8.4 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Tjetër vrasje për pronat (dhe diçka për biznesmenin Mitri)

Më të lexuarat

Një 31-vjeçar ka mbetur i vrarë me armë zjarri paraditen e sotme në fshatin Gjuraj të Dukagjinit në Shkodër.

Policia bën me dije se viktima është shtetasi Gjok Arra.

Autorë të krimit, sipas policisë lokale, dyshohet se janë vëllezërit Luigj Bludaj, 31 vjeç dhe shtetasi Çesk Bludaj, 37 vjeç, banues në të njëjtin fshat.

Krimi dyshohet të ketë ndodhur për motive pronësie.

“Nga shërbimet e Drejtorisë dhe Komisariatit Shkodër janë ngritur pikat e kontrollit në hyrje të zonës dhe janë vënë në ndjekje të autorëve. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e policisë gjyqësore për kryerjen e veprimeve hetimore dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes. Nga verifikimet paraprake dyshohet se ngjarja ka ndodhur për konflikt me bazë pronën”, thekson policia.

Kjo vrasje vjen pikërisht kur vazhdon debati publik në lidhje me dhunimin barbar të një biznesmeni libanezo-amerikan.

Katër ditë pas dhunimit të Faad Mitrit, policia ka arrestuar tre personat e dyshuar si autorët e dhunimit të Mitrit.

Ata janë nga fshati Sukth.

Sipas burimeve zyrtare personat e shoqëruar nga policia janë Landi Muharremi, Arben Mërkuri dhe Skënder Krahja nga Sukthi. Mësohet se një prej dhunuesve e ka identifikuar vetë biznesmeni dhe bashkëshortja e tij në momentin që kur u ballafaquan, por gjithsesi ata nuk kanë treguar siguri absolute, por janë shprehur se ngjason me agresorin, por nuk mund të japin siguri të plotë.

Çështja e rrahjes së Mitrit ku sapo kishte dalë nga Aeroporti i Rinasit bëri mjaft bujë, për shkak se njihet si një biznesmen miliarder, i përqendruar kryesisht në fushën e ndërtimit.

Ai u dhunua mesditën e së shtunës pak minuta pasi Mitri, shoferi i tij dhe bashkëshortja u nisën nga aeroporti i Rinasit, drejt Tiranës.

Mirëpo në një rrugë dytësore, pranë fshatit Laknas ndodhi një aksident i befasishëm, që më vonë u dyshua se ishte inskenuar. Menjëherë pas karambolit të automjeteve, nga autovetura që udhëtonin agresorët zbritën tre të rinj dhe me shkopa golfi nisën të godisnin biznesmenin.

Që në fillim policia dyshoi se nuk ishte një zënkë ordinere pas një karamboli automjetesh, por diçka e inskenuar.

Libanezi ka investuar në vendin tonë prej disa kohësh, por ajo që konsiderohet projekt me shumë vlerë, është ndërtimi i një kompleksi vilash luksoze në zonën turistike të Gjirit të Lalzit. Bëhet fjalë për jo pak por 1.5 miliardë euro.

Sipas projektit, do të ndërtohet një nga zonat më të madha dhe moderne turistike në Ballkan, ku vetëm Mitri do të investojë 180 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër është e bashkëpronarëve të kompleksit të madh.

Aktualisht po hetohet mbi pistën e konfliktit për investimin, pasi mes biznesmenit dhe pronarëve të tokës ku po ndërtohet resorti ka pasur një debat pas vendimit të gjykatës së Durrësit pro investitorit.

Strukturat e rendit shprehen se nga veprimet paraprake dyshohet se Mitri mund të jetë dhunuar për shkak të një procesi gjyqësor të fituar ndaj pronarëve të tokës ku po ndërton kompleksin turistik, pasi njëri nga të ndalurit nga policia, Landi Muharremi pretendon se toka ku po ndërtohet resorti është e tij dhe se vendimi i gjykatës është i padrejtë.

Kjo ngjarje vjen ndërsa Banka e Shqipërisë ka deklaruar se investimet e huaja direkte në Shqipëri kanë njohur një ulje prej 11 përqind në krahasim me një vit më parë.

Kësaj ngjarje i ka kushtuar një editorial edhe analisti Besart Kadia.

“Në vendin më të varfër të Europës rrahja e një biznesmeni të huaj shkon mbi të gjitha kundër brandit shqiptar “mikpritja për të huajt“. Ç’mund të bëhet për të thithur investimet e huaja? Mbaj mirë ata që janë në Shqipëri. Dhoma Amerikane e Tregtisë në komentet e bëra nga anëtarët e saj shkruhet se “ qeveria duhet ta shohë biznesin si partner dhe jo armik” apo se “masat anti-informalitet gjatë vitit të shkuar kanë prishur klimën e biznesit”. Nga ana tjetër, Dhoma Gjermane e Tregtisë shprehet se investitorët gjerman shohin si të fundit mundësinë për të investuar në Shqipëri. Për më tepër Banka Shtetërore Kineze që nënshkroi një marrëveshje me qeverinë shqiptare akoma nuk ka lëvruar asnjë qindarkë për projektin e Rrugës së Arbrit. Ndërkohë që kemi humbur 35 vende në Doing Business në botë. Një milion shuplaka nuk ishin kundër opozitës por ishin pro një projekti ekonomik që pretendonte se do të ulte varfërinë e do të rriste ekonominë. Ato ishin vota besimi për të bërë reforma që janë në të mirë të qytetarit. E ndërsa të dhënat tregojnë se Shqipëria po mbetet ekonomikisht vend numëro, këto 5 vitet e fundit e qeveria ka për detyrë të ndryshojë qasjen ndaj klimës së biznesit se përndryshe një milion shuplakat e të papunëve nuk dihet kë do godasin sërish,” shkruan Kadia.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit