregimet (lajmet) e asaj dite janë dëshmia për çdonjërin çka ka vepruar në sipërfaqen e tokës, duke thënë: “E ke bërë këtë dhe këtë vepër, po në këtë ditë. Këto pra janë rrëfimet e asaj dite.” (Transmeton Tirmidhiu, hadithi është hasen.)

A thua, i riu i cili bredh me makinë rrugëve të qytetit për të shfryrë epshet shtazarake duke shikuar femrat, a e kujton dëshminë e tokës dhe publikimin e mëkatit të tij?
A thua, ai i cili rrugëton prej një vendi në një vend tjetër për t’i bërë mëkat Allahut të Lartësuar dhe për të bërë imoralitet, a e kujton ditën kur toka do t’i nxjerrë dhe zbulojë mëkatet, haramet e tij?
I nderuar! A po të kujtohet mëkati, kur e bëre në vendin e caktuar? Askush prej njerëzve nuk të ka parë. Por, toka (vendi) ku e bërë do të dëshmojë kundër teje. Padyshim që ti këtë e injorove, por toka e shënoi!
A thua, vajza e cila shëtit nëpër rrugë e rrugica, kafebare, pishina e plazhe shfaq bukurinë e trupit para njerëzve, a mendon se me kaq do të përfundojë?
Jo, vendi në të cilën ka ndenjur do ta publikojë mëkatin e saj!

 

Dëshmitari i dytë: Melaiket

Po, vëlla dhe motër, melaiket shënojnë dhe regjistrojnë veprat tuaja të mira dhe të këqija. Allahu i Lartësuar thotë: “Por padyshim që mbi ju janë ruajtësit (melekët e caktuar me përgjegjësi për njerëzit) për t’ju vëzhguar ju. Kiramen Katibin (të Nderuarit që shkruajnë veprat tuaja). Ata dinë gjithçka që ju veproni.” (Infitarë, 10-12)

 

I nderuari besimtar!
A të kujtohet nata kur ti ishe pranë ekranit televiziv dhe shikoje kanalet që transmetonin femra të zhveshura, seriale epsharakë, filma degjenerues? Ndoshta të kujtohet si veproje. Me siguri se ti ishe vetëm, pa askënd tjetër. Po ta dije se melaiket kanë regjistruar çdo gjë, çdo veprim tëndin, nuk do të kishe vepruar ashtu, nuk do të kaloje nga një kanal në tjetrin.
Është e mundur që serialet, pjesët muzikore, filmat, lojërat, bisedat me telefon, qëndrimi i gjatë në internet, të gjitha këto e humbin besimtarin dhe besimtarin dhe e largojnë prej namazit. Por mos harro se melaiket dëgjojnë dhe shënojnë veprimet tuaja dhe në Ditën e Gjykimit ato do t’i lexoni: “A mendojnë se Ne nuk dëgjojmë ndjenjën e fshehtë të tyre dhe bisedën midis tyre? Po, e dëgjojmë dhe të dërguarit tanë (melaiket përcjellës) që janë pranë tyre, shkruajnë.” (Zuhruf, 80)
Pas këtyre shënimeve, ç’do të ndodhë?
Kur vdes njeriu, mbyllet dosja e shënimeve, kështu që me të do të takohesh. Pas daljes tënde nga varri, do të vijë dosja e shënimeve të tua e regjistruar nga melaiket në dunja. Allahu i Lartësuar do ta urdhërojë njeriun që t’i lexojë shënimet e veta.
“Dhe ia kemi lidhur veprat e çdo njeriu fort pas qafës së tij dhe Ditën e Llogarisë Ne do t’ia nxjerrim atij përpara shkresën të shtrirë gjerë e gjatë përpara tij. (Do t’i thuhet): “Lexoje librin tënd. Ti vetë je i mjaftueshëm këtë Ditë si gjykues kundër vetes tënde.” (Israë, 13-14)
Moment i vështirë dhe shqetësues! Njeriu qëndron i zhveshur para Krijuesit Allah, bashkë me të edhe dosja e shënimeve, divani përmbledh të mirat dhe të këqijat.

 

I nderuar dhe e nderuar!
Si do ta ndiesh veten kur shënimet e tua do të dëshmojnë për netët e kaluara para serialeve, filmave, këngëve, programeve zbavitëse, degjeneruese, të shfrenuara?
Si do ta ndiesh veten kur do t’i shohësh mëkate e shënuara?
Ah, sikur vetëm ti kishe parë e mos t’i lexoje?
Ç’do të lexosh dhe ç’do të gjesh?
O ti mëkatar! Të gjitha mëkatet do të jenë të shënuara, çdo imtësi do të jetë aty.
“Dhe vihet libri (i veprave), e i sheh mëkatarët të frikësuar nga shënimet që janë në të dhe thonë: “Të mjerët ne, ç’është puna e këtij libri që nuk ka lënë as (mëkat) të vogël e as të madh pa e përfshirë?”, dhe atë që vepruan e gjejnë të gatshme – prezente, e Zoti yt nuk i bën padrejt askujt.” (Kehf, 49)
“Në ditën kur njeriu (besimtar) shikon se çka i kanë sjellë duart e veta, e jobesimtari thotë: “Ah, sa mirë do të ishte për mua sikur të isha dhé!” (Nebeë, 40)

 

Dëshmitari i tretë: Gjymtyrët
Të nderuar besimtarë!
Dëshmitari i tretë do të jenë gjymtyrët e trupit, si: duart, këmbët, gjuha, sytë, veshët po edhe e tërë lëkura. Të gjitha këto o njeri do të dëshmojnë për ty në Ditën e Gjykimit. Do t’i zbulojnë mëkatet, krimet dhe haramet e tua dhe do t’i bëjnë publike. Allahu i Lartësuar thotë: “Sot Ne ua mbyllim gojët atyre.” (Jasin, 65)
E më pas ç’do të ndodhë: “Neve na flasin duart e tyre,” (Jasin, 65)
Vallë a do të mbesë me kaq, jo: “Kurse këmbët e tyre dëshmojnë për atë që punuan.” (Jasin, 65)
Ah, ditë e rëndë dhe e vështirë do të jetë!!
Duart do të flasin e do të thonë: “O Zot, këto duar kanë blerë revistat e ndyra, cd-të me muzikë. Po këto duar kanë ndërruar kanalet satelitore. Këto duar kanë prekur trupin e femrës së huaj. Këto duar kanë përgatitur duhanin, drogën, alkoolin…”
Këmbët po të njëjtën gjë do të thonë: “Edhe ne kemi ecur për në haram, nuk jemi ngritur për ta falur namazin, kemi kërcyer në klubet e natës, kemi ecur nëpër plazhe..”.
Por edhe më shqetësuese do të jetë kur të flasë lëkura, e ata do të thonë lëkurave të veta: “Përse dëshmuat kundër nesh?” (Fussilet, 21)
Përgjigja do të jetë: “Allahu, që çdo sendi ia ka dhënë të folurit, na dha edhe neve.” (Fussilet, 21)

 

Të nderuar besimtarë!
Kështu do të përfundojë procedura e dëshmive. Për ty apo kundër teje do të publikohen prova, fakte, argumente. Këtë do ta bëjë toka, melaiket, gjymtyrët.
Besimtarë, mendoni për Ditën e Llogarisë, ditën kur do të takoheni me veprat tuaja. Në ditën kur çdo gjë do të jetë shqetësuese, në ditën kur do të publikohen mëkatet.
“Dhe derisa të jetë afruar premtimi i saktë (Dita e Kiametit) e ai është momenti kur mbeten të shtangët sytë e atyre që nuk besuan (në ato çaste thonë): “Të mjerët ne, vërtet ishim krejt të pavetëdijshëm për këtë (moment); por jo, është e vërtetë se ishim zullumqarë të mëdhenj.” (Enbija, 97)

 

I nderuar besimtar!
Kujto atë ditë, se do të ndodhë. Beso bindshëm dhe vepro, mbill të mira, se do t’i vjelësh frytet e saj në botën tjetër. Bëhu rob i Allahut, rob i cili përulet në ruku dhe në sexhde, lexon Kuran, i nënshtrohet dhe i përulet Krijuesit Allah.
Bëhu rob i Allahut në shtëpi, rob i Allahut në xhami, rob i Allahut në rrugë, rob i Allahut në punë, rob i Allahut kur njerëzit të njohin dhe kur nuk të njohin, edhe kur të jesh në vetmi pa askënd, pos Allahut. Allahu është Ai i Cili të sheh këtu dhe atje.
“S’ka dyshim se Allahut nuk mund t’i fshihet asgjë në tokë e as në qiell.” (Ali Imran, 5)

 

Allahu im! Ushqeji zemrat e besimtarëve me udhëzim të drejtë në Kuran dhe Sunet, që ta gëzojnë lumturinë në të dy botët.
Allahu im! Na mëshiro me mëshirën Tënde, kur të bëhemi të harruar!
Mos na lë të vetmuar dhe të pasigurt në Ditën kur do të ringjallemi!

 

Ulvi Fejzullahu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit