-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Tragjedia njerëzore në kufirin Mianmar-Bangladesh

Më të lexuarat

Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, mund të shihet dimensioni i brutalitetit të ndodhur në bregun e lumit Naf, që gjendet në kufirin Bangladesh-Mianmar

ANKARA (AA) – Dhjetëra persona, pjesë e madhe e të cilëve fëmijë humbën jetën duke u mbytur, pasi që është hapur zjarr në gomonen që mbante muslimanë të Arakanit (Rohingya), të cilët ishin duke bërë përpjekje që të kalojnë në Bangladesh për të ikur nga sulmet e ushtrisë së Mianmarit dhe budistëve radikalë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, mund të shihet dimensioni i brutalitetit të ndodhur në bregun e lumit Naf, që gjendet në kufirin Bangladesh-Mianmar.

Në këto pamje gjithashtu mund të shihet se si kufomat e foshnjave dhe fëmijëve muslimanë të Arakanit arrijnë në bregun e lumit, pasi që varka e tyre në përpjekje për të kaluar lumin përmbyset si pasojë e zjarrit të hapur nga forcat e sigurisë së Mianmarit.

Në bregun e lumit ku gjenden gra dhe fëmijë muslimanë të Arakanit, bëhen përpjekje për mbijetesë në kufirin me Bangladeshin.

Theksohet se shumë muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën pasi që është hapur zjarr nga forcat e sigurisë së Mianmarit në gomonen me të cilën ishin duke bërë përpjekje që të kalojnë në Bangladesh mbi lumin Naf.

Ndërkohë në pamje të tjera të publikuara në rrjetet sociale gjenden muslimanët e Arakanit të cilët presin në zonat malore duke ikur nga ushtarët.

Ikja nga Mianmari në Bangladesh

Një pjesë e muslimanëve të Arakanit janë duke e përdorur lumin Naf i cili lidhet në gjirin e Bengalit dhe përbën kufirin mes dy shteteve duke përdorur varkë ose gomone.

Ato përpiqen që të arrijnë në Bangladesh pas një udhëtimi të rrezikshëm në gjirin e Bengalit. Varkat e muslimanëve të Arakanit shpesh herë janë duke u përmbysur. Ndërsa forcat e sigurisë së Mianmarit hapin “zjarr frikësues” gjatë kalimit në det dhe lumë.

Ndryshe, një numër i madh i muslimanëve të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur.

Gjatë sulmeve të ushtrisë janë shënjestruar mbi 60 fshatra, ndërsa dhjetëra prej tyre janë djegur. Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke shkuar në zona relativisht të sigurta ose duke u përpjekur ta kalojnë në Bangladesh nëpërmjet rrugëve ilegale.

OKB njofton se mbi 146 mijë muslimanë të Arakanit deri më tani kanë kaluar në Bangladesh, megjithëse dhjetëra mijëra vazhdojnë të presin në zonën kufitare.

Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare. Organizatat e shoqërisë civile në Arakan bëjnë të ditur se numri i civilëve që kanë humbur jetën ka kaluar mbi një mijë, ndërsa disa të tjera pohojnë se bilanci është disa mijëra.

Po ashtu, qeveria e Mianmarit nuk është duke lejuar shpërndarjen e ndihmave humanitare për muslimanët e Arakanit që kanë marrë rrugën e migrimit ose kanë mbetur pa shtëpi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit